1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Procesi Pussy-Riot: Davidi kundër Goliatit

Rasti i tri grave bëhet shembull frikësues në Rusi. Vendimi kundër grupit punk Pussy Riot është një skandal, i cili do të jetë barrë edhe për marrëdhëniet gjermano-ruse, mendon Bernd Johann.

default

Kush ka besuar se shteti rus do të ketë fuqinë për të treguar zemërgjerësi, apo butësi ndaj kundërshtarëve të tij, e sheh tani se ka gabuar plotësisht. Kjo për faktin se vendimi i gjykatës së Moskës kundër tri grave të grupit punk Pussy Riot nuk është vetëm një dënim i rëndë, që prek të akuzuarat personalisht. Me këtë proces krijohet një shembull frikësues: kushdo që në Rusi demonstron kundër sistemit autoritar të presidentit Vladimir Putin dhe me këtë rast shkel ligjet, do të ndjejë forcën e plotë të aparatit shtetëror.

Nuk ka dyshim: paraqitja e aktivisteve punk në mars të këtij viti në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar ishte një skandal. Sigurisht që aksioni ishte i përshtatshëm për të ofenduar ndjenjat fetare të besimtarëve. Dhe sigurisht që edhe sipas standardeve gjermane një veprim i tillë në një kishë do të konsiderohej si pengesë për shprehjen e lirisë fetare dhe do të dënohej ligjërisht. Liria artistike dhe liria e fesë i vendosin njëra tjetrës kufizime.

Proces i montuar në Moskë

Por në një shtet ligjor në një rast të tillë do të ishte marrë në konsideratë balancimi i interesave kundërthënëse ligjore. Në Moskë nuk ndodhi një gjë e tillë. Gjyqtares i mjaftoi një deklaratë e thjeshtë: "Ky nuk ishte art, por vandalizëm nga urrejta fetare". Rasti kundër tri grave nuk ishte asgjë më shumë se një proces i montuar. Pothuajse një gjysëm viti ato qëndruan në paraburgim. Mizorisht, menjëherë pas protestës së familjeve të tyre, ato u ndanë nga fëmijët e tyre të vegjël.

Në foto, Bernd Johann

Në foto, Bernd Johann

Aksioni i grave kaloi pa përdorimin e dhunës. Askush nuk u dëmtua me të vërtetë. Rrjedha e ngjarjeve ishte e qartë dhe nuk është kontestuar nga gratë. Pra ka pasur rrugë për të treguar butësi juridike dhe aksioni të konsiderohej si një veprim i pashije dhe i pakuptimtë i grave të reja.

Në vend të kësaj, gratë janë trajtuar si kriminele. Gjatë procesit ato ishin të prangosura dhe të mbyllura në një kafaz xhami. Gjykata nuk i dha pothuajse aspak hapësirë palës mbrojtëse. Edhe të pandehurat kishin shumë pak mundësi për të përshkruar pikëpamjen e tyre të gjërave. Ato i përdorën ato për të kritikuar qeverinë Putin si një regjim shtypjeje. Nuk bëhej fjalë për urrejte fetare. Ajo ishte një protestë politike.

Politikanë dhe përfaqësues të kishës si prokurorë

Ky ishte një proces i pazakontë, para syve të botës dhe opinionit rus: Tri gra të reja në rolin e Davidit, të cilat humbasin në fund kundër Goliatit gjigand, sistemit Putin. Politikanë besnikë të Kremlinit dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse bënin thirrje gjatë procesit për dënime drakonike, sikur ata të ishin prokurorë të çështjes.

Bile edhe Putini personalisht doli me komentet e tij për rastin. Pa asnjë distancim politik, ai shprehu pritjet e tij nga procesi. Pra, ai forcoi vetë dyshimet në pavarësinë e gjykatës.

Simbol i errët për mandatin e ri të Putinit

Vendimi bëhet kështu simboli më i errët i mandatit të tretë të teknokratit Putin, i cili arriti të bëhet edhe njëherë burri më i fortë në Rusi vëtem përmes truqeve kushtetuese. 100 ditët e para të tij si president e bëjnë të qartë: koha e liberalizimit politik ka mbaruar. Opozitarët kanë qenë gjithnjë e më shumë nën presion javëve të fundit madje edhe me mjetet e gjyqësorit. Në mënyrë drastike është ashpërsuar e drejta për për protestuar dhe është kufizuar edhe më shumë puna e organizatave joqeveritare.

Këto zhvillime, dhe sidomos tani gjykimi kundër grupit punk të grave, do të ngarkojë edhe raportet gjermano-ruse. Në Gjermani rrallë herë më parë ka pasur një valë të tillë protestash si në kampin politik ashtu edhe në atë shoqëror kundër një procesi në Rusi. Përfaqësuesit gjermanë në forumet e diskutimeve dypalëshe janë gjithnjë e më të zëshëm me pyetjen, se a është i mundur një dialog me Rusinë për të drejtat civile dhe shoqërinë civile. Pas shpalljes fajtor të grupit Pussy Riot politika në Berlin mund të jetë e detyruar, që të rishikojë marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe të ngushta me Moskën.