1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi Politkowskaja - Tre të akuzuarit shpallen të pafajshëm

AG/DW19 Shkurt 2009

Tre të akuzuarit në procesin për vrasjen e gazetares ruse Ana Politkovskaja u shpallën të enjten (19.2.) të pafajshëm. Juria në Moskë nuk i gjykoi të mjaftueshme provat që ngarkonin tre të paditurit.

https://p.dw.com/p/GxaX
Pamje nga seanca e parë e procesit në Moskë më 19 nëntor 2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

Për përfshirje në vrasjen e gazetares kritike ndaj Kremlinit ishin akuzuar dy vëllezërit çeçenë Ibrahim dhe Xhabrail Mahmudov dhe një ish-polic. Sipas akuzës, dy vëllezërit e kanë përgjuar Politkvoskajan dhe kanë kryer hetime mbi të. I akuzuari i tretë akuzohej se kishte dhënë ndihmë teknike në kryerjen e krimit.


Politkvoskaja u vra në tetor të 2006-s përpara shtëpisë së saj në Moskë. Ajo ishte bërë e njohur kryesisht si kritike e ish-presidentit rus Vladimir Putin dhe për shkak të artikujve të saj mbi shkeljen e të drejtave të njeriut nga trupat ruse në Çeçeni. Vrasja e saj ishte një nga më spektakolaret gjatë mandatit tetëvjeçar të ish-presidentit Putin. Në atë kohë Putin hodhi poshtë akuzën se qeveria ruse kishte qenë e implikuar në vrasje.


Nën akuzën për vrasje përpara gjyqit ende nuk ka dalë askush. Prokuroria dyshon një tjetër vëlla të dy çeçenëve të akuzuar, i cili mendohet se ka qëlluar mbi gazetaren. Ai është ende i lirë. Sipas të dhënave të policisë, ende nuk ka informacione mbi ata që kanë urdhëruar vrasjen.


Ndërkaq pas shpalljes së vendimit nga trupi gjykues, prokuroria ruse bëri të ditur se do të apelojë ndaj tij. "Ne natyrisht do të paraqesim një ankimim për shkak të shkeljeve të procedurave gjatë procesit", citohet nga agjensia Interfax prokurorja Julia Safina. Vëzhguesit e cilësojnë vendimin e gjykatës për pafajësi, një disfatë të rëndë për prokurorinë e përgjithshme ruse, e cila kishte shpallur zbardhjen e rastit që në gusht të 2007-s.


Mbrojtja e përshëndeti vendimin e trupit gjykuesit për pafajsi në mungesë provash dhe kërkoi zhdëmtim për burgim të paligjshëm për tre të akuzuarit. Por vëzhgues të procesit dhe madje edhe familjarë, miq e kolegë të Politkvoskajas i kishin cilësuar jo të plota hetimet në procedurën penale si dhe argumentimin përpara trupit gjykues.


Të gjithë të akuzuarit në vrasjen e gazetares Ana Politkovskaja u larguan të enjten (19.02) nga salla e gyjqit si persona të lirë pas rreth katër muajsh burgim. Vrasësi dhe porositësi i krimit janë në arrati.


(EXH/VFB)