1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Procesi NSU dhe hetimet në disa nivele

Vëmendja e opinionit është përqëndruar tek procesi për rastin NSU në Mynih. Krahas procesit punojnë edhe katër komisione hetimore parlamentare për zbardhjen e gabimeve nga ana e autoriteteve të sigurisë.

Katër nëpunës, që bëjnë pjesë në radhët e 3000 punonjësve zyrtarë të Mbrojtjes Kushtetuese janë duke u marrë në pyetje. Enti i Mbrojtjes Kushtetuese është shërbimi më i madh i fshehtë i Gjermanisë. Edhe mbledhja e komisionit parlamentar për zbardhjen e vrasjeve të grupit të ilegalitetit (Nacionalsocializmi në Ilegalitet, shkurt NSU) synon të zbulojë, se deri në ç'masë autoritetet e sigurisë janë involvuar në komleksin e NSU-së. Sidoqoftë Mbrojtja Kushtetuese nuk qëndron direkt në të njëjtin kontekst me procesin NSU, i përqëndruar tek e akuzuara Beate Zschäpe, proces ky prej të cilit duket se gjithçka tjetër rrezikon të mbetet në hije.

Hans-Christian Ströbele, që përfaqëson në komisionin parlamentar partinë ekologjiste Aleanca 90/Të Gjelbërit, mendon se procesi detyrimisht ndjek një qëllim tjetër nga ai që ka komisioni hetimor parlamentar. "Procesi ka të akuzuar, dhe gjyqi duhet të konstatojë, nëse mjaftojnë dëshmitë kundër të akuzuarve për të provuar fajin. Në komisionin hetimor parlamentar nuk ndodh kështu", sqaron Ströbele. Kjo për arësye se agjentët e shërbimeve të fshehta dhe nëpunësit e policisë, që u përgjigjen pyetjeve në komisionin parlamentar, nuk janë të akuzuar, pavarësisht faktit që ata mund të kenë bërë shumë gjëra gabim, thotë Ströbele.

Hans-Christian Ströbele ipartisë Aleanca 90/Të Gjelbërit

Hans-Christian Ströbele ipartisë Aleanca 90/Të Gjelbërit

Ströbele: Duhet të ketë një proces korrekt

Deputeti është një veteran sa i përket punës së komisioneve parlamentare. Ai është anëtar i Bundestagut (parlamenti gjerman) qysh prej 28 vjetësh dhe ndër të tjera ka qenë anëtar i komisionit hetimor lidhur me aferën e donacioneve të partive në kohën e qeverisjes së ish-kancelarit krisitiandemokrat Helmut Kohl. Ströbele lidhur me misionin e tij në komisionin hetimor për NSU-në thotë: "Ne nuk akuzojmë askënd personalisht, ne duhet të zbulojmë në nivelin politik, se ku është gabuar."

Ströbele ka jo vetëm një përvojë shumëvjeçre në punën hetimore parlamentare, por ai ka qenë edhe pjesëmarrës në procese të mëdha penale. Që nga viti 1967 Ströbele është aktiv në Berlin si avokat për çështje penale dhe ka një kancelari të vetën avokature. Nga viti 1970 deri në 1979 vai ka qenë avokat mbrojtës i anëtarëve të organizatës ilegale Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe, shkurt RAF (Rote-Armee-Fraktion), e cila në vitet 70-të kryente atentate terroriste dhe vrasje në Gjermani. Politikani thekson, se pavarësisht paragjykimeve dhe gjuhës së mprehtë të medias, në Mynih duhet të zhvillohet një proces korrekt sipas normës së shtetit ligjor. Vetëm një proces i tillë mund të kontribuojë që drejtësia të vihet në vend. "Gjyqi në parim duhet të mund edhe të bindet, që të akuzuarve nuk mund t'u provohet faji për vrasjet", thotë Ströbele.

Por ka edhe dallime të vogla si dhe të përbashkëta mes punës së komisionit hetimor dhe procesit gjyqësor: Si komisioni, ashtu edhe procesi duhet të trajtojnë interesat e të afërmve të viktimave, për këtë është i bindur Ströbele. "Të dyja këto nivele sqarojnë ngjarjen historike përreth grupit NSU. Gjyqi përpiqet, t'u japë një përgjigje viktimave ndaj pyetjes, se përse janë vrarë të afërmit e tyre. Komisioni hetimor parlamentar heton, se kush ka faj edhe në aspektin politik, përveç autorëve të vrasjeve."

Komisioni hetimor i Bundestagut, fotografi nga seanca më 21.02.2013 në Berlin

Komisioni hetimor i Bundestagut, fotografi nga seanca më 21.02.2013 në Berlin

Edhe në Turingji kryhen hetime

Gjithashtu është edhe një tjetër komision hetimor që po heton. Ky komision është ngritur nga palermenti i landit të Turingjisë në Erfurt. Ky është i dyti nga gjithsej katër komisione parlamentare. Ky komision merr në pyetje punonjësit e Zyrës së landit të Mbrojtjes Kushtetuese si dhe një prokuror nga Gera. Në radhë të parë në këtë komision është përqëdnruar vëmendja tek veprimi i autoriteteve të sigurisë në kontekstin e kontrolleve që janë kryer në garazhin më 26 jana 1998. Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur sasi të mëdha lëndësh eksplozive. Megjithatë policia i la të largohen anëtarët e grupit NSU duke u dhënë atyre mundësinë që të dalin në ilegalitet.

Dirk Adams, i cili që nga viti 2009 është anëtar i parlamentit të landit të Turingjisë në grupin e partisë Aleanca 90 /Të Gjelbërit, është pjestar i komisionit hetimor. Në mars të vitit 1990 ai pati marrë pjesë në një grevë urie, për të fituar të drejtën e aksesit në dojet e shërbimit sekret të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë si dhe për të verifikuar figurën e deputetëve të kuvendit popullor. Komisioni hetimor i Turingjisë për rastin NSU ka marrë në pyetje rreth 50 dëshmitarë, në procesin e Mynihut do të merren në pyetje 600 dëshmitarë. "Unë shpresoj, që ne në komisionin hetimor do të mësojmë më shumë prej mbledhjes së dëshmive gjatë procesit", vlerëson Adams dobinë e zbardhjes juridike të rastit për punën në nivelin politik. "Në proces ka dhënë mbështetje një ekip prej 800 policësh, gjë që komisioni hetimor nuk mund ta përballojë", tërheq ai vëmendjen lidhur me mundësitë modeste që kanë deputetët e parlamentit të landit në Erfurt. "Atë që s'mund ta zbardhin gjyqtarët në Mynih, nuk do të mund ta zbardhë askush", thotë Adams.