1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo kriminel, por mjaft naiv!

Volker Wagener20 Dhjetor 2013

Gjykimi ndaj Christian Wulff për përfitime nga posti duket se nuk do të vërtetojë gjë. Ajo që mbetet është budallallëku në ushtrimin e detyrës, mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/1Adge
Fotografi: picture-alliance/dpa

Fjala është për rreth 750 euro. Një vizitë në Festën e Birrës në Mynih, një darkë, një faturë për një dhomë hoteli dhe kostot për babysitter për fëmijën e Wulff-ëve. Këto duhet t'i ketë paguar një producent filmi. Si shpërblim Christian Wulff duhet të jetë angazhuar që producenti të merrte fonde publike për të financuar një projekt filmi. E gjithë kjo ka ndodhur në vitin 2008, kur Wulff ishte ende kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme.

Juridikisht në rregull, por lënda pa instinkt

Procesi nuk ka mbaruar ende, por ata që janë pyetur deri tani për këtë çështje, nuk kanë mundur ta konfirmojnë, atë për të cilën e akuzon prokuroria ish-presidentin gjerman. Kryetari i trupit gjykues do ta shkurtojë tani procesin. Kjo është një etapë e parë fitoreje për Wulff-in. Por ai dhe prokurori duan të luftojnë deri në fund.

Christian Wulff mund të jetë i kënaqur. Ai dëshiron një pafajësi të pastër. Për të ky është minimumi pas rënies së tij të turpshme dhe të padenjë nga posti i presidentit. Fillimisht fillimi i gjykimit për korrupsion në Gjykatën e Qarkut në Hanover qe planifikuar për muajin prill, por argumentet e prokurorisë kërcënojnë të shëmben si një shtëpi letrash, pas marrjes në pyetje të 20 dëshmitarëve. Tani nuk mund të përcaktohet pa dyshim se kush ka paguar saktësisht çfarë dhe nëse Wulffi dinte gjë për këtë. Gjykata nuk mund të konstatojë në këtë mënyrë qartë nëse kemi të bëjmë me një pranim të vetëdijshëm dhe të qëllimshëm përfitimesh.

Reputacioni i ish-presidentit

Ligjërisht Wulff-i po del përsëri i larë. Kjo është e rëndësishme për të, i cili është vetë me profesioin jurist, dhe një gjë që sigurisht kontribuon në një farë mënyre edhe për rehabilitimin e pjesshëm të tij. Por asgjë më shumë. Ajo që nuk mund të rikuperohet është reputacioni i politikanit Wulff. Ekspozimi i tij në botën e të pasurve dhe të famshmëve në kohën kur qe kryeministër kishte diçka të ngathët dhe naive. Wulff rrjedh nga një familje modeste. Dhe kishte rënë shumë shpesh pre e tundimeve ndaj të cilave qe i ekspozuar. Ai nuk qe më në gjendje të bënte dallimin mes asaj që lejohej dhe nuk lejohej të pranonte nga miqtë duke qenë në postin e kryeministrit të landit të Saksonisë së Poshtme. Madje mund të thuhet se atij i mungonte - edhe pse në mes të jetës - pjekuria për të njohur kufijtë. Kufijtë, pas së cilave fshihen rreziqe. Në këtë rast, ai ta në grackë dhe kjo është më shumë se një proçkë për një politikan të lartë.

Fund një loje të padenjë

Christian Wulff, i cili në fakt është një njeri i dashur dhe miqësor, u përball edhe vetëm për shkak të fundit të tij të turpshëm si president i Gjermanisë me turp dhe sharje. Procesi dhe shpallja me sa duket i pafajshëm, do t'i mundësojnë Wulff-it sërish t'i kthehet normalitetit si në jetën private edhe profesionale. Kjo është e mirë për të.

E mirë për ndërgjegjen publike është korrigjimi i raporteve. Wulff-i ishte, pavarësisht gabimeve të tij personale, edhe viktimë e shtypit tabloid-bulevardesk. Për vite të tëra ky shtyp i kishte bërë atij temena, dhe pastaj e ktheu pa mëshirë në një tabelë qitjesh politike. Edhe prokuroria ka vetë gabuar udhë. Kërkesa për të filluar një proces që duhet të zgjasë 22 ditë dhe hetimi e shqyrtimi i mijëra faqeve dokumente për 750 euro e tejkalon çdo lloj mase. Sidomos kur në fund nuk mbetet asgjë nga hipoteza e një skandali të madh të "presidentit të korruptuar". Megjithatë si politikan në skenën e madhe publike mund të digjesh jo vetëm për shkaqe formale ligjore, për këtë mjafton edhe racion i madh budallallku në ushtrimin e detyrës.