1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi ndaj afaristit Schreiber nuk fillon para zgjedhjeve

Angjelina Verbica4 Gusht 2009

Pikërisht për arsyen se lobiizmi është pjesë e së përditshmes politike në Berlin, do të ishte një sinjal i mirë, sikur të zbuloheshin komplet lidhjet e Karlheinz Schreiberit me politikën.

https://p.dw.com/p/J3CN
Karlheinz SchreiberFotografi: AP

"Kölnische Rundschau"

"Nga skandali i donacioneve të CDU-së, i lidhur aq ngushtë me emrin Schreiber, janë nxjerrë mësime . Financimi i partive është bërë më transparent, deklarimi më strikt. Këto janë si të thuash mësimet nga e kaluara. Por kthimi i Schreiberit të kujton edhe që gjërat nuk janë sqaruar. Përderisa kancelari i vjetër Kohl merr të drejtën, që të heshtë për emrat e donatorëve, shqetësimi mbetet dhe zemërimi i vjetër zgjohet përsëri."

"Märkische Oderzeitung"

"Ekzistojnë shanset që me paraqitjen e provave në gjyq të dalin tregues të tjerë, që mund të paraqisnin interes për komisionin parlametar tö kontrollit. Atëherë si Unioni ashtu edhe Partia Liberale do të kenë para vetes kohë të vështira. Edhe pse Angela Merkel e nxori jashtë politikës ish-mentorin e saj Helmut Kohl për shkak të sjelljes së tij, që po dëmtonte partinë, nuk ka shkak që një komision i ri të mos i sqarojë detajet e panjohura të aferës së donacioneve të CDU-së. Pikërisht për arsyen se lobiizmi është pjesë e së përditshmes politike në Berlin, do të ishte një sinjal i mirë, sikur të zbuloheshin komplet lidhjet e Karlheinz Schreiberit me politikën. Sepse pavarësisht në se është industria farmaceutike, ajo e automobilëve, apo e armatimit, ata të gjithë përpiqen që të arrijnë qëllimet e tyre në kryeqytet duke anashkaluar rregullave të demokracisë."

"Ostsee Zeitung"

"Në fund ishte ministrja socialdemokrate e Drejtësisë, që bëri presionin e duhur në Kanadanë e largët për të sjellë në Gjermani "ndihmësin elektoral pa dashje të socialdemokratëve", siç e quan veten Schreiber. Natyrisht në "emër të popullit". Edhe pse procesi kundër ndërmjetësit të dikurshëm mes politikës dhe bisnesit të madh nuk do të zhvillohet dot para zgjedhjeve parlamentare, PSD mund të fërkojë duart. Kryetari i partisë, Franz Müntefering, e ka përshkruar procedurën e mëtejme në rastin Schreiber me këto fjalë: "Për të ardhur erë vjen diku tjetër. Ne duhet vetëm të bëjmë, që njerëzit të kuptojnë se prej nga vjen aroma." Dhe ajo vjen disi nga qoshja, ku ndodhet Unioni."

Autor: Angjelina Verbica

Redaktoi: Fabian Schmidt