1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Procesi i pavarësisë së Kosovës nuk mund të kthehet mbrapsht

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë vazhduan argumentimet pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë të hënë, argumentet e tyre i paraqitën Kina, Qipro, Kroacia dhe Danimarka.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Është hera e parë që Kina merr pjesë në një proces para kësaj Gjykate, që do të thotë se i kushton një vëmendje të posaçme vlerësimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Kështu u shpreh Xue Hanqin, ambasadore e Kinës në Organizatën e kombeve të Azisë Juglindore dhe këshilltare në ministrinë e Jashtme, duke shtuar se: „Kina është e mendimit se vlerësimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës është i një rëndësie të veçantë për paqën dhe stabilitetin në Ballkan dhe të drejtën ndërkombëtare.“

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë vazhduan argumentimet pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë vazhduan argumentimet pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Kina : Deklarata e pavarësisë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Përfaqësuesja e Kinës theksoi se Rezoluta 1244 e KS të OKB-së parashikon ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë dhe vetëm për këtë shkak është votuar edhe prej Kinës. Pekini zyrtar insiston në respektimin e Kartës së OKB-së si dhe integritetit territorial dhe sovranitetit të vendeve. Kina është e mendimit se me zgjidhjen për statusin duhet të pajtohen të gjitha palët, pra edhe Serbia. Deklarata e pavarësisë, sipas saj, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket të drejtës së vetvendosjes, Xue Hanqin ishte e mendimit se kjo i takon vetëm vendeve të kolonizuara dhe të okupuara nga jashtë, por jo edhe kosovarëve. Më në fund ajo theksoi se Deklarata e pavarësisë nuk mund të jetë relevante vetëm për faktin që këtë vend e kanë njohur më shumë se 60 shtete. Kina është e interesuar për një zgjidhje paqësore, e cila do të siguronte bashkëjetesën paqësore të gjithë popujve, e kjo mund të arrihet vetëm me marrëveshnje dhe dialog, theksoi ambasadorja kineze.

Qipro : vetëvendosja vlen vetëm për popuj

Pavarësinë e Kosovës kundërshtoi edhe përfaqësuesi i Qipros , Vaughan Lowe, profesor i të drejtës ndërkombëtare. Ai theksoi se Kosova ka shkelur me rastin e shpalljes së pavarësisë disa fakte të rëndësishme. „Së pari, në vitin 1999 Kosova ishte pjesë e Serbisë. E dyta, në qershor të vitit 1999 administrimi i Serbisë mbi Kosovën është zhvendosur tek adminsitrata ndërkombëtare. E treta, në shkurt të vitit 2008 Kosova ende ishte pjesë e Serbisë. Dhe katër, Deklarata e pavarësisë është shpallur në një pjesë të territorit të Serbisë, pa pëlqimin e qeverisë serbe“, theksoi ai.

Përfaqësuesit e Qipros e krahasuan rastin e Kosovës me pjesën veriore të Qipros të okupuar nga forcat turke. Sipas tyre, parimi i vetvendosjes vlen vetëm për popujt e jo edhe për minoritete, siç e quajtën popullin e Kosovës.

Kroacia : Deklarata e pavarësisë i kontribuon stabilitetit

Kurse përfaqësuesja e Kroacisë, Andreja Metelko Zgombiq, ambasadore dhe këshilltare në ministrinë e Jashtme dhe të integrimeve evropiane, theksoi se për shqyrtimin e këtij rasti shumë të rëndësishme janë disa elemente. Kosova ishte pjesë e Federatës Jugosllave, autonomia e saj kushtetuese është hequr në vitin 1989 me dhunë, Serbia ka ushtruar dhunë sistematike dhe ka bërë diskriminimin e kosovarë gjatë viteve 90-të, ndërkohë që Deklarata e pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Përfaqësuesja e Kroacisë shpjegoi gjerësisht procesin e shkatërrimit të ish – Jugosllavisë dhe efektet juridike që Kosovës i japin të drejtën e pavarësisë. „Konstatojmë se dhunimi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovëss dhe dhuna sistematike e ushtruar ndaj tyre nga Republika Federative e Jugosllavisë janë një element jastëzakonisht i rëndësishëm që duhet të merret parasysh kur trajtohet kjo çështje," theksoi ajo.

Delegacioni serb në Hagë.

Delegacioni serb në Hagë.

Serbia ka ushtruar dhunë ndaj rezistencës paqësore. Diskriminimi është dënuar edhe prej bashkësisë ndërkombëtare, që në fillim të viteve 90-ta. Kroacia është e bindur se Deklarata e pavarësisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, sepse ajo bazohet mbi vullnetin e popullit të Kosovës dhe është nënshkruar prej të gjithë përfaqësuesve në parlament. Kroacia është e bindur se deklarata e pavarësisë i kontribuon stabilitetit dhe paqës në rajon.

Danimarka : Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

Edhe përfaqësuesi i Danimarkës ishte i mendimit se pavarësia është shpallur në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Thomas ëinkler zëvendëssekretar i ministrisë së Jashtme, theksoi se Danimarka ka insistuar që zgjidhja të bëhet me dialog, por negociatat me ndërmjetësimin e Marti Ahtisarit dhe Trojkës, për fat të keq dështuan, ndërkohë që status quoja e atëhershme ishte e paqëndrueshme. Kosova është rast i veçantë dhe nuk mund të përdoret si precedencë. Dy janë shkaqet që atë e bëjnë të veçantë: dhuna dhe prezenca ndërkombëtare sa i dhe statusi i Kosovës brenda Jugosllavisë.

Thomas Winkler në fund theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të kenë edhe perspektivën evropiane, duke shtuar se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk mund të kthehet mbrapsht.

Autor : Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 07.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Krx3
  • Data 07.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Krx3