1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Procese të shkurtra azili, kujdes mjekësor dhe bashkim familjar- BE planifikon sistem të njësuar azili

Be kërkon që deri në vitin 2012 të verë në jetë sistem të njësuar azili. Procese të thjeshta dhe të shkurtra do të lehtësojnë gjendjen e refugjatëve.

BE planifikon sistem të njësuar azili

BE planifikon sistem të njësuar azili

Ministrat e Brendshëm të BE-së diskutojnë ditën e enjte në Bruksel për të drejtën e azilit në Bashkimin Evropian. Arsyeja e takimit janë planet e BE-së që deri në vitin 2012 të ngrejë një sistem të njësuar azili. Propozimet e reja prekin trajtimin e kërkesave të azilit brenda gjashtë muajsh si edhe lënien e minorenëve pranë motrave dhe vëllezërve.

Markim Sodschi vjen nga Togo, banon prej vitesh në Gjermani dhe punon si këshilltar në sektorin e pranimit të refugjatëve në Lauenburg në Gjermaninë veriore. Tek ai shkojnë ata që kanë paraqitur kërkesën për azil dhe vazhdojnë të jetojnë në pasiguri. "Çfarë do të ndodhë me mua, a kam një shans të më njihet azili, do të merrem apo jo që orët e para të mëngjesit nga policia për t'u kthyer në vendlindje. Të gjitha këto pyetje vërtiten në mendjet e azilkërkuesve dhe kjo i shkatërron njerëzit, totalisht."

Të jetosh në pasiguri

Këtë gjendje do ta shkurtojë Komisioni Evropian. Refugjatët do të marrin përgjigje nëse u njihet apo jo azili, gjashtë muaj pas shtrimit të kërkesës. Aktualisht, sipas të dhënave të Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët, në Gjermani zgjat deri në tetë muaj mbërritja e përgjigjes së parë të autoriteteve lidhur me kërkesën për azil, shpeshherë më gjatë.

Një vendim i shpejtë - ky është vetëm një aspekt i rregullave të azilit, që do të duhet të vlenin për të gjithë Evropën, rregulla që do t'i diskutojnë ministrat e Brendshëm të BE në takimin e tyre të së enjtes. Komisioni përpiqet të qetësojë Gjermaninë, ky vend i përmbush standartet e larta, fjala është për vende të tjera, si për shembull Greqia. Në këtë vend ndodh që autoritetet i mbajnë edhe në burg azilantët.

BE do të fusë edhe një rregull të ri

Që azilkërkuesit të lejohen të punojnë që pas gjashtë muajsh, tjetra, që atyre t'u garantohet përkthyes që në bisedën e parë për shtrimin e kërkesës.

Komisionerja e BE për çështjet e brendshme, Malmström angazhohet për të drejtat e fëmijëve, që kanë lënë vendin pa prindërit e tyre. 50.000 deri në 100.000 minorenë në vit braktisin familjet, sipas të dhënave të Komisionit pa familjet e tyre, për shkak të luftës apo varfërisë. "Një prioritet është gjetja e familjeve të këtyre fëmijëve, sigurimi i kushteve të kthimit, lejimi i ribashkimit me të afërmit - po qe së kjo është në të mirë të fëmijëve."

Komisioni hodhi poshtë njoftimet e mediave gjermane, sipas të cilave procedimi i shpejtë i azilit në aeroportet gjermane bie ndesh me propozimet e Komisionit. Në Gjermani azilkërkuesit mund të pyeten në territorin e tranzitit dhe të kthehen para se të shkelin tokën gjermane.

Komisioni do të arrijë një sistem të njësuar azili në të gjithë Evropën deri në vitin 2010. Duke pasur parasysh kundërshtimet nga disa vende anëtare, ky afat duket një plan shumë ambicioz për t'u arritur.

Autor: Christoph Prössl/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJYF
  • Data 15.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJYF