1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Proces për krime lufte kundër një të kthyeri nga Siria

Për herë të parë duhet të përgjigjet para gjyqit në Gjermani për krime lufte një i kthyer nga Siria. Aria L. e akuzojnë se ka bërë në Siri fotografi para kokave të prera të të vrarëve.

Aria L. shtetas gjerman - udhëtoi sipas akuzës në pranverë 2014 në Siri, për t'u bashkuar me milicët islamikë. Besohet se ai është ushtruar atje si të përdorë armë dhe ka marrë pjesë në luftën e armatosur kundër regjimit të pushtetmbajtësit Assad.

Akuza përqendrohet në një ngjarje: në mes të prillit 2014, 21 vjeçari i sotëm ka bërë një fotografi para dy kokave të prera të dy njerëzve të vrarë - fotografi që ai i postoi më vonë në Facebook. Kokat e të vrarëve qenë vendosur në shufra metali, si trofe. Aria L. "në bazë të së drejtës ndërkombëtare ka trajtuar njerëz që duhen mbrojtur në kundërshtim me dinjitetin dhe në mënyrë poshtëruese", kështu e sheh Prokuroria Federale. Prandaj ajo ka ngritur aktpadi për krime luftë kundër Aria L. Procesi gjyqësor para Gjykatës së Lartë të Landit në Frankfurt mbi Main filloi të martën.

Foto rrënqethëse në Facebook

Për të paditurin nuk dihet shumë. Në bazë të informacioneve të medieve ai besohet se është radikalizuar në skenën salafiste në zonën Rhein-Main - një nga qendrat e salafizmit në Gjermani. Pasoi një udhëtim pelegrinazhi në Mekë, një emër i ri dhe pastaj nisja për në Xhihad.

Një model i njohur. "Skena salafiste di si t'i keqpërdorë të rinjtë", thotë Thomas Mücke, shef i Violence Prevention Network. Kjo shoqatë mbështet prindërit, fëmijët e të cilëve radikalizohen dhe punon me ata që kthehen nga Siria. "Shumica rekrutohen në grupin e shokëve bashkëmoshatarë", thotë Mücke. "Ata janë në kërkim të një mbështetjeje, të orientimit, të komunitetit. Të gjitha këto ata besojnë se i gjejnë tek ekstremistët." Pasi shkojnë në luftën civile, shumë përjetojnë një shok përballë realitetit. Presioni për t'u bindur megjithatë është gjigand. Por Mücke shton: "Ai që kryen akte të rënda dhune në Siri, ai ka qenë që para se të niste udhëtimin i gatshëm për dhunë dhe njeri brutal."

Duar të lyera me gjak?

Por që të vërtetosh se cili nga personat që kthehet i ka "lyer vërtet duart me gjak", siç e formuloi para pak kohësh Prokurori i Përgjithshëm i Gjermanisë, Peter Frank, është jashtëzakonisht e vështirë. Problemi konsiston në sigurimin e dëshmive nga zona e luftimeve në Siri. Ndërkohë janë katër sektorë të Prokurorisë Federale që merren kryesisht me xhihadistë gjermanë në Siri. Vendimet e para janë marrë tashmë, por vala e proceseve do të nisë plotësisht këtë vit. Aktualisht po zhvillohen rreth 130 procese gjyqësore kundër 200 personave të akuzuar.

"Kur ka të dhëna për krime lufte, drejtësia gjermane duhet të veprojë", thotë juristi berlinez i së drejtës ndërkombëtare, Christian Tomuschat. "Pavarësisht nëse i akuzuari është shtetas gjerman dhe pavarësisht vendit ku u krye krimi. "Por proceset gjyqësore kërkojnë angazhim të madh dhe janë të vështira", thekson Tomuschat. "Ato e mbingarkojnë administratën e drejtësisë". Dëshmitarë duhet të sillen nga zona e luftimeve në Gjermani, të porositen përkthyes, të prenotohen hotele. "Askush nuk e bën me padurim një punë të tillë", thotë Tomuschat.