1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Procedimi i duhur me anijen e fundosur, tepër i rëndësishëm për sigurinë në Azinë Verilindore - Samiti në Cheju

Takimi rajonal i kryeministrave të Kinës dhe Japonisë, Wen dhe Hatoyama me presidentin e Koresë së Jugut, Lee përfundoi të dielën (30.05) në Cheju. Në qendër të bisedimeve dyditore ishte Koreja e Veriut.

default

Presidenti Lee Myung-Bak me këshilltarët e tij ushtarakë pas incidentit të anijes së fundosur koreanojugore

Në konferencën e tyre përmbyllëse, të përbashkët, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Republikës Popullore të Kinës thanë të dielën në mesditë se trajtimi si duhet i incidentit të fundosjes së anijes patrulluese është i rëndësishëm për sigurinë në Azinë Verilindore. Kryeministri i Kinës, theksoi veç kësaj se ekziston një interes i drejtpërdrejtë për uljen e tensioneve rajonale. Në të njëjtën kohë, tri ministrat e jashtëm nënshkruan një dokument, i cili parashikon krijimin e një sekretariati të përhershëm - duke i dhënë forumit rajonal një formë të parë organizative.

Koreja e Veriut sundoi takimin tripalësh

Që prej vitit 2008 njëherë në vit zhvillohet një takim tripalësh, për të thelluar bashkëpunimet midis Koresë së Jugut, Japonisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Por këtë herë, tema mbizotëruese ishte Koreja e Veriut. Që në fillim të takimit dyditor të nivelit të lartë, shefat e shteteve dhe të qeverive përkujtuan në heshtje 46 ushtarët e vrarë të marinës koreanojugore. Kryeministri i Japonisë, Hatoyama theksoi: "Unë mendoj që është e qartë, se për këtë rast përgjegjëse është Koreja e Veriut. Japonia do të japë kontributin e saj, kur të vijë fjala për përgjigjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj kësaj ngjarjeje."

Südkorea Marine Militär Taenan Flash-Galerie

Anijet koreanojugore patrullojnë pas incidentit

Republika Popullore e Kinës, aleatja më e ngushtë e Koresë së Veriut, deri tani nuk është shprehur publikisht për faktin se kush mund ta ketë fundosur në fund të marsit anijen patrulluese "Cheonan". Një komision hetimor me ekspertë nga Koreja e Jugut, SHBA, Britania e Madhe, Australia dhe Suedia bëri më 20 maj Korenë e Veriut përgjegjëse për incidentin. Anija është fundosur nga një silurë koreanoveriore, u bë e ditur. Pas kësaj, shumë shtete e dënuan ashpër këtë akt terrorist.

Kina deklaron se do të vlerësojë dhe verifikojë rezultatet

Kryeministri Hatoyama deklaroi në Cheju: "Situata aktuale në Gadishullin Korean kërkon përpjekje të përbashkëta të Japonisë, Koresë së Jugut dhe Kinës. Prandaj unë dëshiroj të bashkëpunoj shumë ngushtë me kryeministrin e Kinës, Wen Jiabao.

Premierminister China Wen Jiabao

Wen Jiabao

Por kryeministri kinez iu përmbajt qendrimit të tij të deritashëm, se në asnjë mënyrë nuk do të mbrohen përgjegjësit, por rezultatet do të verifikohen dhe do të vlerësohen. Republika Popullore e Kinës ka një pozicion kyç në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si fuqi me të drejtë vetoje, kur Koreja e Veriut ta sjellë këtë rast javën e ardhshme para këtij organi. Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Koresë së Veriut. Raporti midis të dyja vendeve megjithatë kohët e fundit duket se është ftohur, gjë që besohet se e bëri së fundi udhëheqësin autoritar të Koresë së Veriut, Kim Jong ta shkurtojë vizitën e tij në Kinë.

Koreja e Veriut kundërshton çdo lloj përfshirjeje në fundosjen e anijes patrulluese koreanoveriore. Të premten, Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes, organi më i rëndësishëm politik i Koresë së Veriut mbajti për herë të parë një konferencë shtypi dhe i hodhi poshtë akuzat. Akuzat e Koresë së Jugut janë kaq të rënda, sa në çdo kohë mund të shpërthejë lufta, deklaroi Drejtori i sektorit politik të Komitetit të Mbrojtjes të Koresë së Veriut.

Autor: Peter Kujath/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 31.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ndtp
  • Data 31.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ndtp