1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemi Siri - Turqi dhe sfidat e mundshme për Ankaranë në 2013

Thomas Seibert / Pandeli Pani22 Dhjetor 2012

Ankaraja nuk mund t'ia dalë e vetme me përpjekjet e saj për pasur rolin e një fuqie rajonale. 2013 mund të sjellë sfida të reja për Ankaranë.

https://p.dw.com/p/177lE
Fotografi: picture alliance / dpa

Pas gati dy vjet krize në Sirinë fqinjë diplomatët turq vetëm tundin kokën lidhur me qëndrimin e presidentit Bashar al-Asad. Damasku "ende nuk i ka kuptuar shenjat e kohës", thotë një zyrtar i lartë nga Ankaraja. Madje edhe Rusia po largohet me kujdes nga Assadi. Qeveria turke është e sigurt se regjimit të Assadit po i vjen fundi. Por mundësitë e Turqisë për të ndikuar në ngjarjet e vendit fqinjë janë të kufizuara. Ankaraja nuk arriti as vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi veriun e Sirisë, dhe Turqia nuk ishte as në gjendje të unifikonte opozitën siriane në territorin e saj.

Syrien Türkei Angriff auf Akcakale Beerdigung
Sulmi në Akcakale në Turqi, kortezh i përmortshëm për viktimat, 04.10.2012Fotografi: AFP/GettyImages

Goditje me artileri dhe sisteme mbrojtëse

Turqia ka me Sirinë një kufi 900 km të gjatë dhe prandaj ajo vuan seriozisht nga lufta civile në vendin fqinj. Rreth 200.000 refugjatë sirianë janë strehuar deri tani në Turqi. Afro 140.000 sirianë gjenden në kampet e refugjatëve turke në zonën kufitare të strehimit, rreth 50.000 të tjerë jetojnë jashtë kampeve tek të afërmit apo në banesa me qira. Prej granatave nga Siria në Turqi u vranë në tetor pesë civilë turq, para katër muajsh vdiqën dy pilotë të një avioni zbulimi turk që u rrëzua nga sirianët mbi Mesdheun Lindor.

Por partnerët perëndimorë e paralajmërojnë vazhdimisht Turqinë që të tregohet e përmbajtur: kërcënimet nga qeveria turke për veprime ushtarake në Siri nuk gjejnë mirëkuptim tek aleatët e NATO-s. Ata kanë frikë se mund të ketë ndonjë përshkallëzim të gjendjes. Prandaj NATO theksoi në fund të vitit përsëri karakterin thjesht mbrojtës për vendimin për të dërguar sistemet e mbrojtjes Patriot kundër sulmeve të mundshme me raketa nga Siria për në Turqi.

Türkische Truppen Grenze Syrien
Kufiri turko - sirian, patrullim i trupave turkeFotografi: Bulent Kilic/AFP/Getty Images

Opozita siriane largon qendrën e saj nga Turqia

Turqia pati pak fat edhe në përpjekjet për të bashkuar opozitën siriane në mërgim e cila është e përçarë. Pas një ndryshimi në krye të organizatës ombrellë Këshillit Kombëtar Sirian, formacioni i ri, Koalicioni Kombëtar Sirian zgjodhi si seli të saj jo Turqinë, por Egjiptin.

Edhe në vitin e ri konflikti sirian do të mbetet një çështje e rëndësishme në politikën e jashtme turke. Çështja e projektimit të kohës pas fundit të regjimit Asad do të jetë në plan të parë. Si komb eksportues, Turqia është e interesuar për kthimin e shpejtë të rendit dhe qetësisë në vendin fqinj, një shtet i dështuar apo një regjim radikal islamik në prag të portave turke është për planifikuesit në kryeqytetin turk një skenar makthi. Në vitin 2013, përpjekjet e Turqisë si fuqi rajonale do të synojnë të parandalojnë këto lloj zhvillimesh. Përvojat e 2012 tregojnë se Ankaraja nuk mund t'ia dalë e vetme me përpjekjet e saj për pasur rolin e një fuqie rajonale.