1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Problemi i vogël i likuiditetit" të Athinës

Po e humbet Gjermania për grekët imazhin e të qënit armik? Para takimit të kryeministrit Cipras me kancelaren gjermane Merkel Spanja përjashtoi pagesat e veçanta të BE për Athinën. Për Greqinë situata është serioze.

Paratë e Greqisë mjaftojnë sa për të paguar këstin e fundit të për FMN-në më 20 mars. Këtë e pohuan zyrtarët e BE-së në kuadër të samitit. Por nëse qeveria këtë javë ka edhe rreth 1.5 miliard euro, që duhen paguar në fund të muajit për pagat në sektorin publik dhe pensionet, dukej e dyshimtë.

Një letër, që Alexis Cipras i ka dërguar Angela Merkelit me 15 mars, e bërë tani publike, tregon se qeveria e tij ishte në dijeni për rrezikun e katastrofës që në mesin e muajit. Në letër kryeministri grek paralajmëron se atij do t'i duhet të zgjedhë në mes të shlyerjes së borxhit ndaj FMN-së dhe pagesës së rrogave dhe ndihmave sociale me përafërsisht të njëjtën shumë.

Tsipras bën fajtor në rradhë të parë Bankën Qendrore Evropiane për situatën e vështirë: "Duhet bërë e qartë, se kufizimet e posaçme të lidhura me vonesën e pagesave (nga programi i ndihmës së BE-së) do ta bënin të pamundur për çdo qeveri pagesën e borxhit", citon gazeta greke "Ekathimerini". Cipras i referohet kështu hezitimit të BQE, për t'i lejuar vendit një kufi më të lartë për bonot qeveritare.

I shkëputur nga tregu financiar

Athina mund ta rifinancojë vetën vetëm përmes të ashtuquajturave t-bills për kreditorët privatë. Për lëshimin e bonove afatshkurtra qeverisë i duhet edhe miratimi i BQE. "Duke u nisur nga fakti se Greqia nuk ka qasje në tregun financiar e duke patur parasysh shifrat e larta të pagesave tona në pranverë dhe verë", tha Tsipras, "kthimi i borxheve do të çonte në përkeqesimin e gjendjes gjithsesi të tensionuar sociale në vend, gjë të cilën ai nuk do ta lejojë."

Për lejimin e bonove shtetërore Athinës i duhet miratimi i BQE-së

Për lejimin e bonove shtetërore Athinës i duhet miratimi i BQE-së

Cipras kërkon nga Merkel në letër, "që të mos lejojë, që një problem i vogël likuiditeti" të bëhet një problem i madh për Greqinë dhe Evropën. Atë që Cipras e quan lirisht një "problem të vogël të likuiditetit," është për Greqinë në fakt një lloj skenari horrori: Shteti ka shpenzime fikse prej rreth 3.5 miliardësh në muaj, të përbëra nga pagat dhe pensionet, ndihmat sociale dhe një pjesë më e vogël nga shpenzime të tjera.

Deri tani Athina e ka ndihmuar veten duke i shtyrë këto të fundit: faturat e vjetra të qirave, blerjet dhe gjërat e ngjashme thjesht nuk paguhen. Vetëm FMN-së duhet t'i paguhen në prill rreth një gjysmë miliard euro dhe në maj duhet të paguhen gati një miliard euro borxhe. Të ashtuquajturat t-bills arrijnë në prill shumën e 3,8 miliardë eurove.

Debitorët e taksave shpresojnë për ulje të tjera

Përballë shpenzimeve të larta kemi edhe të ardhurat e shtetit grek, të cilat aktualisht nuk është e lehtë të përcaktohen saktësisht. Një gjë është e qartë se të ardhurat nga tatimet që nga dhjetori janë 14 për qind më poshtë nga ç' pritej. Arsyeja është së shumë grekë nuk paguajnë ende, sepse presin zbritje të tjera.

Performanca ekonomike e vendit ka rënë në tremujorin e fundit të vitit 2014 me 0,4 përqind. Duke patur parasysh turbullirat aktuale tendenca negative mund të vazhdojë. Kuptohet se Greqia mund t'i paguajë borxhet vetëm, nëse vendi shënon rritje ekonomike.

Jahtet në portin e Mykonos: Debitorët e taksave shpresojnë për ulje të tjera

Jahtet në portin e Mykonos: Debitorët e taksave shpresojnë për ulje të tjera

Duke patur parasysh situatën e tensionuar, Komisioni i BE-së propozon tani ashpërsimin e tonit ndaj Athinës: "Pas takimit javën e kaluar Greqia është zotuar të përshpejtojë punën", tha zëdhënësja Margaritas Shinas. Tani pritet lista e premtuar e reformave (...), dhe vullneti i fortë politik nuk mjafton", ne duhet të shohim veprime dhe progres. Për qeverinë greke ka ardhur koha e të punuarit fort.

Reagimi është një sinjal se edhe simpatitë e Komisionit të BE-së, i cili deri tani kërkonte durim me Greqinë, kanë marrë fund për shkak të veprimeve joefektive dhe hezituese të Aleksis Cipras dhe ministrave të tij. Por kjo nuk është e gjitha: Shpresat e kryeministrit grek që Angela Merkel do t'i ndihmojë për një pagesë të parakohshme nga fondet e BE-së, mund të shkatërroheshin diku tjetër.

Ministri spanjoll i financave Luis de Guindos refuzoi kategorikisht në një intervistë me gazetën "Financial Times", që Eurogrupi t'i paguajë "paraprakisht" Greqisë nga programi aktual i ndihmës. Nuk do të ketë para pa u pranuar dhe zbatuar reformat, deklaroi ai.

De Guindos thekson përveç kësaj, se në këtë çështje nuk ka "përçarje" (në Eurogrup): "Kjo nuk ekziston, megjithë përpjekjet greke për të shfrytëzuar dallimet e mundshme, por ata nuk ekzistojnë." De Guindos kërkoi nga qeveria në Athinë që të kthehet në kursin e rritjes ekonomike të qeverisë së mëparshme konservatore. Një propozim, që mund ta kalojë zemërimin e qeverisë greke nga Berlini në Madrid.