1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemi i energjisë në veri mund të provokojë tensione në Kosovë

31 Tetor 2009

Elektroekonomia e Serbisë po furnizon me energji elektrike serbët e pjesës veriore të Kosovës. Korporata Energjetike e Kosovës thotë se kjo është shkelje ligjore dhe ndërhyrje e shtetit serb.

https://p.dw.com/p/KJn1
Ndërtesa e Parlamentit në Prishtinë
Ndërtesa e Parlamentit në PrishtinëFotografi: DW

Korporata Elektroenergjetike e Kosovës, ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike të komplet pjesës veriore të Kosovës për shkak të ndërhyrjeve në shpërndarje nga ana e serbëve të kësaj ane pjesë e strukturave paralele të Serbisë. Mirëpo, pjesa veriore e Kosovës e dominuar nga serbët megjithatë nuk ka mbetur pa energji elektrike. Furnizimi tani po bëhet nga Elektroekonomia e Serbisë. Nga institucionet e Kosovës kjo cilësohet si ndërhyrje e paligjshme e një shteti fqinjë. Përfaqësuesit serbë të pjesës veriore të Kosovës thonë se ndërprerja e energjisë nga ana e KEK-ut është bërë për arsye politike, mirëpo, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, hedhë poshtë këto pohime:

Shqetësime për furnizimin me energji elektrike në veri

"Kemi nje rënje të dhunshme të rrjetit për shkak të mbingarkesave, sepse operatorët në veri të Kosovës nuk kanë respektuar urdhëresat e KEK-ut se si të bëhet shpërndarja e energjisë elektrike", thotë Viktor Buzhala.

Shtylla të energjisë elektrike
Shtylla të energjisë elektrikeFotografi: AP

Menjëherë pas ndërprerjes së energjisë elektrike të pjesës veriore nga ana e KEK-ut, Elektroekonomia e Serbisë filloi furnizimin me energji të kësaj pjese. Korporata serbe që nga përfundimi i luftës vazhdon të mbajë në punë edhe në Kosovë punonjësit e saj, ndërsa, qytetarët serbë të kësaj pjesë prej dhjetë vjetësh nuk paguajnë enegjinë elektrike, edhe pse deri tani ata janë furnizuar me energji nga KEK-së. Drejtori i elektroekonomisë së Serbisë për Kosovën, Radoje Kreckoviq, thotë se serbët do të fillojnë t’i paguajnë faturat për energjinë e shpenzuar së shpejti, por jo KEK-ut.

"Banorët serbë të pjesës veriore të Kosovës do të paguajnë energjinë elektrike.Dhe që të jem më i saktë, do t’ia paguajnë Elektro-ekonomisë së Serbisë", thotë Kreckoviq.

Mirëpo, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se Elektroekonomia e Serbisë nuk ka të drejtë të faturojë shpenzimin e enegjisë elektrike në Kosovë.

KEK-u i vetmi operator furnizimi me energji elektrike

"KEK-u është i vetmi operator për furnizimin me energji elektrike në Kosovës. Çdo veprim tjetër është ilegal".

Buzhala thekson më tej se KEK-u tashmë po mbledhë informacione, nëse ka pasur ndërhyrje të qëllimshme nga ana e Elektroekonomisë së Serbisë në rrjetin elektrik të pjesës veriore të Kosovës që për pasojë shkaktoi avarinë e ditëve më parë. Sidoqoftë, gjendja e krijuar rreth furnizimit me energji elektrike të pjesës veriore të Kosovës nga ana e Serbisë dhe kundërshtimit që bëhët nga KEK-u, ka ngritur shqetësime edhe tek forcat paqeruajtëse. Krerët ushtararakë të KFOR-it, thonë se është e domosdoshme gjetja e një zgjidhje të shpejtë për këtë problem, meqë, sipas tyre, kjo mund të ndikojë në ngritjen e tensioneve ndëretnike.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi