1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Problemet me migrantët në Rusi

Shumë arrestime dhe të lënduar, bastisje dhe protesta kundër migrantëve - ky është bilanci i demonstratave dhe mllefit të fundit për shkak të vrasjes së një të riu rus. Deri tani nuk duket ndonjë zgjidhje në horizont.

Biruljovo është një lagje në jug të Moskës me një pazar të madh fruta-perimesh midis lagjes. Tregu është plotësisht në duart e migrantëve me origjinë kryesisht nga Kaukazi apo Azia Qendrore. Disa kanë leje për punë e disa jo. Shumë banorë të Moskës kanë filluar të shqetësohen për këtë fakt.
Të dielën (13.10.2013) situata është shkallëzuar. Rreth 5000 banorë, ndër ta edhe shumë nacionalistë, kanë protestuar në rrugë. Ata kërkonin mbylljen e tregut, ashpërsimin e masave kundër migrantëve dhe në radhë të parë zbardhjen e vrasjes së një rusi të ri, i cili duket se ëshë vrarë prej një migranti.
Vrasja shkaktoi protestat

Pamje nga aksioni policor në tregun e Moskës (14.10.2013)

Pamje nga aksioni policor në tregun e Moskës (14.10.2013)

Të enjten e kaluar (10.10.2013) 25 vjeçari Jegor Shqerbanov ishte me shoqen e tij në rrugë për në shtëpi, kur e sulmoi një i panjohur me thikë dhe e vrau. Shoqja e tij dhe kamerat dëshmojnë se sulmuesi është me origjinë nga Kaukazi. Pasi policia ende nuk e ka gjetur vrasësin, banorët kanë dalë në protesta. Në fillim protestat ishin të qeta, por më vonë dhuna shkallëzoi. U dëgjuan edhe parulla nacionaliste si: "Rusia është e rusëve". Ka pasur përplasje të dhunshme edhe me policinë. Rreth 400 demonstrues janë arrestuar.
A ka përndjekje etnike?
Ishte ky një aksion i nacionalistëve apo demonstratë spontane e qytetarëve? "Të dyja", mendon drejtori i Qendrës për Studime dhe Hulumtime të Migrantëve, Dmitri Poletajev, në një bisedë me DW. Rusia nuk ka ndonjë politikë të arsyeshme për migrantët dhe për integrimin, tha ai. Pasojat e një politike të tillë më së shumti po i vuan populli.
Disa rusë besojnë se të huajt po ua marrin vendet e punës. Shumë të tjerë janë të mendimit se për dhunën në rrugë përgjegjësinë e mbajnë migrantët. Por statistika konkrete nuk ka.
Blogeri i njohur Anton Nosik tha se: "Të gjitha pogromet që ndodhin në Rusi, ashtu si edhe para 100 vitesh, janë pasojë e përpjekjeve të pushtetmbajtësve që për problemet e tyre të shpallin fajtorë të huajt dhe të pafetë, me qëllim që mllefin e popullit ta kanalizojnë në një drejtim tjetër". Për fat, thotë Nosik, këto përfytyrime nuk pranohen nga shumica e popullit.
Kritika ka pasur edhe në llogari të policisë. Të dielën (13.10.2013) ajo ka përdorur dhunë ndaj demonstruesve në Biuljovo, ndërsa të hënën (14.10.2013) ka barë bastisje masive të migrantëve. Mbi 1000 prej tyre janë arrestuar në treg.
Policia mbron ndërhyrjen

Pamje nga trazirat në Moskë

Pamje nga trazirat në Moskë

Kryetari i sindikatës së policisë, Michail Paschkin, thotë se ndërhyrja e policisë ka qenë në rregull. Në një intervistë për "Echo Moskwy" ai thotë: "Pas vrasjes janë mbledhur njerëzit në rrugë. Si në shumë raste të tjera, disa grupe të rinjsh kanë nisur dhunën, por shumica e qytetarëve nuk ka marrë pjesë në këtë pogrom."
Paschkin thotë se policia ishte në mes të dy fronteve. "Qytetarët i shohin para vetes policët me uniforma dhe duan të shfryjnë mllefin e tyre. Policët nuk janë fajtorë, por ata njerëz, të cilët në treg dhe nëpër dyqane fitojnë shumë para nga migrantët e punësuar".
Pa migrantë nuk ka ekonomi ruse
Por ekonomia ruse as nuk mund të mendohet pa migrantët. Ata punojnë në rrugë, në ndërtim dhe në profesione të shumta ku ka nevojë. Autoritetet federale për migrantë thonë se ndërkohë në Rusi ka rreth 3,5 milionë migrantë ilegalë. Ndërohë që numri zyrtar i të huajve në Rusi është rreth 11 milionë. Banorët e Kaukazit Verior, Çeçenisë dhe Dagestanit nuk llogariten në këto statistika, sepse kanë pasaporta ruse.
Të dhëna të sakta për migrantët në Moskë nuk ka. Por Moska ka nevojë për punëtorë të huaj, thotë Dmitri Poletajev. Popullata ruse po plaket më shpejt se ajo gjermane. Potenciali i punës po zvoglohet nga viti në vit me një milion vetë. Kjo fuqi duhet të kompensohet me migrantë.
Rusia ka nevojë për fuqi punëtore, por nuk ka ndonjë politikë të integrimeve. Ndaj edhe paragjykimet janë shumë të mëdha mes vendasve dhe migrantëve.