1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Problemet me ligjin e pronave pengojnë zhvillimin në Shqipëri

Probleme me zbatimin e ligjit të pronave pengojnë zhvillimin e rajoneve

Probleme me zbatimin e ligjit të pronave pengojnë zhvillimin e rajoneve

Pronarë të ndryshëm njohin ligje të ndryshme

Mungesa e standartit shtetëror në zbatimin e ligjit për njohjen, kthimin e kompensimin e pronave po bëhet pengesë serioze për zhvillim e në investimet e donatorëve në jug të vendit, sidomos në bregdetin jugor. Aty nuk njihet ligji 7501, nuk njihet prona e pronarëve legjitimë me tapi e kadastër të para vitit 1944, dhe anasjelltas, gjë e cila ka shkaktuar konflikte të forta sociale. Këtij lëmshi i shtohet dhe ligji më i ri i parlamentit shqiptar, që thotë se toka që nuk punohet konfiskohet.

Banorë të bregdetit jugor të Shqipërisë, që e kanë marrë tokën e tyre në pronësi të plotë janë të kënaqur dhe e shikojnë tani të ardhmen e tyre duke ndërtuar ferma me agrume e duke marrë prodhime të mbara. Këtë siguri ua jep prona private, toka e tyre. Ja disa prej tyre. Kico Lekgjika:

"Sivjet kemi një prodhim të mbarë që edhe për mandarinën mund të marim 60 – 70 kg. Me kalimin e kohës këtu mbahen familjet më mirë se sa të vesh në Greqi e të punosh diku gjetkë, po të punosh këtu".

Shegushe Vasjari: "Shumë e kënaqur që jam në punën time, nuk kam nevojë me një fjalë për të vajtur në Greqi apo gjëkundi, jam shumë e kënaqur me punën që po bëj në vendin tim".

Dhimo Krisafi "Shkuam në Greqi, meqë jemi këtu pranë e punuam në mandarina. Atje pamë se si mandarina rritej, zhvillohej e menduam të vimë në vendin tonë që të mbillnim e të rritnim tonat, meqë ne kemi mundësi e kemi tokat tona."

Përplasje midis pronarëve të para 1944-ës e pronarëve më të rinj

Por krejt ndryshe ndodh në rajone më të gjera të bregdetit jugor, ku prej gati 20 vjetësh ka përplasje mes ish-pronarëve të ligjshëm që e kanë patur me tapi tokën, dhe pronarëve të rinj që e fituan atë me reformën agrare e ligjin 7501. Aktualisht në bregdet as njëra dhe as tjetra palë nuk po e shfrytëzon tokën, pasi gjithë qeveritë shqiptare këto 20 vjet kanë vepruar me standarte të dyfishta.

Shoqatat e pronarëve të rinj, sipas ligjit 7501 janë prej disa muajsh në protesta në Vlorë, Orikum, Himarë e Sarandë. Lezo Duka nga Dukati i Vlorës në protestë thotë se:

"Kemi një vit, ne kërkojmë tokën. Jemi në Dukat, kemi punuar këtu në këtë tokë dhe tokën nuk e lëshojmë deri sa të jemi gjallë".

Banorë të Orikumit në një protestë që po vijon prej disa muajsh:

"I lutemi qeverisë të marrë masat më urgjente për këtë problem. Kemi njëzet vjet pa asistencë, pa asnjë ndihmë. Toka na ushqen".

Qeveritë kanë punuar me ligje të ndryshme

Por qeveritë shqiptare duke punuar me dy standarte herë kthejnë tokat tek të zotët legjitimë, e herë ua lënë atë pronarëve të rinj të pasvitit 1945, duke futur në lojë kompensimin. Kjo zgjidhje duket gjysmake për shoqatën e pronarëve legjitimë.

Agim Toro, sekretar i Shoqatës së Pronarëve legjitimë pohon se:

"Ne jemi të bindur se zgjidhja nuk duhet parë nga ky ligj, por duhet hartuar një ligj i ri, i cili të mbështetet në kthimin e plotë të pronave, në kthimin fizik."

Kur ende nuk është zgjidhur cështja e pronësisë mbi tokën, qeveria shqiptare miratoi një ligj në parlament, sipas të cilit nëse toka nuk punohet, ajo mund të merret e t'i jepet me qera atij që e punon. Këtë të drejtë sipas ligjit e kanë drejtuesit e komunave e specialistët.

Dino Cico, ekspert i tokave dhe pronave thotë se:

"Është thuajse e pamundur ligjërisht, për faktin se duhet të ketë argumenta qoftë qeveria, qoftë pushteti vendor, me përjashtim, vetëm si e lejon ligji, të shpronësimeve për nevoja publike, nuk mund të bëhet shpronësim tjetër.

Ligji në fjalë, kur ende nuk është zgjidhur problemi i pronësisë mbi tokën është premisë direkte për konflikte sociale edhe për faktin se si thotë ekspert i tokave dhe pronave, Dino Cico:

"Nuk jam dakort për të kompensuar me çmime, të cilat as nuk marrin parasysh çmimin e tregut dhe me çmime që nuk janë bërë të njohura fillimisht se çfarë çmime janë."

Pengohet zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit

Ky lëmsh ligjor po bëhet sipas analistëve një pengesë serioze për zhvillimin e bujqësisë, turizmit e agrokulturës.

Agim Toro, sekretar i Shoqatës të Pronarëve legjitimë thotë se moszgjidhja e problemit - tokë – pronë private është:

"Dëshmi e qartë e një korrupsioni, megakorupsioni i cili pretendohet të vazhdojë edhe sot. Prandaj pronat e bregdetit nuk kthehen."

Kësisoj toka e bregdetit jugor shqiptar, në vend që të jetë burim magjie turistike e të ardhurash të jashtëzakonshme ekonomike, është tani për tani burim konflikti social e varfërie.


Autor: Odise Kote/ Gjirokastër

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 24.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MAIg
  • Data 24.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MAIg