1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Problemet dhe dështimi i projektit "euro hawk"

Dështimi i projektit për avionë zbulues pa pilot të tipit euro hawk, shqetëson politikën gjermane. Ministria e Mbrojtjes e ndërpreu projektin javën e kaluar, por problemet ishin të njohura prej kohësh.

Në dhjetor të vitit të kaluar përfaqësuesit gjermanë shpreheshin ende me optimizëm. "Projekti ka arritur shkallën e pjekurisë, që lejon integrimin e kushtëzuar të euro hawk në hapësirën ajrore", pati deklaruar delegacioni gjerman në një kongres të Organizatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror në Montreal. Tre muaj më vonë sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ishte më kaq i bindur. "Aktualisht po shqyrtohet nëse blerja e një serie euro hawk është e justifikueshme në sfondin e problematikës së lejeve", shkruante Thomas Kossendey, sekretar shteti në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, duke iu përgjigjur kërkesës për informacion të Bundestagut. Dhe në maj 2013 Ministria e Brendshme njoftoi fundin e projektit për avionët zbulues pa pilot. Deri tani projekti ka kushtuar rreth 600 milionë euro.

Probleme me sistemin e sigurisë

Sipas informacioneve, Autoriteti Evropian për Transportin Ajror (EASA) kishte njoftuar se këta tipe avionësh nuk janë të lejuar të fluturojnë mbi zona të banuara, pasi nuk kanë sisteme të çertifikuara anti-përplasje. Problemi është i njohur prej kohësh. Që prej fillimit të këtij mijëvjeçari është punuar me avionët euro hawk. Në vitin 2004 një punonjës i koncernit për transport ajror EADS paralajmëroi se veçanërisht gjatë ngjitjes dhe uljes është i nevojshëm një sistem për mbrojtje nga përplasjet. Është e vërtetë se avionët zbulues pa pilotë fluturojnë në një lartësi prej 20.000 metrash, pra dy herë më lart se avionët e linjave, por në veçanti gjatë ngjitjes dhe uljes mund të lindin situata të rrezikshme, thuhet në një prezantim, i cili mund të gjendet ende në internet. Në këto faza avioni euro hawk përshkon hapësirën ajrore me dendësi të lartë avionësh pasagjerësh. Një pilot që vjen në drejtimin e kundërt, "nuk ka asnjë shans ta shmangë përplasjen", thuhet në prezantim.

Paralajmërimet nuk janë marrë parasysh

Avioni ushtarak amerikan Global Hawk shërbeu si model për Euro Hawk

Avioni ushtarak amerikan global hawk shërbeu si model për euro hawk

Sipas një artikulli të gazetës "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" për këtë problem ka tërhequr vëmendjen edhe njësia e Bundesverit, përgjegjëse për blerjet e aparaturave të reja. Megjithatë në vitin 2007 Ministria e Mbrojtjes lidhi një kontratë me EADS dhe koncernin amerikan Northrup Gumman për zhvillimin e euro hawk. Në këtë tip avioni nuk parashikohet një sistem automatik shmangieje, për sigurinë e fluturimit është përgjegjëse qendra e kontrollit në tokë. Në 2011 u krye fluturimi i parë i provës nga Amerika deri në Marching të Bavarisë. Avioni humbi në atë fluturim për disa minuta kontaktin me stacionin tokësor, një ngjarje që duket se konfirmon kritikën për mungesën e sistemit të sigurisë.

"Për euro hawk vlejnë standarde sigurie që i përgjigjen atyre të transportit ajror me pilotë", u citua atëherë drejtuesi i njësisë përgjegjëse të Bundesverit, Wolfgang Steiger në një artikull në revistën e Bundesverit "Luftwaffe.de". Edhe në konferencën për transportin ajror në Montreal në dhjetor 2012, delegacioni gjerman theksoi edhe një herë shprehimisht: "Mungesa e një sistemi shtesë 'detect-and-avoid' duket e pranueshme." Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka pranuar se ka qenë në dijeni të problemeve me lejen për avionët që në vitin 2011, sidoqoftë shtatë vjet pasi janë shfaqur dokumentet e parë që vënë në dukje problemin.

NATO nuk do e ndërpresë programin global hawk

Megjithatë ndërprerja e projektit nga Ministria e Mbrojtjes duket se ka shkaqe të tjera. Me sa duket supozohet se të dhënat që jep prodhuesi amerikan nuk mjaftojnë për një leje fluturimi evropiane. Një pjesë e të dhënave teknike të projekteve të tilla të armatimit mbahen gjithnjë sekret. Në këtë rast duket se mungojnë të dhëna që janë të nevojshme për Autoritetin Evropian të Transportit Ajror. Mbledhja e këtyre të dhënave në prova do t'i kushtonte ushtrisë gjermane edhe miliona euro shtesë.

"Është e saktë se për sigurimin e një leje qarkullimi për serinë euro hawk, janë identifikuar kosto shtesë të konsiderueshme", thuhet në një shkresë të sekretarit të shtetit Kossendey në muajin mars. Hollësi të tjera nuk mësohen për momentin nga ministria. Të interesuarit duhet të presin 5 qershorin kur ministri i Mbrojtes de Maíziere pritet të dalë para komisionit parlamentar për mbrojtjen.

NATO, e cila gjithashtu po zhvillon një avion zbulues pa pilot mbi bazën e global hawk ka bërë të ditur se dështimi i euro hawk nuk e prek programin e saj. Programi i NATO-s bazohet në "blerjen e një sistemi ekzistues gati për përdorim", tha një zyrtar i NATO-s në Bruksel. Organizata nuk bëri megjithatë të ditur se si do të bindë për planet e saj Autoritetin Evropian për Transportin Ajror.