1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pro dhe kundër referendumit në veri

Pavarësisht nga qëndrimi i Beogradit se nuk duhet të organizohet referendumi, udhëheqësit lokalë serbë nuk heqin dorë nga vendimi që me 14 dhe 15 shkurt serbët të deklarohen, nëse i pranojnë institucionet e Kosovës.

Serbë në Mitrovicë

Serbë në Mitrovicë

Kryetari i Këshillit Kombëtar serb në veri të Kosovës, Millan Ivanoviq, që mbështet organizimin e referendumit, thotë për Deutsche Wellen se serbët kanë të drejtë që të deklarohen, nëse duan të mbeten në kornizën e institucioneve të Serbisë.

"Nuk ka dyshim që qytetarët duhet të vendosin, por ka përpjekje që kjo luftë për të qëndruar brenda sistemit kushtetues-ligjor të shtetit të Serbisë, t'u atribuohet disa ekstremistëve e madje dhe kriminelëve, kështu që ky referendum do të japë përgjigjen më të mirë, nëse njërezit qëndrojnë te këto kërkesa dhe qëndrime, apo siç thotë Prishtina dhe mentorët e pavarësisë shqiptare, se është fjala për një grup ekstremistësh politikë, që siç thonë, janë madje të lidhur me krimin e organizuar", pohon Ivanoviq.

Boris Tadiq

Tadiqi kundër, por referendumi do të mbahet.

Millan Ivanoviq mendon se Beogradi zyrtar nuk ka arsye që të kërkojë nga serbët e veriut mosmbajtjen e referendumit, ose nëse dëshiron të mbledhë pikë politikisht. "Mendoj se është vetëm përpjekja për të marrë kandidaturën për në Bashkimin Evropian, apo që qëllimi i tyre kryesor është që përmes kandidaturës të qëndrojnë në pushtet", thotë Ivanoviq.

Serbët e kanë treguar vullnetin e tyre me bllokimin e rrugëve

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Leposaviqit, Branko Niniq, anëtar i Partisë Demokratike të Boris Tadiqit, është njëri nga liderët e veriut të Kosovës, që është kundër mbajtjes së referendumit. Niniq thotë për Deutsche Wellen se referendumi i ardhshëm nuk do të ndryshojë asgjë në terren.

"Referendumi është i panevojshëm në këtë moment, kryesisht për arsye se qytetarët e veriut të Kosovës kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë institucionet e Kosovës dhe e kanë treguar këtë që nga 25 korriku dhe deri tani. Një diçka tjetër, për të cilën nuk duhet të mbahet referendumi, është siç dëgjojmë nga zyrtarët e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe përfaqësuesit e Republikës së Serbisë, që ky referendum mund të rrezikojë interesat e Serbisë, të vetmit shtet, që kemi", pohon ai.

Partia Demokratike është në pushtet në komunën e Leposaviqit, por anëtarët e këshillit të saj në vendimin për mbajtjen e referendumit kanë mbetur pa mbështetjen e partnerit në koalicion Partisë Socialiste të Serbisë, që është për referendumin. Në komunat e Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Zveçanit në pushtet janë partitë opozitare Partia Demokratike e Serbië dhe Partia Popullore Serbe. Autoritetet e Beogradit kanë porositur serbët në veri të Kosovës se nuk është koha për këtë deklaratë. Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviq ka deklaruar disa herë se në këtë moment është e panevojshme mbajtja e referendumit, si dhe është e domosdoshme që në këtë çështje përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës të veprojnë të koordinuar me qeverinë dhe presidentin e Serbisë. Serbët në jug të Ibrit janë gjithashtu kundër mbajtjes së referendumit, sepse mendojnë se është vështirë që ai të mbahet në pozicionin, që ata janë.

Referendum pa efekt

Serbische Barrikade im Nordkosovo

Barrikada serbe

Për autoritetet e Prishtinës referendumi i paralajmëruar është i paligjshëm, siç janë të paligjshme dhe autoritetet e atjeshme komunale. Nga kabineti i presidentes së Kosovës, Afitete Jahjaga, për Deutsche Wellen theksojnë se strukturat lokale në veri të Kosovës janë të paligjshme, sepse nuk janë zgjedhur në votime të lira sipas kushtetutës së Kosovës.

"Askush në Kosovë, asnjë komunë, apo grup komunash, grup etnik, fetar, apo politik nuk mund të organizojë referendum për t'u deklaruar, nëse e pranon shtetin e Kosovës apo jo dhe nëse pranon institucionet e Kosovës në një territor të caktuar", thuhet në deklaratën për Deutsche Wellen. Shtohet se është e drejtë natyrore e të gjithë qytetarëve, që në këtë territor të jenë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe mbi këtë bazë e drejta e vetëdeklarimit të komunave në veri të Kosovës është ilegale dhe antikushtetuese dhe nuk ka kurrfarë efekti.

Autor: Zylfija Jakupi/A Verbica

Redaktoi: Bahri Cani