1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkei Akw

17 Mars 2011

Pavarësisht katastrofës bërthamore në Japoni Turqia u përmbahet projekteve për energjinë bërthamore. Ministri i Energjetikës premton për centrale bërthamore me standarde të larta sigurie, por ekspertët janë skeptikë.

https://p.dw.com/p/10bcK

Turqia ende nuk ka centrale bërthamore, por dy të tilla janë në planifikim. Këto centrale i përkasin brezit të katërt më të ri të gjeneratorëve të reaktorëve dhe duhet t' u përgjigjen standardeve më të larta të sigurisë. Së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i centralit të parë bërthamor në Akuyu të Turqisë në rajonin Mersin të Mesdheut. Ky projekt ndërtimi drejtohet nga sipërmarrja ruse për centralet bërthamore Rosatom. Marrëveshja u nënshkrua vitin e kaluar. Parashikohet që punimet e ndërtimit të fillojnë në fund të vitit. Por Akuyu në Jug të Turqisë ndodhet direkt në zonën e pllakës tektonike Ecemiş. Përpara 40 vjetësh një komision shkencëtarësh e vlerësoi këtë zonë si të parrezikshme për ndërtimin e centraleve bërthamore.

Mungon përvoja me "gjeneratorët e brezit të katërt"

Türkei Rußland Medwedew Erdogan Mai 2010
Medvedev dhe Erdogan nönshkruajnë me 12 maj 2010 në Ankara marrëveshjen për ndërtimin e centralit të parë atomik turk në Akkuyu.Fotografi: AP

Njëri prej shkencëtarëve të këtij komisioni ka qenë edhe inxhinieri në fushën e energjisë bërhamore Tolga Yarman. Ndërkohë ai ka një mendim tjetër sa i përket ndërtimit të centralit bërthamor në këtë rajon. Ai thekson se në kohën, që është bërë studimi, kishte një besim të madh tek centralet bërthamore. Por qysh pas katastrofës së Çernobilit ky qëndrim ka ndryshuar. Gjithashtu zona Akkuyu është zhvilluar shumë në drejtim të bujqësisë dhe turizmit. Ndaj vendimi sot duhet të rishikohet: "Përpara disa vjetësh unë kam thënë, që nuk duhet të ndërtohet reaktori në Akkuyu." Yarman u druhet pasojave negative ndaj këtij rajoni si zonë ekonomike, veçanërisht ndaj eksportit të frutave dhe perimeve, si dhe ndaj turizmit. "Do të ishte gabim që pa i studiuar këto pasoja të ndërtohej një reaktor." Pllaka tektonike Ecemiş, ndonëse njihej edhe para 40 vjetësh, kur është bërë studimi asokohe, nuk janë studiuar sa duhet burimet eventuale të rrezikut. Gjithashtu uji i detit Mesdhe nuk është i ftohtë sa duhet, për t' u përdorur si ujë ftohës për reaktorët.

Edhe eksperti i energjetikës Nexhdet Pamir është i mendimit, se ndërtimi i një reaktori ka disavantazhe për Turqinë në disa aspekte: "Turqia edhe më shumë do të vihet në varësi të Rusisë". Vendi aktualisht varet prej furnizimeve me gaz nga Rusia, kësaj do t' i shtohej edhe varësia prej energjisë bërthamore, druan Pamir. Veç kësaj eksperti tërheq vëmendjen, se në Turqi ende nuk ka përvojë me reaktorin e planifilikuar të tipit VVER 1200.

Aplikimi i energjisë bërthamore i diskutueshëm

Türkei Putin Erdogan Protest AKW
Aktivistë të Greenpeace në Turqi kundër centralëve bërthamore të ndërtuara nga rusët. Në sfond figura e Putinit.Fotografi: AP

Pas Akkuyu Turqia planifikon ndërtimin e reaktorit të dytë në Sinop, në qytetin më verior të vendit. Në këtë rajon rreziku nga tërmetet është minimal, argumentojnë përkrahësit e energjisë bërthamore. Qeveria planifikon që ky reaktor të ndërtohet prej japonezëve. Ndërkohë vazhdojnë bisedimet. Ekesperti i energjetikës Necdet Pamir mendon, se as ky nuk është projekt i sigurtë: "Ende nuk është dhënë licenca për ndërtimin në Sinop. Njerëzit, që jetojnë në këtë rajon dhe preken direkt nga një projekt i tillë, duhet ta vendosin këtë vetë me referendum. Ka mjaft rezerva, ndaj unë mendoj që as Sinop nuk është vend i përshtatshëm."

Ish-kryetari i Agjencisë turke të Energjisë Bërthamore, Cengiz Yalçın, mendon se vetëm katastrofat bërthamore nuk mund të shërbejnë si argument për të hequr dorë prej energjisë bërthamore. Sipas tij është e mundur madje që edhe në një qytet të rrezikuar prej tërmeteve, siç është Stambolli, mund të ndërtohen centrale bërthamore, në rast se merren të gjitha masat e nevojshme të sigurisë: "Rreziku nga tërmetet merret parasysh duke u përfshirë në kalkulime statistikore. Më pas vendoset një plan ndërtimi. Nëse reaktori ndërtohet mbi bazën e këtij plani, atëherë tërmeti nuk përbën rrezik të madh. Ndërtimi i reaktorit duhet të zbatohet saktë sipas planit."

Ekspertët i varin shpresat tek energjitë alternative

Windenergie, erneuerbare Energien, Erderwärmung
Energjia e erës, një alternativë për ekonominë turke.Fotografi: AP

Ekonomia turke vitet e fundit shënon një rritje të fuqishme. Si rrjedhojë shtrohet çështja, se si ky vend mund t' i mbulojë në të ardhmen nevojat në rritje për energji. Argumenti i atyre, që janë pro energjisë bërthamore, është se Turqisë patjetër i duhet energjia bërthamore. Eksperti Necdet Pamir është i mendimit se ka edhe mundësi të tjera, si qymyri, apo energjitë e rigjenerueshme të erës dhe të diellit. Ai thotë se energjia bërthamore nuk duhet përjashtuar detyrimisht, por për të duhet të përmbushen kushtet e nevojshme: "Ne jemi inxhinierë. Ne marrim parasysh të gjitha teknologjitë. Kjo do të thotë që reaktorët e brezit të katërt janë më të mirë." Por fillimisht duhet të kalkulohen të gjitha rreziqet e mundshme dhe vetëm pas kësaj mund të meret vendimi përfundimisht, nënvizon Pamir.

Autori: B. Özay / V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: I. Verbica