1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pro apo kundër pavarësisë së Kosovës? - Si do të vendosë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

30 Nëntor 2009

Argumentet pro dhe kundër pavarësisë do t'i paraqesin Kosova, Serbia dhe 29 shtete të tjera ndër to edhe pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

https://p.dw.com/p/Km82
Kosova pavaresia
Fotografi: AP

Të parët para 15 gjykatësve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë do të paraqiten përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës. Ata do të kenë në dispozicion nga tri orë për të argumentuar qëndrimet kundër dhe pro pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që vendet tjera do të kenë në dispozicion 45 minuta. Delegacionin e Kosovës e udhëheq ministri i Jashtëm, Skender Hyseni.

Për mediat në Prishtinë, ai theksoi se delegacioni i Kosovës është përgatitur mirë: “Ne do të paraqesim gjatë tri orëve argumente të fuqishme në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran, përkatësisht në mbrojtje të vullnetit politik të popullit të Kosovës për shtetësi dhe pavarësi.”

Ministri Skender Hyseni do të mbajë në Hagë fjalën hyrëse të delegacionit kosovar, ndërsa argumentet në favor të pavarësisë do t'i paraqesin këshilltarët ndërkombëtarë Michael Wood, Daniel Müller dhe Sean Murphy. Nga 63 shtetet që kanë njohur deri tani pavarësinë, argumentet në favor të Kosovës, do t'i paraqesin 15 vende: Shqipëria, Austria, Bahreini, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Jordania, Holanda, Norvegjia, Arabia Saudite, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Megjithatë i pari argumentet do t'i paraqesë delegacioni i Serbisë. Presidenti Boris Tadiq deklaroi për gazetën Veçernje Novosti se mendimi këshilldhënës i gjykatës do të jetë i afërt me qëndrimet e Serbisë dhe se do të hapet perspektivë e re për negociata të reja midis Beogradit dhe Prishtinës.

Optimist shprehet edhe ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq. Optimizmi i tij mbështetet: "Tek përgatitjet shumë të kujdeshme që ka pasur delegacioni ynë juridik dhe këshillimeve me një numër të madh vendesh të mëdha që kanë vendosur të argumentojnë në anën tonë. Do të jetë ky debati më i gjërë juridik para kësaj Gjykate, sepse për debat është paraqitur një numër rekord vendesh. Për herë të parë marrin pjesë në një proces të këtillë të pesë vendet anëtare të përhershme të KS të OKB-së."

Serbia pret që kundër pavarësisë të argumentojnë edhe 14 vende të tjera: Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Brazili, Burundi, Kina, Qiproja, Laosi, Rumania, Rusia, Spanja, Venezuela dhe Vietnami.

Tetë nga 15 gjykatësit në këtë proces janë nga vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë ministri Jeremiq është i bindur në pavarësinë e gjykatësve: "Nuk ekziston asnjë isntitucion i përsosur në botë. Por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është institucioni më i pavarur në botë. Do të ishte gabim në qoftë se prejudikohet vendimi përfundimtar, por mendoj se kur kemi parasysh anën juridike të procesit, kemi shkaqe të mjaftueshme për të qenë optimistë."

Seanca dëgjuese do të vazhdojë deri më 11 dhjetor dhe është rasti i fundit që palët të paraqesin argumentat e tyre. Pastaj gjithçka mbetet në duart e 15 gjykatësve, nga të cilët pritet që deri në pranverë të japin një mendim këshillues, i cili për palët nuk ka fuqi detyruese. Shumë analistë dhe ekspertë janë të bindur se mendimi i tyre nuk do të jetë i prerë.

"Gjykata do të marrë një vendim të dykuptimshëm, një vendim i cili do të ketë formë, esencë dhe mundësi për interpretim të dyanshëm", thotë eksperti kosovar për të drejtën ndërkombëtare, Eqrem Zenelaj.

Ditë më parë edhe vetë kryetari i Gjykatës së Drejtësisë, japonezi Hisashi Ovada, citohet të ketë deklaruar në mediat ruse se opinioni këshillues do të jetë neutral, 30 faqe i gjatë dhe nuk pritet që gjykatësit të kenë qëndrime të njëjta. Sipas tij nuk do të ketë një përgjigje të prerë ‘po' ose ‘jo', ‘për' ose ‘kundër'.

Autor: Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani