1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës -Veprim i nxituar?

Qeveria e Kosovës është e vendosur të privatizojë Postë-Telekomin. Ekspertët e ekonomisë thonë se shkaku është kriza buxhetore në vend dhe e quajnë veprim të nxituar.

Postë-Telekomi i Kosovës.

Postë-Telekomi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës tashmë është është e vendosur që të shesë pjesën më të madhe të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në një vendim të qeverisë thuhet se 75 për qind të aseteve duhen shitur ndërsa 25 për qind të aksioneve do të mbeten në pronësi të qeverisë. Pesë kompani ndërkombëare tashmë kanë shprehur interes pë të blerë aksionet e Postës, por për përzgjedhjen e kompanisë fituese duhet të marrë një vendim përfundimar parlamenti.

Janë seleksionuar pesë pjesëmarrës në tender

Pesë kompani të parakualifikuara që do të marrin pjesë në tenderin e shitjes së postës: “AlbTelecom” Sh.A, nga Shqipëria, shumica e aksioneve të së cilës janë në pronë të “Calik Group” dhe “Turk Telekom”); “Hrvatski Telekom” d.d. (HT) nga Kroacia. ku shumica e Aksioneve të HT janë në pronë të “Deutsche Telekomit”; “Orascom Telecom Holding” S.A.E. nga Egjipti; “Telekom Austria” AG nga Austria si dhe ”Sabafon” nga Jemeni.

Debatet në parlament akoma po vazhdojnë, shumica e deputëve janë për privatimin e Postës, por ata kanë dallime për mënyrën dhe kohën e privatizimit të saj. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës thonë se ky është momenti më i mirë për shitjen e Postës vlera e së cilës llogaritet mbi 300 milio euro. Por ish-ministri i Financave në qeverinë e kaluar Haki Shatri, thotë se privatizimi i postës duhet të ndodhë, por jo shumë shpejt ashtu siç pretendon qeveria e Kosovës.

Sipas ekspertëve shitja është vendim i nxituar

“Vendimi është bërë i shpejtë pa këtë analizë. Po ashtu kemi dyshime nëse është ky momenti i përshtatshëm për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, që është profitabile, që është tatimpaguesi më i madh në Kosovë. Kjo është shpallje me nguti e privatizimit, në rrethana që nuk duken shumë të favorshme”, thotë Shatri.

Ekspertët e ekonomisë, kanë një shpjegim tjetër. Ata thonë se shitja e Postës së Kosovës lidhet drejtpërdrejt me mbushjen e buxhetit sepse qeveria e Kosovës ka marrë obligime. Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, thotë se njëra ndër obligimet e qeverisë është ndërtimi i autostradës së Kosovës.

“Mosrrumbullaksimi i konstruktit financiar të autostradës sjell të gjitha këto probleme dhe qeveria nuk ka alternatvë tjetër. Ose të shesë pasuritë e veta, ose të hyjë në obligime të marrë kredi për të cilat është në pikëpyetje a mund të sigurohen në masën e duhur ose në kushtet të cilat do të ishin të favorshme për të“, thotë Ibrahim Rexhepi.

Kriza buxhetore kushtëzon shitjen e Postë-Telekomit

Sipas analistit Rexhepi kriza buxhetore me të cilën përballet Kosova, nuk e lejon atë që të vepojë me shitjen e postës ashtu siç vepruan më herët vendet e rajonit.

„Nëse marrim shembull vendet e rajonit, janë të rralla rastet kur ato kanë shkuar në shitjen 100 përqind të aksioneve. Ato kanë kryer shitje hap pas hapi duke filluar nga 25 përqind e më shumë në varësi të situatave në tregun e tyre, por ato nuk kanë qenë në një krizë buxhetore siç është Kosova“, thotë Ibrahim Rexhepi.

Pamje nga Prishtina.

Pamje nga Prishtina.

Sindikata e Postës dhe Telekomit të Kosovës, nga ana e saj është e vetëdijshme që nuk mund ta ndalë shitjen e postës, por kërkon që në kontratën finale të specifikohet qartë statusi i punëtorëve aktualë. Seremb Gjergji, nga sindikata e postës thotë se punonjësit e postës kërkojnë që para se të ndodhë privatizimi i saj, të garantohet me kontratë ruajtja e vendit të punës së punëtorëve aktualë.

Sindikata kërkon ruajtjen e vendeve të punës

“Çdo largim nga puna e mbi 10 punëtorëve konsiderohet largim kolektiv dhe nëse bëhet largim kolektiv nga puna të shfuqizohet kontrata. Kjo është një kërkesë e punëtorëve që është futur në kontatën finale të kushteve të shitjes së postës. Në fund të fundit është edhe interes i qeverisë që të mbrojë 3500 vende pune të cilat ushqejnë mbi 17 mijë anëtarë familjesh“, thotë Seremb Gjergji.

Qeveria e Kosovës ndër kushtet e para të privatizimit të postës ka vënë që brenda katër viteve të para të mos largohet asnjë punëtor nga puna. Sipas qeverisë pas katër vitesh menaxhimi i ndërmarrjesështë çështje e pronarit të ri të postës i cili do të ketë shumicën e aksioneve.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 07.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PXk7
  • Data 07.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PXk7