1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pritshmëri e lartë nga vizita e kancelares Merkel në Kroaci dhe Serbi

Kancelarja Merkel viziton të hënën që vjen (22.08) Zagrebin dhe Beogradin. Qëllimi kryesor i vizitës në Kroaci është bashkëpunimi bilateral dhe mbështetja e saj. Ndërsa në Beograd do të hapet edhe çështja e Kosovës.

Angela Merkel

Angela Merkel: dy vende dy çështje të ndryshme.

Kancelarja gjermane Angela Merkel këtë të hënë në Zagreb dhe Beograd do të trajtojë me mikpritësit e saj shumë tema ndërkombëtare, bilaterale dhe ekonomike. Por që tani dihet se në Beograd do të ketë opinione të ndryshme me zyrtarët serbë rreth pavarësisë së Kosovës.

Kancelarja Merkel në Zagreb pritet si një mike dhe mbështetëse e Kroacisë. Nuk ka asnjë dilemë që Gjermania ishte në dy dekadat e fundit një prej partnerëve më të rëndësishëm për Kroacinë. Por një pjesë e kroatëve është e mendimit se kohët e fundit janë ftohur raportet, për shkak se Berlini nuk është tepër i kënaqur me luftën e qeverisë kroate kundër korrupsionit.

Eksperti për çështje politike Damir Grubisha thotë se ndërkohë ka rënë edhe gatishmëria e gjermanëve për investime në Kroaci. "Kritikat e fundit për korrupsion kanë të bëjnë edhe me aferën e ish-kryeministrit Ivo Sanader", shpjegon Grubisha, i cili pret që kjo vizitë të japë një impuls të ri për raportet mes Berlinit dhe Zagrebit.

Burokracia një prej problemeve

Jadranka Kosor dhe Angela Merkel

Merkel dhe Jadranka Kosor nuk kanë (shumë) probleme të pazgjidhura...

Budimir Lonçar, këshilltar për politikën e jashtme i presidentit Ivo Josipoviq, thotë se raportet mes Kroacisë dhe Gjermanisë janë të shkëlqyeshme. Ato bashkëpunojnë në fushën ekonomike dhe financiare dhe në veçanti në turizëm. Gati një e treta e turistëve në Kroaci ndërkohë vijnë nga Gjermania. Por kohët e fundit ka rënë niveli i tregtisë mes tyre.

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur se në vitin 2009 janë shkëmbyer mallra në vlerë prej rreth dy miliardë e 890 milionë euro. Por eksporti kroat kishte një vlerë prej vetëm 827 milionë eurosh. Pjesa tjetër i takon importit nga Gjermania. Damir Grubishiq thotë se ndër problemet më të mëdha aktualisht janë burokracia tepër e madhe, kur ndonjë herë për të kryer punë duhet të kalojnë deri në dy vjet.

Gjermania partner i rëndësishëm edhe për Serbinë

Gjermania është një prej donatorëve dhe partnerëve më të rëndësishëm edhe për Serbinë. Në 11 vitet e fundit ajo ka ndihmuar Serbinë me rreth një miliardë euro për projektet në infrastrukturë, energjetikë, furnizimin me ujë dhe ndihma humanitare. Por investorët gjermanë edhe atje përballen me probleme të ngjashme si në Kroaci. Bojan Predoviq, nënkryetar i Shoqatës Ekonomike Gjermane në Beograd, thotë se një prej problemeve më të mëdha është korrupsioni. Në vlerësimet e fundit thuhet se interesimi më i madh për investime është në industrinë e automjeteve, ruajtjen e mjedisit dhe artikujve ushqimorë. Predoviq thotë se problemet më të mëdha megjithatë janë të natyrës politike.

Angela Merkel dhe Boris Tadiq

...kurse Angela Merkel dhe Boris Tadiq do të kenë më shumë probleme

Pikërisht në këtë lëmi do të fokusohet edhe vizita e kancaleres Merkel në Beograd. Në fillim ajo do të takohet me bashkëshorten e Zoran Gjingjiqit, Ruzhica Gjingjiq dhe me përfaqësuesit e fondacionit të tij. Ndërsa më pas me presidentin Boris Tadiq dhe kryeministrin Mirko Cvetkoviq, ku do të flitet për afrimin e Serbisë me BE-në. Një prej temave më të rëndësishme do të jetë Kosova. Ekspertët në Beograd thonë se kancelarja do t'i thotë përfundimisht "Jo" propozimeve për ndarjen e Kosovës dhe do të kërkojë normalizimin e raporteve në veri të Kosovës.

"S'do të ketë një Qipro të re në BE"

Qarqet qeveritare në Berlin thonë se kancelarja në Beograd do të bëjë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Por Serbia duhet të njohë kufijtë e jashtëm të vendeve të tjera para se të anëtarësohet në BE. Peter Weiß, kryetar i grupit parlamentar për Evropën Juglindore, thotë se në BE nuk do të pranohet asnjë vend me probleme territoriale.

"Një Qipro e dytë as nuk shtrohet për diskutim. Kjo do të thotë se për perspektivën evropiane të Serbisë duhet të kemi një zgjidhje të kënaqshme edhe për Kosovën. Angela Merkel do të nxisë dhe do të kërkojë prej Serbisë që negociatat me Kosovën të japin rezultate pozitive", pohon ai.

Weiß thotë se vizita në Kroaci dhe Serbi vjen për kancelaren në një moment shumë të rëndësishëm. Gjermania do që me Kroacinë të ketë një politikë të përbashkët brenda BE-së. Ndërkohë që Angela Merkel angazhohet edhe për pajtim në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Autor: S. Bogdaniq/ I. Petroviq/ S. Filipoviq/ B. Cani

Redaktoi: Lindita Arapi