1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pritjet nga takimi i sotëm Thaçi - Daçiq

Në Bruksel shpresojnë se Beogradit do t'i dërgohet sinjal pozitiv për bisedime me BE. Por burimet diplomatike thonë se gjermanët megjithë mbështetjen parimore, ende nuk janë të gatshëm të flasim për ndonjë datë konkrete.

Bashkimi Evropian ka për qëllim që në takimin e sotëm (20.6.) mes kryeministrave të Serbisë Ivica Daçiq dhe të Kosovës Hashim Thaçi, të bëhet një bilanc i gjërave që janë bërë deri tani në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Grupet e punës kanë vazhduar konsultimet intensive, pothuajse çdo ditë, lidhur me telekomunikacionin, organet juridike, policinë, energjinë, organizimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Pritet që konsultimet të vazhdojnë deri në fillimin e takimit mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, i cili do të nisë sonte në Bruksel.

„Raporti i përfaqësues së BE për politikë të Jashtme dhe Siguri Chaterine Ashton dhe komisionerit për zgjerimin Sfetan Füle varet prej bisedimeve të sotme. Nga ky takim varet se cili do të jetë mesazhi për samitin e krerëve të BE-së, lidhur me përparimin e Serbisë dhe Kosovës në procesin e integrimeve evropiane", thotë zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiq.

Marrëveshjet afër, por ende pa marrëveshje

Në Bruksel shpresojnë se do të gjendet një zgjidhje pozitive. Në letrën që do tu dërgohet krerëve të vendeve anëtare të BE-së do të thuhet se Serbia dhe Kosova i kanë shkëmbyer me kohë përfaqësuesit e tyre për lidhje mes vete (ndonëse përfaqësuesi i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, ka dhënë dorëheqje vetëm dy ditë pas shkuarjes atje). Është formuar edhe grupi drejtues i cili pas zgjedhjeve do të kujdeset për funksionimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Hashim Thaci mit Catherine Ashton und Ivica Dacic

Hashim Thaci, Catherine Ashton dhe Ivica Dacic, nga takimet e mëparshme në Bruksel

Palët kanë rënë dakord edhe për mbylljen e zyrës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë dhe është arritur marrëveshje për procedurën e zgjedhjes së komandantit të policisë në komunat me shumicë serbe. Parimisht palët kanë rënë dakord edhe për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në këto komuna, por detajet e organizimit të këtyre zgjedhjeve ende janë të paqarta.

Ajo që mund të shënohet në letrën e Ashton dhe Füle është edhe marrëveshja për çështjen e telekomunikacionit. Ministri serb për Telekomunikacionin Rasim Lajiq thotë se marrëveshja është arritur, por kanë mbetur të saktësohen edhe disa detaje të vogla.

"Kemi kohë që gjërat të saktësohen deri në takimin e kryeministrave ( 20.6.), ose ato do të saktësohen në vet takimin e kryeministrave“, shpjegon Lajiq. Por në këtë sektor mbetet ende i hapur problemi i prefiksit për Kosovën dhe mundësia e funksionimit të një operatori serb të telefonave celularë në Kosovë. Ndërkohë që në sektorin e energjisë problemet janë edhe më të mëdha dhe më të komplikuara, sepse në pyetje janë resurse strategjike si trafostacioni në Vallaç, liqeni i Gazivodës etj. Probleme dhe detaje të shumta të pazgjidhura ka dhe në sektorin e drejtësisë, në veçanti sa i përket ligjit për amnistinë.

Spekulimet për marrëveshjen e mundur

Ndonëse në BE janë të vetëdijshëm se janë bërë përparime të mëdha në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, askush ende nuk është i gatshëm të flasë "nëse është bërë mjaft", në implementimin e marrëveshjeve që do të shërbente si bazë për një përgjigje pozitive ndaj Serbisë. Diplomatët në Bruksel shpresojnë se do të dërgohet një sinjal pozitiv për bisedimet mes Serbisë dhe BE. Ndërkohë që burimet diplomatike gjermane thonë se aktualisht mund të jepet vetëm një mbështetje parimore dhe sinjal pozitiv, por jo edhe një datë e caktuar për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.