1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pritjet e Maqedonisë nga Samiti i BE-së

Zgjidhja e çështjes së emrit mbetet kusht kryesor për Maqedoninë për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Në Shkup janë intensifikuar kërkesat për ndryshimin edhe të formatit të bisedimeve.

Në prag të Samitit të dhjetorit të BE-s, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, në Bruksel ka raportuar para personaliteteve të larta të BE-së për arritjet e vendit në procesin eurointegrues. Gruevski në takime është përqëndruar rreth reformave aktuale, administratën publike dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ai njëherit ka kërkuar edhe mbështetje nga kryetari i Këshillit të BE-s, Herman Van Rompuj, për fillimin e procesit të negociatave midis BE-së dhe Maqedonisë. “Kërkova angazhimin e tij të mëtejshëm për sa i përket pritjeve tona për të ardhmen, me shpresë se do të gjendet mënyra që sa më shpejt të tejkalohet pengesa e vetme që do të na mundësonte fillimin e negociatave për anëtarësimin e plotë të vendit në BE”, është shprehur kryeministri i Maqedonisë,Nikolla Gruevski.

Autoritetet e Brukselit kanë bërë të qartë se Maqedonia nuk mund të shpresojë për datë në kohën kur nuk është treguar asnjë progres si në zgjidhjen e çështjes së emrit po ashtu edhe në disa sfera të reformave. Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, thotë se askush nuk mund të bindë Greqinë që të heqë dorë nga bllokimi i integrimeve të vendit. “Pozita e Athinës është shumë e qartë, ajo është faktor për marrjen e vendimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Gjatë periudhës së kaluar u bënë përpjekje në drejtim të bindjes së Athinës, por prej atje nuk morrëm përgjigje pozitive”, thotë ministri Popovski.

Mazedonischer Ministerpräsident Nikola Gruevski trifft Präsidenten der EU Kommission Jose Manuel Barroso

Kryeministri Nikola Gruevski dhe Jose Manuel Barroso

Antarësimi në BE dhe NATO alternativë e vetme e Maqedonisë

Maqedonia nuk kërcënohet nga destabilizimi i brendshëm nga mosmarrja e datës edhe në samitin e dhjetorit, thotë zëvëndëskryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi. Përcaktimi ynë për të qënë pjesë e Bashkimit Evropian mbetet i paluhatshëm, pavarësisht nga vendimet e Samitit të dhjetorit të BE-s.

“Ne nuk mund të vlerësojmë tani se rekomandimi i KE-së për këtë vit do të marrë dritë të gjelbër nga ana e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, por në asnjë mënyrë kjo nuk do të thotë se Maqedonia duhet të zgjedhë rrugë tjetër. Rruga më e mirë dhe më e sigurtë është që Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e BE-së dhe NATO-s”, vlerëson ministri Besimi. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma, por ka forma dhe mënyra me të cilat mund të ndihmohet procesi, ndaj Maqedonia kërkon angazhim më të theksuar të BE-së në zgjidhjen e çështjes së emrit.

A do të ketë format të ri të bisedimeve?

Catherine Ashton und Niikolga Gruevski in Mazedonien

Catherine Ashton dhe Niikolga Gruevski në Shkup

Ndryshimi i formatit të bisedimeve për çështjen e emrit apo përfshirja e Bashkimit Evropian në këtë proces, sipas ekspertëve vendas nuk nënkupton përshpejtimin e zgjidhjes së kontestit disa vjeçar midis Maqedonisë dhe Greqisë. Nëse pesë vite me radhë, Maqedonia merr një raport me vlerësime të njëjta dhe gjithnjë mbetet para dyerve të BE-së, ndërsa vendet e tjera të rajonit gjithnjë e më shumë po afrohen në BE, është tregues serioz se diçka duhet të ndryshojë në politikën e Shkupit. Lobimi, intensifikimi i diplomacisë dhe takimet e njëpasnjëshme në Bruksel vështirë se do të japin rezultate, thotë Bojan Mariçiq, përfaqësues i Qendrës maqedonase për arsimim evropian.

“Çështja kryesore është se Maqedonia dhe Greqia duhet të tregojnë dëshirë, vullnet dhe mënyrë për të formuar një kornizë për zgjidhjen e çështjes së emrit me çka do ta bindnin Bashkimin Evropian se kontesti është i zgjidhshëm”, vlerson Mariçiq.

BE e mirëseardhur në bisedimet për emrin

Profesori universitar Stevo Pendarovski, thotë se kontesti i emrit nuk po mbahet pezull për shkak të formatit apo nga fakti se ku zhvillohen negociatat, në Nju Jork apo në Bruksel. Sipas profesorit Pendarovski, Shkupi ka të drejtë të kërkojë që në procesin e emrit të përfshihet edhe Bashkimi Evropian, por kjo aspak nuk garanton se problemi do të zgjidhet. “Çështja e emrit është zbritur nga rendi i ditës si në Athinë ashtu edhe në Shkup dhe këtu qëndron problemi kryesor, se dy vendet nuk tregojnë gatishmëri për zgjidhjen e kontestit. Pra, problemi nuk qëndron në formatin apo në përfshirjen e ndonjë institucioni ndërkombëtare në bisedime, por tek humbja e interesit te të dy vendet për mbylljen e kësaj çështjeje të hapur”, shprehet Pendarovski.

Mazedonien Gorge Ivanov und EU Stefan Füle in Brüssel

Gorge Ivanov dhe Stefan Füle në Bruksel

Për analistin Albert Musliu, ndoshta është më mirë që negociata për emrin të vazhdojnë në Bruksel, për shkak të afërsisë dhe informimit më të saktë të shteteve anëtare të saj me zhvillimin e procesit. “Mendoj se kjo është edhe një nga arsyet pse Merkeli pati takim të drejtpërdrejtë me Nimic meqë informata më burimore se sa ai për rrjedhën e procesit nuk ka askush tjetër. Këtë e shoh si një lëvizje pozitive dhe si një shenjë e interesimit për përfundimin e këtij procesi”, shprehet Musliu.

Angazhimin e BE-së në procesin e emrit e kërkon edhe partia shqiptare në koalicionin qeveritar BDI. “Pajtimi ndërmjet vendeve të rajonit dhe integrimi në strukturat e NATO-s dhe BE-s paraqesin të ardhmen e vetme për Ballkanin perëndimor. Miqtë nga Evropa dhe SHBA kanë investuar shumë për paqën, stabilitzetin, sigurinë dhe demokracinë në Maqedoni dhe rajon. Ky investim përmbyllet vetëm me integrimin përfundimtar të vendeve të rajonit në NATO dhe BE”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Analistët vendas thonë se pa marrë parasysh përmbushjen e obligimeve që ka Maqedonia ndaj BE-së, si vend kandidat, kusht kryesor për marrjen eventuale të ndonjë vendimi pozitiv nga samiti i BE-s, mbetet emri.