1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Monti Brüssel

23 Nëntor 2011

Kryeministri i ri italian Mario Monti gëzon besim të madh në Bruksel. Por ai duhet të tregojë edhe rezultate. Italia mund të bëhet guri i provës për fatin e gjithë unionit monetar evropian.

https://p.dw.com/p/13FW7
Pritje të larta - kryeministri italian Mario Monti
Pritje të larta - kryeministri italian Mario MontiFotografi: dapd

Si ish komisioner i BE-së, Mario Monti e njeh shumë mirë mënyrën e funksionimit të institucioneve në Bruksel. Ai vlerësohet si një teknokrat i orientuar drejt zgjidhjeve profesionale, krej ndryshe nga paraardhësi i tij në detyrë, biznesmeni Silvio Berluskoni. Profesionaliteti dhe lidhjet e mira me institucionet e BE-së konsiderohen si kyçi i suksesit në rimëkëmbjen e Italisë.

Por suksesi nuk është aspak i garantuar, u shpreh në një konferencë të përbashkët për shtyp të martën (22.11.) presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso. "Kjo qeveri mban një përgjegjësi historike. Ajo gjendet përpara një sfide gjigante. Fjala është për përpjekje afatgjata. Nuk është një finish por një vrap maratoniak."

Në interes të brezave të ardhshëm

Edhe pas caktimit të Montit si kryeministër i ri të Italisë, primet e rrezikut për titujt shtetërorë italianë të borxhit, kanë mbetur në nivele të dhimbshme. BE pret që qeveria e re italiane të reduktojë sa më shpejt deficitin dhe të krijojë kushtet për rritje ekonomike përmes reformave strukturore.

Monti e di se çfarë qëndrese do të hasë në popull dhe që BE-ja mund të kthehet në "kokë turku". Për këtë arsye ai përpiqet të bindë bashkëqytetarët: "Europa nuk është barrë. Europa tregon se çfarë është në interes të Italisë, në interes të brezave të ardhshëm. BE është themeluar me qëllim ruajtjen e europianëve nga ekseset, qofshin këto tepri në borxhe shtetërore apo në ndotjen e mjedisit." Monti premtoi, se në programin e qeverisë do të tregojë kujdes që barra të shpërndahet në mënyrë të drejtë.

"Shpëtoni shkollat, jo bankat" - studentët protestojnë në Milano, kundër masave të kursimit të qeverisë.
Protesta të studentëve në Milano kundër masave në krizën financiare.Fotografi: dapd

Në Eurozonë në të vërtetë nuk duhet të ketë borxhe të dala jashtë kontrollit dhe deficite. Këtë duhet ta garantonte pakti i stabilitetit. Por thuajse asnjë vend nuk e ka respektuar atë. Në të ardhmen Komisioni i BE-së do ta mbikqyrë në mënyrë më të rreptë disiplinën buxhetore, duke filluar që nga hartimi i buxheteve kombëtare, deklaroi Barroso. Komisioni këtej e tutje mund të kthejë mbrapsht një buxhet kombëtar. "Natyrisht ne respektojnë të drejtat kombëtare dhe në fund janë parlamentet e vendeve që vendosin për buxhetet e tyre. Por ato duhet të dinë edhe se me vendimet e tyre mbajnë përgjegjësi edhe për pasoja për të tjerë" - u shpreh Barroso.

Jose Manuel Barroso dhe Mario Monti në Bruksel.
Jose Manuel Barroso dhe Mario Monti në Bruksel.Fotografi: dapd

Një takim i veçantë me "dy të mëdhenjtë"

Monti ka pranuar një ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Nicolas Sarkozy të enjten (24.11.) në Strasburg. Por në Bruksel ai tha se preferon "metodën e bashkësisë". Kështu ai i kundërvihet krijimit të përshtypjes se vendimet e rëndësishme merren tani vetëm mes krerëve kryesorë të shteteve dhe qeverive në Eurozonë. Sipas Montit, duhet shmangur një përçarje mes Eurozonës dhe BE-së, pasi të dy kanë interesa të forta të përbashkëta.

Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi