1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritje e madhe në Tiranë me rastin e 20 vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim mes Shqipërisë dhe Gjemanisë

Arben Muka8 Tetor 2008

Presidenti Bamir Topi falenderon Gjermaninë për mbështetjen e fuqishme që ka dhënë në dy dekada si dhe aktualisht në përmbushjen e dy objektivave madhore të Shqipërisë: anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

https://p.dw.com/p/FW7K
Presidenti Bamir Topi e krahasoi në mënyrë figurative celebrimin e 20 vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman si një ditëlindje.
Presidenti Bamir Topi e krahasoi në mënyrë figurative celebrimin e 20 vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman si një ditëlindje.Fotografi: BilderBox

Me rastin e 20 vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, të martën në mbrëmje (07.10) në një prej restoranteve më luksoze në Tiranë u organizua një pritje nga Ambasada Gjermane, ku ishin prezentë personalitete të larta të jetës politike e publike, përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve ndërkombëtare, etj.

Pritja ishte një rast për autoritetet më të larta të Shqipërisë që të shprehinin falenderimet për Gjermaninë në mbështetjen e fuqishme që ajo ka dhënë në dy dekadat e bashkëpunimit për zhvillim mes dy vendeve. Presidenti Bamir Topi e krahasoi në mënyrë figurative celebrimin e 20 vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman si një ditëlindje.

"Natyrisht që në jetën e njeriut çdo ditëlindje është e bukur, por besoj që përvjetori i njëzetë është simbolika e jetës së njeriut, kështu që kjo mbrëmje është e bukur dhe ka një simbolikë të veçantë. Dhe aq më shumë kur ky përvjetor festohet me kaq miq dhe njerëz, që kanë kontribuar qysh para se të vinte periudha e demokracisë në Shqipëri" - tha Topi.

Presidenti veçoi kontributin e Gjermanise në shkollimin dhe kualifikimin e mijëra të rinjve, specialistëve e personaliteve nga Shqipëria, të cilët tashmë kontribuojnë në të gjithë sektorët e jetës në vend.

Parlamenti gjerman ratifikon pas dy javësh protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Bamir Topi shprehu dhe një veçanti të mbështetjes gjermane, duke përmendur projektet për zonat rurale.

"Ne nuk do të harrojmë kurrë të gjitha ato investime dhe bashkëpunime që janë bërë në fusha të ndryshme, së pari në demokratizimin e institucioneve të Shqipërisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë mjaft investime që janë bërë në zona të harruara dikur në Shqipëri, dhe sot çdo qelizë e territorit të Shqipërisë konsiderohet një qelizë aktive, e shëndoshë dhe një vend ku investohet. Jam i gëzuar, besoj si unë çdo shqiptar, nga lajmi i orëve të fundit që parlamenti gjerman pas dy javësh do të ratifikojë Protokollin e anëtarësimit në NATO dhe kjo padyshim na bën krenarë", tha Presidenti Topi.

Në pritjen e të martës ka përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, një ish-student dhe i kualifikuar në Gjermani e hapësirat e tjera gjermanishtfolëse. Pollo shprehu angazhimin e qeverisë për përmbushjen e reformave në rrugën e proceseve integruese euroatlantike, ku vendi ynë ka mbështetjen e Gjermanisë.

Për të konkretizuar nivelin aktiv të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimin për të ardhmen gjatë pritjes u organizua dhe ceremonia e finalizimit të nënshkrimit të protokollit të bisedimeve mes përfaqësuesve të dy qeverive respektive, ku parashikohet që për periudhen 2008-2009 Gjermania të vërë në dispozicion të Shqipërisë një fond prej 90 milion eurosh te tjera.