1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pritet shumë nga vizita e Papës në Kubë

Papa viziton Kubën, një vend në transformim. Ndryshimi duket edhe në pritjet e besimtarëve dhe opozitës - por Papa vështirë se do t'i përmbushë të gjitha dëshirat.

Kuba në pritje të Papës

Kuba në pritje të Papës

Atyre u kujtohet fare mirë vizita e Papës Gjon Pali i II-të në vitin 1998: Papa polak asokohe u riktheu kubanezëve ditën e pushimit të Krishtlindjeve, e vetmja festë fetare në ishull. Ai forcoi marrëdhëniet mes Kishës dhe shtetit, të rivendosura vetëm pak kohë më parë, dënoi embargon ekonomike të SHBA-së dhe u angazhua pranë ish presidentit Fidel Castro për rreth 100 të burgosur politikë. Ai u takua me intelektualë si dhe me besimtarë katolikë, protestantë dhe hebrenj dhe e kurorëzoi Virgjëreshën Mëshirëplotë të Cobre-s "Nënë e të gjithë kubanezëve, pavarësisht nga raca, orientimi politik apo ideologjia".

Shenjtorja mbrojtëse e Kubës

Shenjtorja mbrojtëse e Kubës në kishën me të njëjtin emër

Papa gjerman, Benedikti i XVI-të, udhëton si "pelegrin i mëshirës" për të festuar 400-vjetorin e zbulimit të imazhit të shenjtorit mbrojtës të kubanezëve. Në udhëtimin e tij Benedikti i XVI-të do të takohet me kryetarin e ri të shtetit dhe do të gjejë "marrëdhënie më të mira" me hierarkinë kishtare në Kubë se sa paraardhësi i tij, vë në dukje Arturo López Levy, politolog amerikano-kubanez në Universitetin e Denverit.

Kryetari i ri i shtetit Raúl Castro nuk konsiderohet si personalitet karizmatik por vlerësohet për rregull më të madh institucional: Kuba gjendet në mes të një procesi transformimi të sistemit ekonomik dhe politik. Përkrahësit e Castros dhe kritikët e moderuar e cilësojnë këtë proces si "aktualizim", "reforma" dhe "tranzicion". Ndërsa kundërshtarët e quajnë me përbuzje "riciklim".

Amalgamë fetare

Në mes të së gjithës gjendet kisha kubaneze. Ajo synon të depërtojë në hapësira sociale të rëndësishme. Për dekada me radhë e kishte të ndaluar, por tani ajo po i rifiton ngadalë këto hapësira me tolerimin e shtetit: hapësirën për ushtrimin e lirë të besimit, një rrjet arsimor dhe mediatik paralelisht me atë shtetëror, shkolla verore, publikime dixhitale dhe paraqitje herë pas here në medie, por edhe rolin e ndërmjetësuesit në tema me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, si lirimi së fundi i të burgosurve politikë.

Vizita e Papës zgjon entuziasëm dhe kureshtje tek një popull që sipas vikarit të përgjithshëm të Havanës, Carlos Manuel de Céspedes, "është shumë fetar, por në kuptimin e ngushtë vetëm në pakicë katolik". Autoritetet katolike thonë se rreth 60 për qind e 11,2 milionë kubanezëve janë të pagëzuar, por vetëm 5 për qind shkojnë rregullisht në mesha. Në jetën e përditshme besimet e ndryshme përzihen: katolikët me protestantë, hebrenj, spiritualistë me ortodoksë dhe madje edhe myslimanë dhe besimtarë me orgjinë afrikane apo besime si Santeria.

Pamje nga vizita e Papës Gjon Pali i II-të në Santiago të Kubës 1998

Pamje nga vizita e Papës Gjon Pali i II-të në Santiago të Kubës 1998

Gëzim paraprak dhe kritikë

Qeveria do të vërë në dispozicion mjetet e transportit publik të ishullit për meshat papnore në 26 dhe 28 mars. Ata që duan të marrin pjesë në meshat në Santiago dhe Havana marrin pushim ato ditë nga punëdhënësit shtetërorë. Krahasuar me udhëtimin e mëparshëm të Papës në Brazil dhe tani në Meksikë, në Kubë ka më pak kritika, edhe pse liberalët dënojnë qendrimin katolik ndaj temave si mbrojtja kontraceptive, aborti apo martesat homoseksuale.

Në përgjithësi pjesa më e madhe e kubanezëve, opozitarët dhe diaspora kubaneze e presin me gëzim vizitën e Papës. Rreth 400 pelegrinë pritet të vijnë nga jashtë. Sipas politologut López Levy, Papa është simbol për më shumë liri fetare dhe shpresë për më shumë pluralizëm politik. "Pajtimi", "dialogu", "qendrimet e moderuara" dhe "hapja hap pas hapi", janë fjalët kyçe të autoriteteve kishtare.

Autor: Rosa Muñoz Lima/ Violeta Campos/E. Xhani

Redaktoi: Bahri Cani