1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë: plagosen deputetë, policë e qytetarë

Bekim Shehu17 Nëntor 2015

Partitë politike opozitare në Kosovë bllokuan sërish punën e parlamentit të Kosovës duke hedhur gaz lotsjellës. Koalicioni qeveritar u mblodh në një sallë të improvizuar dhe miratoi në parim buxhetin.

https://p.dw.com/p/1H78T
Kosovo Tränengas im Parlament
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Prenaj

Deputetët e partive në pushtet u detyruan të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme në një mjedis të improvizuar brenda godinës së kuvendit, pasai deputetët e opozitës penguan mbajtjen e seancës së plenare, në të cilën duhej të diskutohej projekt-ligji për buxhetin e vitit 2016. Me të filluar seanca deputetët e opozitës hodhën një lloj gazi pa ngjyrë dhe gaz lotsjellës pasi sigurimi i parlamentit pengoi bllokimin e foltores prej tyre.

Opozita vazhdon të kërkojë nga qeveria që të tërheqë nënshkrimet nga dy marrëveshjet, ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Përreth godinës së kuvendit qindra përkrahës të opozitës u përleshën me policinë e Kosovës, duke hedhur ngjyrë dhe sende të forta në drejtim të policisë. Këta të fundit përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ka disa policë dhe protestues të lënduar. Në një moment pati përleshje ndërmjet disa deputetëve dhe policisë. Gjashtë polic u lënduan, njofton vet policia e Kosovës.

“Njëri prej tyre është lënduar më rëndë, sepse ka marrë lëndime në kokë. Sipas informatave që i kemi edhe në mesin e protestuesve është lënduar një protestues. Dy prej protestuesve janë arrestuar, ku atyre i janë gjetur koktej molotovi”, tha zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Dy deputet nga Lëvizja Vetëvendosja, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, kërkuan ndihmë mjekësore nga pasojat e gazit lotsjellës.

Në seancën e jashtëzakonshme të improvizuar të kuvendit të Kosovës të pranishëm ishin edhe disa nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesi i BE-së të cilët vazhdimisht po gjykojnë dhe dënojnë aktet e dhunës që po ndodhin në kuvend nga ana e deputetëve të opozitës. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar si provokim të vetëm, dhunën e përdorur në Kuvend.

“Përdorimi i dhunës për të penguar Kuvendin anëtarët e të cilit janë zgjedhur nga shumica e popullit të Kosovës, është provokimi i vërtetë”, ka thënë ambasadori Delawie, duke shtuar se përfaqësuesit e popullit zgjidhen në kuti votimi dhe jo me armë”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shprehu papajtueshmërinë e tij të plotë në lidhje me veprimet e opozitës, e cila po bllokon seancat e Kuvendit të Kosovës. Veprimet e opozitës kryeministri Mustafa, i ka cilësuar akte kriminale, duke kërkuar nga organet kompetente që mos të lejojnë më sjellje të tilla. “Ata që hedhin gaz lotsjellës që përmban elemente kimike, ata që cenojnë deputetet, duhet të përgjigjen para ligjit. Institucionet e ligjit të marrin masa. Nuk do të lejojmë as nuk duhet të lejojmë që shumica parlamentare të pengohet që të mbajë seancën nga tre katër individë”, tha kryeministri Mustafa.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili veprimet e opozitës i ka quajtur akte kriminale dhe të çmendura. “U ballafaquam me një sulm jo vetëm kundër koalicionit qeverisës, por me veprime kriminale të çmendura që po dëmtojnë punën dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Duke mos pasur argumentet për debat, këta liderë opozitarë na kanë sjellë në situatë aspak të lakmueshme. Askush nuk do të mund ta bllokojë Kuvendin e Kosovës. Dhe toleranca ndaj këtyre kriminale duhet të jetë zero”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Partitë politike opozitare, thanë se nuk do të ketë normalizim të situatës në rast se sipas tyre “nuk tërhiqen marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”.

“Nuk ka normalizim pa u tërhequr marrëveshjet. Sot deputetët e opozitës pamundësuan sërish vazhdimin e seancave të Kuvendit të Kosovës. Megjithëse Kuvendi u blindua nga qindra policë, opozita vazhdoi protestën e saj brenda Kuvendit për të parandaluar normalizimin e punës së institucioneve. Koalicioni i "Zajednicës" mund të mbajë mbledhje ilegale nëpër bufe e skuta të Kuvendit, por në Kosovë nuk do të ketë normalitet pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Situata po tensionohet si rezultat i insistimit të pushtetit për t'i realizuar marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ne nuk do të pranojmë diçka të tillë dhe nuk do të ketë çtensionim të situatës pa hequr dorë qeveria nga besnikëria ndaj Serbisë”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tash e gati dy muaj partitë opozitare nuk po lejojnë mbajtjen e seancave të parlamentit, duke kundërshtuar marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.