1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtina zyrtare i kërkon BE-së hapjen e urës në Mitrovicë

Nga protestat e ditës së dielë me 22.06 në Mitrovicë të paktën 10 qytetarë, 13 policë dhe dy gazetarë pësuan lëndime. Protesta u zhvillua në pjesën jugore të Mitrovicës duke kërkuar hapjen e urës mbi Lumin Ibër.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian, që të reagojë për zbatimin e marrëveshjeve për veriun e Kosovës. Në këtë linjë kërkohet hapja për qarkullim e urës kryesore mbi Lumin Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Ky reagim i udhëheqësve të instucioneve të Kosovës u bë pas protestave të dhunshme të së dielës me 22.06, ku qindra qytetarë shqiptarë nga pjesa jugore protestuan duke kërkuar hapjen e urës për qarkullim pas rivendosjes së barrikadës mbi urë nga serbët e veriut të Kosovës.

Protestuesit mbanin parulla në duar “S'duam park - duam urë” dhe “Liri e lëvizjes”. Ata hodhën gurë e gjësende të forta mbi forcat e policisë dhe u vunë zjarrin disa makinave. Të paktën 10 protestues, 13 pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe dy gazetarë morën lëndime gjatë protestës.

Forca të shumta të KFOR-it dhe policë të EULEX-it ishin vendosur në qendër të qytetit dhe mbi urën e Lumit Ibër për të mbështetur policinë e Kosovës në vendosjen e rendit dhe qetësisë.

Në një deklarëtë për media forcat paqeruajtëse thanë se “policia e Kosovës qe në gjendje që të frenojë një protestë të madhe, duke treguar profesionalizëm të madh, efektivitet dhe aftësi në menaxhimin e situatës”.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Salvadore Farina, u bëri thirrje autoriteteve lokale në jug dhe veri të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve që të sillen të qetë dhe të vazhdojnë me dialogun, me qëllim që të zgjidhin problemet përmes takimeve dhe negociatave.

Thirrje për maturi bëri edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se dhuna nuk mund të zgjidhë problemet.

“Çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes përdorimit të dhunës do të përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë çdo proces të vendosjes së normalitetit në qytetin e Mitrovicës dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës”. Ajo thotë se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës.

“Çdo pengesë e vendosur në cilëndo pjesë të territorit të vendit pengon përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe dëmton proceset, që çojnë drejt integrimit të secilit qytetar të vendit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”.

Presidentja Jahjaga thotë se rivendosja e barrikadës në urën e lumit Ibër është e papranueshme dhe nuk i ndihmon qëndrueshmërisë dhe paqes në vend.

Presidentja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që “përmes angazhimit konkret të gjejë zgjidhje për largimin e barrikadës në urën e lumit Ibër, që ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë por në gjithë Kosovën dhe me të cilën dëmtohen proceset e zhvilluara në Bruksel dhe marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.

Në të njejtën linjë është shprehur edhe Qeveria e Kosovës, e cila bënë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëpërmbajtje.

Në një deklaratë për media qeveria e Kosovës “siguron qytetarët se barrikadat e reja mbi lumin Ibër do të hiqen shumë shpejt dhe lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit”.

Ekzekutivi i Kosovës e fton Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimet për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe që sa më shpejt të lirohet Ura e Ibrit nga pengesat për lëvizjen e lirë. Qeveria madje thotë se në rast të mos efektivitetit në këtë drejtim ajo do të marrë masat e duhura në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit të Kosovës”.

Barrikada në urën kryesore mbi Lumin Ibër dhe disa të tjera rrugëve të veriut u vendosën në korrik të vitit 2011 për të penguar autoritet e Prishtinës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pesë ditë më parë serbët e veriut hoqen barrikadën mbi Lumin Ibër vetëm disa orë, duke e zëvëndësuar atë me vazo betoni të mbjellura më pisha dhe e quajtën “parku i paqes”, e cila megjithatë pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve. Këtë barrikadë të re Forcat Paqeruajtëse e cilësuan të motivuar politikisht.