1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtina kërkon ta zbatojë strategjinë për Veriun pa Beogradin

EULEX-i do të konsultohet edhe me Beogradin për integrimin e Veriut të Kosovës në jetën institucionale të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që në implementimin e kësaj strategjie të përfshihet Beogradi.

Ura kryesore e Mitrovicës aktualisht nuk i bashkon komunitetet etnike

Ura kryesore e Mitrovicës aktualisht nuk i bashkon komunitetet etnike

Synimi është mirëqënia sociale dhe ekonomike për Veriun

Strategjia për veriun e Kosovës, e hartuar nga qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare duhet të kalojë në një fazë konsultimesh me të gjithë faktorët relevantë, përfshirë këtu edhe autoritetet e Beogradit, thonë zyrtarë të Zyrës Civilë Ndërkombëtare në Prishtinë. Strategjia për veriun përfshin katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, reformimi i pushtetit lokal, që përfshin krijimin e komunës me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, instalimi i qeverisjes lokale edhe në tri komunat tjera veriore të Kosovës, Leposaviç, Zvecan dhe Zubin Potok si dhe përmirësimi i gjendjes sociale dhe ekonomike me investime të veçanta. Zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare i thanë DW-së, se me planin e tyre për Veriun ata dëshirojnë që në këtë pjesë të vendoset rendi dhe ligji.

”Ne dëshirojmë që në Veri të Kosovës të ketë mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik. Ne dëshirojmë që të krijojmë komunën veriore të Mitrovicës, e cila do të ketë kompetenca për komunitetin që jeton aty. Në këtë linjë, ne dëshirojmë që të ecim përpara dhe të konsultohemi edhe me Beogradin, në mënyrë që strategjia për Veriun të ketë sukses", shprehen në një deklaratë të shkruar për programin tonë, zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Peter Faith.

Qeveria e Kosovës kërkon ta implentojë strategjinë pa Beogradin

Qeveria e Kosovës, e cila është bashkëhartuese e strategjisë për veriun e Kosovës nuk e kundërshton prerazi idenë që Zyra Civile Ndërkombëtare të konsultohet me Beogradin për këtë strategji. Mirëpo zëvëndëskryeministri Hajredin Kuqi, i thotë DW-së se implementuese të kësaj strategjie duhet të jenë vetëm institucionet e Kosovës.

“Qasja jonë në Veri është pozitive, nuk është kundër askujt, por në radhë të parë është për të mirën e popullatës lokale në atë pjesë. Por gjithsesi ne do ta ruajmë tërësinë teritoriale, sovranitetin tonë dhe Beogradi nuk do të ketë mandat, as vendosës e as veto mbi zhvillimet që ndodhin në territorin e Kosovës”, thotë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuqi.

Beogradi zyrtar përkrah strukturat paralele serbe në Kosovë dhe në mbështetje të tyre tashmë ka ndarë një buxhet që kap shumën miliona euro. Ndërkohë, strategjia për Veriun parashikon shuarjen e këtyre strukturave. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi përjashton çdo mundësi të futjes në biseda të drejpërdrejta me Beogradin për shuarjen e strukturave paralele serbe, që ekzistojnë në veri të Kosovës. Ai thotë se Beogradi vetëm mund të interesohet për serbët e Kosovës dhe këtë interesim mund ta shfaqë në raporte të mira fqinjësore me Kosovën.

Kjo shtëpi në Mitrovicën e Jugut pret romët që kthehen

Kjo shtëpi në Mitrovicën e Jugut pret romët që kthehen

“Ne nuk mendojmë për biseda të tilla, për organizime të tilla, por Beogradi mund të interesohet për pakicën serbe, si mund te kenë interesim edhe shtetet e tjera fiqnjë, si Maqedonia, Mali i Zi për pakicat e tyre dhe interesimin që mund ta ketë Kosova për shqiptarët në vendet fqinjë, por gjithmonë duke ruajtur tërësinë teritoriale dhe të drejtën për të qeverisur si shtete sovrane”, thotë Hajredin Kuqi.

Analistët kërkojnë edhe angazhimin e KFOR-it në Veri

Ndërkohë, analisiti i pavarur Driton Lajçi thotë për programin tonë se konsultimet me autoritetet e Beogradit janë të domosdoshme, sepse për këtë ka mandat Zyra Civile Ndërkombëtare. Por e rëndësishme sipas tij është se si të implementohet strategjia për Veriun.

“Meqenëse pika thelbësore është çështja e sigurisë, atëherë në këtë mes duhet të përfshihen edhe forcat paqeruajtëse, sepse ato duhet të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët në Veri të Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë entike. Kjo sepse strategjia për Veriun nuk është strategji as pro shqiptare e as pro serbe, por një strategji e bazuar në kriteret për një jetë cilësore dhe perspektivë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thotë Driton Lajçi.

Strategjia për Veriun e Kosovës do të diskutohet edhe në Grupin Ndërkombëtar për Kosovën, që më datën 8 do të mblidhet në Vjenë të Austrisë. Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në strategjinë e tyre planifikojnë që në pranverë të zhvillojnë zgjedhje lokale në Veri të Kosovës, ndërsa, në fokus do të jetë organizimi i zgjedhjeve për komunën e re serbe në veri të Mitrovicës. Zyra Civile Ndërkombëtare tashmë po punon për krijimin e grupit përgatitor për komunën veriore të Mitrovicës dhe sapo të kompletohet ky grup mund të shpallet data e zgjedhjeve. Përfaqësues nga Zyra Civile Ndërkombëtare thonë se në radhët e komunitetit serb në veri të Mitrovicës ka interesim për t'u përfshirë në ekipin përgatitor për krijimin e komunës dhe ata shpresojnë që në një fazë jo të vonshme ta marrin edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 02.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LpMK
  • Data 02.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LpMK