1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtina dhe Beogradi në prag të marrëveshjes

Në Bruksel do të vazhdojë sot dialogu mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Pritet që palët të nënshkruajnë edhe një marrëveshje për fillimin e normalizimit të raporteve. Por ende ka mospajtime.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi është kthyer dje nga aeroporti i Lubjanës në Bruksel, me ftesën e të ngarkuarës së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Chaterine Ashton. Nga delegacioni kosovarë mësojmë se "sot do të bëhet nënshkrimi i një dokumenti", me palën serbe. Por edhe nuk dihet se cili do të jetë versioni përfundimtar i dokumentit.

Delegacioni i Kosovës dakord

Delegacioni i Kosovës e ka pranuar në tërësi dokumentin prej 15 pikash të propozuar në raundin e nëntë nga ndërmjetësja Chaterine Ashton. Kryeministri Thaçi tha se pala kosovare "e pranon në tërësi dokumentin, ndërsa pala serbe është ajo që e ka refuzuar". Pala kosovare i ka pranuar edhe pikat që kanë të bëjnë policinë rajonale dhe komunale si dhe atë për krijimin e një gjykate të qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës. Kjo do të thotë se organet e atjeshme do të zgjedhin edhe komandantët e policisë rajonale dhe komunale, ndërsa përbërja e policisë do të jenë në përputhje me përbërjen e popullatës.

Ende nuk dihet saktë se cila do të jetë marrëveshja për praninën e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri, por pala serbe ka kërkuar "që në pjesën veriore të mos futen ushtarët e Kosovës". Sot në mëngjes ka nisur takimi i delegacionit të Serbisë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Rassmusen, ku Beogradi kërkon siguri të plotë se në këtë pjesë nuk do të futen forcat kosovare të sigurisë, apo siç thuhet, ushtria e Kosovës.

Delegacioni i Prishtinës e ka pranuar edhe kërkesën e Beogradit që në Asociacionin e ardhshëm të mos futen komunat me shumicë shqiptare: Skënderaj, Vushtrria dhe jugu i Mitrovicës. Në këtë Asociacion do të jenë vetëm katër komunat e veriut: Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe komuna e ardhshme e veriut të Mitrovicës, që do të thotë se shumica dërmuese e popullatës do të jetë e përkatësisë serbe.

Pika kontestuese

Të gjitha këto marrëveshje janë pranuar nga delegacioni i Kosovës, siç marrim vesh, me kusht që Beogradi të pranojë pikën 14 të marrëveshjes e cila parashikon që palët të mos e pengojnë njëra - tjetrën në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Serbia nuk do të duhej të pengonte as anëtarësimin e Kosovës në OKB, gjë që kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq dhe anëtarët e tjerë të delegacionit serb e kanë refuzuar kategorikisht.

"Pranimi i kësaj pike do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës. Por Serbia nuk do ta njohë kurrë shtetin e Kosovës", theksoi Daçiq, pas raundit të nëntë, të mbajtur të mërkurën. Këto qëndrime ai i ka përsëritur edhe në prag të nisjes së djeshme nga Beogradi në Bruksel, në raundin e dhjetë, i cili fillon diku nga mesdita, pas kthimit të baroneshës Ashton nga vizita në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.

Nga burimet diplomatike merret vesh se në pikën 14 mund të ketë ndryshime në formulim. Sipas tyre, në këtë pikë nuk do të shënojë se shtetet obligohen të mos pengojnë anëtarësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare, por do të shënojë "vendet", që do të hapë mundësi për interpretime të ndryshme të delegacioneve.

Kërkohet zbatimi

Pala gjermane dhe disa vende të tjera kanë insistuar që marrëveshja e arritur në Bruksel të zbatohet në tërësi. Vetëm pas marrjes së këtij obligimi mund të jepet drita jeshile që Serbia të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se do të krijohet edhe një komision i BE-së, i cili do të kujdeset për zbatimin e tërësishëm të marrëveshjeve.

Nga kabineti i Chaterine Ashtonit është thënë se palët janë shumë afër marrëveshjes. Pritet që ajo të nënshkruhet pasdite, por dallimet mes palëve ende ekzistojnë. Raporti përfundimtar i baroneshës Ashton për ecurinë e dialogut do të paraqitet ditën e hënë.