1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtinë: Samiti i Komisioneve për Punë të Jashtme të Parlamenteve të Shteteve të Evropës

Organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës po zhvillohet në Prishtinë “Samiti i Komisioneve për Punë të Jashtme të Parlamenteve të Shteteve të Evropës”.

Panelistët dhe pjesëmarrësit diskutuan për perspektivat e zgjerimit të BE-së, përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare, për krizën e emigracionit, si dhe për luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon. Në samit po marrin pjesë përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve kosovare.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, tha në fillim të samitit  se "Ballkani Perëndimor duhet të afrohet me Bashkimin Evropian. Pa paqe nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik dhe mbajtja e këtij samiti në Prishtinë është shembulli më i mirë për të shkëmbyer ide.”

Bashkëpunimi rajonal

Në ditën e parë të punimeve të samitit, diskutimet u fokusuan, në bashkëpunimin rajonal, afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

EU Erweiterung und Mazedonien Tanja Fajon MdEP (DW/S. Padori)

Tanja Fajon

Eurodeputetja Tanja Fajon, tha se Kosova ka shënuar progres viteve të fundit, duke përmendur këtu hyrjen në fuqi të marrëveshjes së stabilizim asocimit (MSA), por tha se është e rëndësishme që të përfundojë edhe procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova akoma nuk e ka plotësuar kushtin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kriter ky i vendosur nga komisioni evropian në mënyrë që Kosova ta merr liberalizimin e vizave.

"Dua t'ju ofroj mbështetje për demarkacionin me Malin e Zi. I ftoj parlamentarët dhe ju lutem që mos t'i stoponi proceset dhe liberalizimin e vizave për interesa partiake. Duhet bëhet çfarë është e mundur për ta ratifikuar këtë marrëveshje në ditët e ardhshme. Tash ju e keni radhën”, tha Tanja Fajon.

Dialogu Kosovë-Serbi

Fajon foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë që ky dialog të vazhdojë duke rikujtuar se edhe Bashkimi Evropian po kalon nëpër kohë të sfidave të mëdha.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, duke u fokusuar më së shumti në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe kriteret e mbetura që Kosova duhet t'i përmbushë. Ajo tha se polarizimi i skajshëm i pozitës dhe opozitës ka rezultuar me një ngërç politik dhe mospunë të kuvendit.

"Ne insistojmë që Kosova t'i përmbush edhe dy kriteret e mbetura. Politikanët e mbajnë çelësin për liberalizim, ata duhet të miratojnë demarkacionit me Malin e Zi dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit. I inkurajoj politikanët ta gjejnë konsensusin për t'i përmbushur edhe dy kushtet e mbetura për liberalizim”, tha Apostolova.

Duke u fokusuar në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në dialogun me Serbinë, kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nuk duhet lejuar që retorika e ashpër nacionaliste e kohëve të fundit, të dëmtojë frymën dhe efektivitetin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera. Ne të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona, fillimisht të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke”, tha kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

Thaçi: Kritikë në qasjen e BE-së në politikat e zgjerimit

Wahl im Kosovo 08.06.2016 Hashim Thaci (Reuters)

Hashim Thaci

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shfaqi në fjalën e tij një dozë kritike në qasjen e BE-së në politikat e zgjerimit.  "Ndonjëherë lihet përshtypja se në BE nuk ka lidership dhe vizion për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Por, askush nuk mund ta kontestojë që projekti i BE-së ka arritur me sukses misionin e vet themeltar, që të ruajë paqen në vendet e veta anëtare. Prandaj, edhe Kosova, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor synojmë anëtarësimin në BE dhe në NATO. Këto do të jenë themelet e paqes dhe të sigurisë në rajonin tonë”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi tha çështja e demarkacionit është punë e brendshme e Kosovës dhe shpreson që Kuvendi në ditët e ardhme do të ratifikojë demarkacionin, ndërsa, Brukseli sipas tij, do të lëvizë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Thaçi vuri në pah shtrirjen e ndikimit të Rusisë kohët e fundit në rajonin e Ballkanit dhe pengesat që ia bënë Rusia Kosovës.

"Për fat të keq Rusia vazhdon të vë veto në Këshillin e Sigurimit për pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk ka asgjë të keqe me Rusinë. Moska raportet me Kosovën duhet t'i sheh përtej raportit dhe interesit me Serbinë dhe nga këtu e ftoj Moskën zyrtare ta njoh Kosovën”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Fokus i veçantë gjatë Samitit të Komisioneve për Punë të Jashtme të Parlamenteve të Shteteve të Evropës do t'i kushtohet edhe krizës së emigracionit dhe luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajonin e Ballkanit.