1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtinë: incidente të dhunshme dhe zjarrvënie pas protestës së opozitës

Grupe protestuesish hodhën koktej molotovi mbi ndërtesën e qeverisë dhe policinë e Kosovës. Presidentja e Kosovës bën thirrje për qetësi.

Gjithҁka dukej se do të përfundonte qetë në protestën e opozitës në Kosovë, por për një moment një grup protestuesish hodhën dhjetra shishe koktej molotovi duke i vënë flakën një pjese të ndërtesës së qeverisë. Gjuajtet me gurë dhe sende të forta vazhduan duke thyer xhamat e ndërtesës së qeverisë. Më pas ndërhyri policia duke hedhur gaz lotsjellës ndaj masës protestuese. Kështu edhe filluan përleshjet e dhunshme ndërmjet pretestuesve dhe policisë së Kosovës dhunë kjo që për disa orë rresht u zhvillua nëpër rrugët e qendrës së Prishtinës. Policia nxorri në rrugë edhe autoblindat për të shpërndarë grupet protestuese që vazhdimisht hidhnin koktej molotovi dhe sende të forta mbi policinë. Protestuesit disa herë u vunë flakën edhe automjeteve të policisë duke hedhur koktej molotovi mbi to. Tash për tash akoma nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave të lënduar, mirëpo ajo që dihet dhe që konfirmohet nga ana e policise është së ka të lënduar edhe nga policia edhe nga protestuesit, si dhe ka dëme të shumta materiale mbi prona publike dhe private.

E gjithë kjo dhunë ndodhi pas protestës (09.01)së partive politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK dhe Nisma orgnizuar nën moton "për shtet me sovranitet", duke e quajtur qeverinë e Kosovës si shkelëse të Kushtetutës. Në protestë morën pjesë disa mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha rajonet e Kosovës. Pos anulimit të dy marrëveshjeve, atë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, në protestë opozita kërkoi edhe dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Në pjesën e fundit të vitit të shkuar Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj tha se disa pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe e nënshkruar më 25 gusht të vitit të shkuar ndermjet Kosovës dhe Serbisë, nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese megjithatë konstatoi se asociacioni do të themelohet, siç është parashikuar në Marrëveshjen e parë të 19 prillit të vitit 2013, marrëveshje kjo e ratifikuar edhe nga parlamenti i Kosovës.

Partitë politike opozitare po kërkojnë anulimin e dy marrëveshjeve. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta zbatojë me përpikmëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu siҁ rekomandon Gjykata se si duhet themeluar asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Dhunën e shfaqur të shtunën në rrugët e Prishtinës e ka dënuar ashpër Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. "Dënoj ashpër vandalizmin e pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit, që e kanë për detyrë t'i mbrojnë institucionet e vendit. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci, e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe si mjet për të shprehur pakënaqësinë nuk duhet të kontestohet nga askush. Por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe zjarrvënia e sotme institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme", thotë Presidentja Atifete Jahjaga. Presidentja u apelon protestuesve që të tregojnë përgjegjësi, i thërret ata për qetësi, ndërsa organizatorëve të protestës u kërkon të distancohen nga aktet e dhunshme dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës.

"E ripërsëris thirrjen time që zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra e vetme për të tejkaluar çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes. Këto zhvillime dhe mungesa e përpjekjeve për të gjetur një mes po na kthejnë në pikën zero dhe po lëndojnë përkrahjen që e gëzojmë në konsolidimin tonë si shtet i pavarur dhe sovran", thotë Presidentja Atifete Jahjaga.

Njëra nga partitë politike opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj Ramush Haradinaj, apeluan nëpërmjet një komunikate për media që të tërhiqen të gjithë të përfshirët në incidentet e dhunshme pas protestës që siҁ thuhet ishte e qetë.

"Protesta e sotme e mbajtur në Prishtinë, ishte protesta më e madhe e mbajtur që nga paslufta. Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha përcaktimet politike, sot i thanë jo qeverisë Mustafa. Mesazhet e kësaj proteste ishin më të qartat dhe më të vendosurat se kjo qeveri nuk mund ta vazhdojë mandatin e saj", thuhet në reagimin e AAK-së.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nga ana e tij ka thënë se skenat e dhunës nëpër rrugët e Prishtinës i gëzojnë kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës ndërsa, i frikësojnë qytetarët.

"Protesta e sotme kishte një fillim dinjitoz, me një përfundim dëshpërues. Dhunimi i shtetit në forma të tilla të zjarrvënies së institucioneve entuziazmon kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, zhgënjen partnerët ndërkombëtarë të shtetit tonë dhe dëshpëron e frikëson qytetarët që duan t'i rrisin fëmijët e tyre në këtë vend. Sa nuk është bërë vonë duhet reflektuar. Kjo nuk është Kosova që duan qytetarët e saj", thotë në reagimin e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës.