1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtinë: Hidhet poshtë kërkesa e opozitës për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa. Kështu konstatuan në një seancë të jashtzakonshme deputetët e Kuvendit të Kosovës të partive në pushtet, duke hedhur poshtë kërkesën e opozitës.

Pamje nga një seancë e Kuvendit të Kosovës (arkiv)

Pamje nga një seancë e Kuvendit të Kosovës (arkiv)

Qeveria e Kosovës tha sot se bisedimet me Serbinë nuk janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, duke hedhur poshtë kështu kërkesat e opozitës për ndërprerjen e bisedave aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Opozita kërkoi që të hartohet një platformë e re për biseda dhe kjo platform të ratifikohet në parlament dhe pastaj të rifillojnë bisedimet me Serbinë. Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, inicues i seancës së jashtzakonshme, tha se marrëveshjet e arritura me Serbinë janë të dëmshme dhe kthim prapa për Kosovën. Sipas tij, vetëm Serbia po përfiton nga ky dialog.

Në foto, Ismet Beqiri

Në foto, Ismet Beqiri

“Bisedimet nuk duhet zhvilluar që ne t'i ndihmojmë Serbisë për të fituar statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Bisedimet nëse ka nevojë duhet zhvilluar për t'i ndihmuar Kosovës që para Serbisë të kandidohet dhe të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Nëse ne e bëjmë këtë me vetëdije apo pa vetëdije për Serbinë, ne duhet ta dimë se për një kohë të gjatë do të mbesim jashtë këtij integrimi”, tha Ismet Beqiri.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se dialogu me Serbinë është obligim ndërkombëtar i qeverisë dhe parlamentit dhe ky dialog sipas tij, është një vlerë që Kosova duhet ta përqafojë dhe nuk ka kthim prapa.

“Kërkesa për pezullim të dialogut si vlerë edhe e popullit të Kosovës dhe vlerë e vendeve evroatlantike, është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me Bashkimin Evropian dhe SHBA-së”, tha kryeministri Thaçi.

Në foto, kryeministri Thaçi

Në foto, kryeministri Thaçi

Debati në seancën e jashtzakonshme për dialogun me Serbinë në disa raste ishte shumë i nxehtë, duke akuzuar njëra tjetrën dy partitë më të mëdha PDK-së dhe LDK-së, për gabime në të kaluarën gjatë qeverisjes në raport me politikën e Kosovës kundruall Serbisë. Sidoqoftë, megjithë debatin, kryeministri tha se dialogu me Serbinë do të vazhdojë.

Raundi i ardhshëm i dialogut, do të mbahet në fund të muajit korrik. Sipas kryesueses së delegacionit të Prishtinës Edita Tahiri, në këtë takim pritet të arrihen edhe marrëveshje tjera, që kanë të bëjnë me energjetikën dhe telefoninë. Një muaj më parë tri marrëveshjet që u arriten ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë “Liria e lëvizjës, njohja e ndërsjellë e diplomave shkollore dhe universitare dhe regjistrat civilë”. Këto marrëveshje sipas qeverisë do të fillojnë së implementuari me 1 nëntor të këtij viti.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti