1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prishtinë: Akoma shpresa për marrëveshje me Beogradin

Në ditët në vijim, diplomacia evropiane dhe amerikane do të bëjnë përpjekje për t’i bindur Beogradin dhe Prishtinën, që marrëveshja të arrihet dhe që të garantohet zbatimi i saj.

default

Hashim Thaci, Cathrin Asthon dhe Ivica Dacic

Në Prishtinë ka akoma shpresë që do të arrihet marrëveshje me Beogradin dhe në këtë mënyrë Kosova dhe Serbia t'i normalizojnë marrëdhëniet dhe të vazhdojnë rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten 04.04, se dialogu me Beogradin nuk është përmbyllur dhe ai është optimist se ditëve në vijim palët do të kthehen në Bruksel për të arritur marrëveshjen. Këto komente kryeministri Thaçi i bëri gjatë një konference në Prishtinë ku u fol për rolin e diplomacisë publike dhe bashkëpunimit ndër-kufitar.

“Unë dua të shpresoj që ditët e ardhshme do të jenë aktive, dinamike, pozitive që do të qojnë lidershipin edhe në Prishtinë edhe në Beograd drejt vendimmarrjes dhe marrëveshjes. As unë nuk jam entuziast, nuk e ndiej veten fitues, por të përgjegjshëm për vendimmarrje”, tha kryeministri Thaci.

Pa marrëveshje mund të ketë përkeqsim të situatës

Kryeministri Thaci, thotë se nëse nuk arrihet marrëveshja, mund të ketë përkeqsim të situatës. “Jam optimist për normalizim dhe jo për destabilitet. Nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë, atëherë thënë të drejtën nuk pres një situatë më të mirë, por pres përkeqësim. Andaj është ftesë edhe e imja që të shkohet drejt marrëveshjes”, ka deklaruar Thaçi.

Angazhim i shtuar amerikan dhe evropian për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Kryeministri Hashim Thaci, takoi me 04.04 presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për ta informuar atë për rrjedhën e rundit të tetë të dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Në një deklaratë të shkruar nga presidenca e Kosovës, thuhet se për t'i bindur palët që të arrihet marrëveshja Kosova-Serbi, këto ditë do të ketë angazhim të shtuar të diplomacisë amerikane dhe evropiane.

“Palët nuk arritën t'i harmonizojnë të gjitha qëndrimet dhe u kërkua kohë shtesë për të marrë vendim të përgjegjshëm. Baronesha Ashton do të njoftohet përfundimisht deri më datën 9 prill për vendimet. Në ditët në vijim, diplomacia evropiane dhe amerikane do të bëjnë përpjekje për t'i bindur palët që marrëveshja të arrihet dhe që të garantohet zbatimi i saj”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga presidenca e Kosovës.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, i dha mbështetje të plotë qëndrimit të kryeministrit Thaci, për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane. “Dialogu ndikon në vendosjen e marrëdhënieve normale ndërmjet të dyja shteteve që duhet të ndihmojnë njëra tjetrën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke ndërtuar raporte të mira fqinjësore”, thotë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Serbia gjendet në një situatë dramatike

Nga ana tjetër, nënkryetari i parë i qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar për RTS, se Serbia gjendet “në një situatë dramatike”, sepse është e detyruar të zgjedhë ndërmjet dy çështjeve të vështira, “të pranojë një plan shumë të keq për serbët në veri të Kosovës”, apo të refuzojë të nënshkruajë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën. Ai ka thënë se deri të martën me datën 09.04, Belogradi duhet t'ia dërgojë Brukselit përgjigjen nëse mundet ose jo të pranojë disa çështje të caktuara.

Në veri të Kosovës me datën 04.04, ka qëndruar Aleksandër Vulin, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Sebisë. Mediat lokale serbe thonë se ai ka diskutuar me përfaqësuesit e serbëve të veriut disa pika të vështira të marrëveshjes së mundshme me Kosovën, duke mos saktësuar detaje të tjera.