1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Prioritetet e qeverisë greke

Qeveria e re greke, që fillon sot (14.11) diskutimin në parlament të programit, ftohet të bëjë të pamundurën brenda 100 ditëve: të shpëtojë arkat bosh dhe vendin nga falimentimi dhe organizojë zgjedhje të parakohshme.

Kabineti i ri grek

Kabineti i ri grek

Është e padrejtë që një qeveri e porsashpallur të kritikohet që në orët e saj të para. Madje dyfish e padrejtë kur është një qeveri emergjente dhe provizore si ajo greke e Llukas Papadhimos, që pasoi qeverinë e “rraskapitur” të Papandreut dhe të cilës i kërkohet brenda 100 ditëve të shpëtojë vendin nga falimentimi i pakontrolluar dhe ta çojë në zgjedhje të parakohshme. Por problemi i kabinetit të ri tripartiak nuk është sigurisht numri i madh i anëtarëve të tij, gjithsej 48 ministra dhe zëvendësministra, për të cilin eksperti shpresëdhënës financiar Papadhimos, hyri menjëherë në tehun e kritikave. Problemi i vërtetë i qeverisë është “mali” i problemeve që ftohet të mbartë mbi supe dhe t'i japë zgjidhje në rrugëtimin e saj 100ditor.

Papadhimos para “katër betejave”

“Mendoj se ka katër beteja bazë para tij për të dhënë zoti Papadhimos. E para është beteja me kohë,n se afatet janë shumë të ngushta. E dyta është beteja e ekuilibrave në një qeveri bashkëpunimi tripartiake, në kushtet e mungesës së traditës dhe kulturës bashkëkohore konsensuale. E treta të rehabilitojë qoftë edhe minimalisht kredibilitetin e humbur të Greqisë jashtë vendit. Dhe e katërta, më e vështira, është beteja të rifitojë një pjesë të paktën të kredibilitetit të humbur të politikës ndaj shoqërisë,” i thotë DW gazetari dhe analisti i njohur Babis Agrollambos. Sipas tij rrallë ndodh si tani, me qeverinë e Papadhimos, të dihen deri në detaje që pa u shpallur prioritetet e saj, diskutimi i të cilave fillon sot në parlament. “Vepra kryesore e saj është materializimi i marrëveshjeve të samitit të liderëve të eurozonës të 26 tetorit 2011 si edhe zbatimi i politikës ekonomike që lidhet me këto vendime” tha kryeministri në deklaratën e tij të parë publike.

Gazetari dhe analisti i njohur Babis Agrollambos

Gazetari dhe analisti i njohur Babis Agrollambos

Me “një frymë” dhe pa humbur kohë –jo “të mos marrë frymë për asnjë minutë” siç thotë e majta që i ka shpallur luftë- qeveria pas betimit të saj këtë të mërkurë fillon punën për përpilimin e projektbuxhetit të vitit 2012 dhe paraqitjen e tij në parlament për aprovim para 21 nëntorit. Një punë aspak e lehtë, që do të kryhet në prani dhe të ekspertëve të troikës që mbërrijnë sot në Athinë. “Por ekziston ndjesia e devijimit. E kemi nga vlerësimet e Komisionit Evropian. Buxheti do të mbyllet për sivjet mbi nivelin e parashikuar 8.5%, aty tek 8.9%. Pra buxheti i ri fillon me një korrigjim përsa u përket mesave që duhen,” thotë Agrollambos. Qeveria duhet të sjellë para në arkat bosh të shtetit –paketa me 7 haraçet duket problematike- dhe kjo është një çështje që do të vejë në provë si rezistencën e saj po kështu edhe aftësinë menaxhuese. Vetëm kështu do të mund të arrijë të sjellë në Greqi në fillim të dhjetorit, kur do të kenë skaduar edhe obligacione prej 2.9 miliardë eurosh, paratë prej 8 miliardë eurosh të këstit të 6-të të ndihmës. Më parë duhet të ketë konkluduar me trojkën për marrëveshjen e re të kreditimit dhe paketën e re të masave shtrenguese, të ketë kurorëzuar sistemin e ri fiskal, të ketë avancuar reformat strukturore me sistemin e ri të pagave dhe zbatimin e rezervave të punës dhe të hapë kapitullin e privatizimeve të pronës publike prej 50 miliardë eurosh. Përpos kësaj, duhet të garantojë qëndrueshmërinë e bankave dhe të arkave të siguracionit social gjatë qethjes së borxhit, me fillimin e zbatimit të “PSI Plus”, që do të humbasin rreth 25 miliardë. Vetëm kështu do të sigurohet paketa e re e ndihmës prej 130 mliardë eurosh kësti i parë i sëcilës, që do të jepet në fillim të shkurtit, nuk do të jetë 8 por 20 miliardë euro.

Qeveria duhet të “luajë” në terrenin rreshqitës të konsensusit politim dhe social

Steka e objektivave pra është vënë shumë lart dhe gjithçka ngjan me një “bëmë moderne herkuliane”. Nuk mund të flitet për sukses pa tolerancën politike ndaj qeverisë. Në radhë të parë të partnerëve evropianë presingu i të cilëve duhet të jetë i matur. Në radhë të dytë të aleatëve partiakë që nuk duhet qe me pengesat e para “të tërheqin nga vetja kuvertën e njëri-tjetrit” për të shkarkuar përgjegjësinë. Por më kryesorja nuk mund të flitet për sukses pa tolerancën shoqërore, në terrenin e sëcilës kreministri i ri do të sprovohet fort. “Nuk mundet që një kafshë ngarkese që ngre vazhdimisht më shumë pesha të jetë e kënaqur. Do të rënkojë, do të hungërojë dhe shumë herë do të hedhë edhe shqelma,” thotë në mënyrë figurative Agrollambos për revoltën sociale që mund të rishpërthejë nga një shtim eventual i masave shtrenguese.

Llukas Papadhimos

Llukas Papadhimos, kryeministri i ri

Analistët skeptikë: “Pak propabilitet për të qenë e suksesshme”

Analistë të tjerë si Babis Polikroniadis, shohin vetëm një çtensionim të përkohshëm, politik dhe social, dhe shprehen shumë skeptikë për fatin e kabinetit të Papadhimos. “Qeveria e re greke ka pak propabilitet për të qenë e suksesshme,” i thotë Deutsche Welle analisti ekonomik grek dhe përmend tri arsye: E para se shoqëria greke “në zgrip të dëshpërimit i konsideron bankat fajtore për jetën e tyre të përmbysur dhe nuk ka për t'i besuar një bankieri që nuk ka për të hedhur para në treg muajt e ardhshëm, sado popullaritet që të ketë jashtë vendit”. E dyta se marrëveshja e 27 tetorit dhe masat që duhet të merren janë “copy paste” të recetave të Memorandumit që asfiksuan ekonominë. Dhe e treta, Papadhimos është “opcioni i sistemit politik që kërkonte një teknokrat për t'i plasur bomba në dorë,” thotë Babis Polikroniadis.

Gjithsesi në krye të 100 ditëve do të duket se kush ka të drejtë, skeptikët apo optimistët. Hëpërhë një gjë është e padiskutueshme: bashkëqeverisja 100-ditore është shansi i fundit i Greqisë për të shpëtuar falimentimin.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama