1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq, njoftoi se prioritetet e Serbisë janë integrimet evropiane, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial me mjete paqësore, bashkëpunimi rajonal dhe diplomacia ekonomike.

default

Vuk Jeremiq

"Serbia po bën një politikë të jashtme racionale dhe të pavarur“, tha Jeremiq me rastin e prezantimit në Parlamentin e Serbisë të raportit për politikën e jashtme serbe, gjatë vitit të kaluar. Ai theksoi se Beogradi edhe më tej është i orientuar drejt katër qendrave kryesore botërore: Brukselit, Moskës, Uashingtonit dhe Pekinit.

Jeremiq bëri të ditur se gjatë vitit 2010 ka pasur 113 takime me homologët e tij nga bota, ndër ta 25 ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Jeremiq ka qenë për vizita zyrtare në vendet tjera 46 herë, ndërsa Serbinë e kanë vizituar 16 ministra të jashtëm, 11 prej tyre nga vendet e BE-së.

Serbien Parlament in Belgrad

Parlamenti, Beograd

Jeremiq tha se sukeset më të mëdha gjatë vitit të kaluara ishin liberalizimi i vizave, ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përgjigjet serbe në pyetësorin e BE-së. Ai shpreson se Serbia gjatë këtij viti do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE duke shtuar se ndër kushtet kryesore në këtë rrugë janë përfundimi i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe bashkëpunimi rajonal.

Një prioritet tjetër i diplomacisë serbe gjatë vitit të kaluar ishte ngadalësimi i procesit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konstatoi që shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Qëllimet tjera ishin pamundësimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fillimi i dialogut me Prishtinën, për gjetjen e një kompromisi për statusin, tha Jeremiq i cili si sukses të jashtëzakonshëm e quajti faktin që Kosovën pas mendimit këshilldhënës të GJND-së, e kanë njohur vetëm gjashtë shtete.

Jeremiq theksoi se për këtë vit një prej prioriteteve të Beogradit mbetet krijimi i një komisioni ndërkombëtar të OKB-së për zbadhjen e pohimeve në raportin e Dick Martyt, për tregti me organe njerëzore.

Opozita e kritikoi Jeremiqin në parlament për shkak të dështimeve të shumta, në veçanti gjatë procesit të zhvilluar para GJND-së. Sa i përket dialogut me Prishtinën, Jeremiq nuk deshi të përgjigjet në asnjë pyetje të deputetëve, me shpjegimin se kjo çështje po zhvillohet nën patronatin e qeverisë dhe jo ministrisë së Jashtme.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama