1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Prezencë e fuqishme" - Samiti ASEAN, strategji e re e SHBA në Azi dhe Paqësor

Menjëherë para fillimit të takimit të nivelit të lartë të bashkësisë së shteteve aziatike ASEAN (17.11-19.11.) në Bali, Presidenti i SHBA, Barack Obama ka rënë dakord për një bashkëpunim të ngushtë ushtarak me Australinë

Presidenti Barack Obama në Bali të Indonezisë ku zhvillohet samiti ASEAN

Presidenti Barack Obama në Bali të Indonezisë ku zhvillohet samiti ASEAN

250 ushtarë në bazën e marinës Darwin në Australi, një fillim i vogël i një strategjie të madhe të re. Ne kemi ardhur për të qendruar, tha presidenti i SHBA, Barack Obama pas bisedave të tij me kryeministren e Australisë, Julia Gillard dhe këto fjalë shënojnë një kthesë të qartë në politikën e SHBA në Azinë Juglindore dhe në Paqësor.

"Për sigurinë që na nevojitet, dhe për mirëqënien, të cilën e synojmë, në këtë rajon dhe kudo në botë, ne tani e zgjeruam bashkëpunimin."

Obama gjatë vizitës në Australi

Obama gjatë vizitës në Australi

Në fillim do të jenë 250, pastaj 2500 ushtarë, të cilët do të stacionohen në Darwin - por shumë më e rëndësishme është simbolika e bashkëpunimit. Obama, i cili do të udhëtojë të premten në Bali në takimin e nivelit të lartë të Bashkësisë Aziatike të Shteteve, ASEAN, synon të demonstrojë prani në Azinë Juglindore, në territorin nën ndikimin e Kinës.

Rezervat me naftë dhe gaz, shkak për konflikte të reja

Konflikte kërcënojnë të shpërthejnë për shembull në Detin e Jugut të Kinës, ndaj të cilit Kina ngre pretendime thuajse totale, por det për të cilin kanë pretendime të njëjta Vietnami, Filipinet por edhe Malajzia. Atje, në afërsi të Ishullit Spratly besohet se ekzistojnë rezerva të mëdha nafte dhe gazi- dhe shtetet e vogla të Azisë Jugore kërkojnë një aleat të fortë në mosmarrëveshjen me Kinën e madhe.

"Bashkëpunimi i ngushtë me Australinë na lejon që të reagojmë më shpejt edhe në rajonin e Azisë Juglindore, kur është fjala për shembull për katastrofa natyrore, kur shtete të vogla kanë nevojë për ndihmën tonë."

Hillary Clinton në Samitin e APEC-ut në Havai

Hillary Clinton në Samitin e APEC-ut në Havai

Kina nuk përmendet nga Obama, por kryeministri i Kinës Wen Jiabao duhet ta ketë kuptuar mesazhin.

Shrytëzimi i tregtisë së lirë, temë diskutimi në ASEAN

Për SHBA, Azia Juglindore dhe Paqësori janë veç kësaj edhe një treg i shfrytëzuar pak. Zonat ekzistuese të tregtisë së lirë do të zgjerohen, për këtë u ra dakord që në takimin e nivelit të lartë të APEC-ut në fundjavën e kaluar (12.11.-13.11.) në Havai, për këtë do të bëhet fjalë edhe në takimin e nivelit të lartë të ASEAN-it në Bali.

Edhe ministrja e jashtme e SHBA, Hillary Clinton pritet të shkojë në Bali, më parë ajo nënshkroi në Filipine të ashtuquajturën Marrëveshje të Manilas. Në të bëhet fjalë edhe për - bashkëpunim ushtarak, dhe në sfond një rol luan edhe konflikti për naftë dhe gaz me Kinën.

Autor: Udo Schmidt, Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi