1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presioni i qeverisë serbe ndaj mediave

Qeveria e re serbe ka qëndrime të ashpra ndaj mediave, që e kritikojnë punën e saj. Kjo u dëshmua kohët e fundit, ndërkohë që këtë sjellje të qeverisë e ka dënuar oponioni serb, por edhe përfaqësuesit e BE në Beograd.

Përfaqësuesit e Qeverisë dhe Partia Përparimtare Serbe (SNS) kanë nisur një fushatë të ashpër ndaj mediave, që kritikojnë politikën e Kryeministrit të ri Aleksandar Vuçiq. Pas formimit të qeverisë së re ka pasur shumë raste të sulmeve. Konflikti mes mediave dhe pushtetarëve ka filluar në prag të formimit të kabinetit të ri qeverisës, kur përfaqësuesit e pushtetit kishin lejuar në fillim vetëm një medium të huaj dhe tri serbe që të bëjnë inçizime. Më vonë ky vendim ka ndryshuar, por sulmet ndaj mediave kritike kanë vazhduar. SNS ka sulmuar edhe televizionin publik RTS, me shpjegimin se "po bashkëpunon me Partinë Demokratike në opozitë për të koordinuar sulmet ndaj Vuçiqit dhe SNS".

Shkaku i këtyre sulmeve ishte biseda në studion e programit të mëngjesit me një gazetar të gazetës "Veçernje Novosti", i cili ka dhënë mendimet e tij për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Gazetari Srgjan Shkoro është larguar nga pozita e shefit të deskut, ndonëse në këtë gazetë thonë se largimi i tij s'ka të bëjë me këtë rast.

Edhe gazetari Nebojsha Spaiq është larguar shumë shpejt nga posti i këshilltarit të drejtorit të përgjithshëm në RTS, sepse ka folur hapur për gabimet e Qeverisë së re. Jozyrtarisht thuhet po ashtu se edhe një emision i gazetares Olivera Kovaçeviq është hequr nga programi për një kohë të pacaktuar, për shkak të pjesëmarrjes së saj në një tryzë të rrumbullakët për mediat, ku ka paralajmëruar nga rreziku i autocensurës së gazetarëve.

Lidhur me gjendjen e mediave në Serbi ka reaguar edhe shefi i misionit të BE në Beograd, Michael Devenport me fjalët se "gjendja në mediat e Serbisë është shumë e pakënaqshme". Sipas tij, në media ende ekzistojnë fenomene të pakëndshme dhe të papranueshme. "Serviset publike duhet të jenë të gatshme të kritikojnë pushtetin", thotë ai.

Nuk ka reforma pa lirinë e shtypit

Disiplinimi i mediave ka qenë prezent që në kohën e fushatës elektorale, pohon për DW Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike. "Shtëpia e të Drejtave të Njeriut ka bërë një analizë, ku është konstatuar një prezencë shqetësuese e SNS në të gjitha mediat, përveç në gazetën Danas. Kjo parti është favorizuar në të gjitha gazetat tjera, në veçanti në "Veçernje Novosti" dhe në "Politika", thotë Popoviq.

„Ne do të kemi probleme të mëdha me lirinë e mediave në Serbi", paralajmëron ai duke shtuar se pa lirinë e shtypit nuk mund të bëhen as reformat e duhura në këtë vend. Vukashin Obradoviq, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur, mendon se këto presione të shpejta kanë edhe një shpjegim: „Qeveria serbe është e gatshme për reforma, ndaj i duhet mbështetja absolute e mediave. Reformat dotë jenë shumë të dhimbshme, ndaj mediat do ta kenë për detyrë t'i zbukurojnë ato. Ndërkohë që në media gjendja po keqësohet gjithnjë e më shumë".

Rastet e fundit duhet të shërbejnë si mesazh edhe për gazetarët e tjerë që eventualisht kanë mendime kritike ndaj pushtetit, thotë Obradoviq. Ndërsa Dragan Popoviq shton se vetë fakti, që reagohet për një deklaratë të gazetarit në një program mëngjesi, do të thotë se në Serbi ekziston një potencial shumë i madh i autoritarizmit.

Presionet ekonomike

Shumica dërmuese e mediave në Serbi po përpiqet t'i vardiset qeverisë së re. Obradoviq mendon se shkaku kryesor është fakti që shteti në Serbi është punëdhënësi kryesor dhe shumë media kanë frikë se nuk do ta mbijetojnë, nëse futen në konflikt me pushtetin. Kjo ka të bëjë me kushtëzime të mëdha ekonomike, të cilat i bëhen shtypit, mendon ai. Megjithatë ka shumë media, që ende kanë politikë antievropiane redaktuese. "Kjo shpjegohet me faktin që baza e partisë SNS edhe më tej ende është antievropiane. Fjala është për njerëz, që mund të ndryshojnë qëndrimin brenda natës, ashtu siç e ka ndryshuar mendimin edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, pohon Popoviq.