1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti turk rithekson në Berlin syninim e vendit të tij për anëtarësim në BE

20 Shtator 2011

Në fillim të vizitës shtetërore disaditore në Gjermani, presidenti turk Abdullah Gül, kërkoi negociata të ndershme anëtarësimi me BE-në për vendin e tij.

https://p.dw.com/p/12caH
Presidenti turk Abdullah Gül gjatë fjalës së tij në Universitetin Humboldt në Berlin. 19.9.2011
Presidenti turk Abdullah Gül gjatë fjalës së tij në Universitetin Humboldt në Berlin. 19.9.2011Fotografi: dapd

Gjermania dhe Turqia duan të thellojnë edhe më tej marrëdhëniet e tyre të mira politike dhe ekonomike. Për këtë ranë dakord të hënën (19.9.) në Berlin presidenti federal gjerman Christian Wulff dhe homologu i tij turk Abdullah Gül. Në të njëjtën kohë Gül theksoi kërkesën e vendit të tij për negociata anëtarësimi pa paragjykime me BE-në. Presidenti gjerman Wulff konfirmoi se negociatat me BE-në do të zhvillohen me rezultat të hapur dhe me objektivin e një anëtarësimi të plotë:

“Aktualisht jemi në një fazë ku duhet të punojmë shumë për të gjitha çështjet ku jemi të një mendje dhe aty ku nuk e kemi arritur këtë ende, të kërkojmë afrim. Pikërisht për këtë shërbejnë bisedimet e këtyre ditëve.”

"Turqia duhet të bëjë më shumë përpjekje por edhe Evropa", tha presidenti gjerman. Ai theksoi rritjen e përgjegjësisë së Turqisë në arenën ndërkombëtare dhe kërkoi që ndryshimet në botën arabe të shihen si shans. Turqia mund të shërbejë si model me ndërthurjen e pluralizmit dhe fesë islame.

Ministri gjerman i Financave Schäuble dhe ai i Turqisë Mehmet Simsek nënshkruajnë marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Ministri gjerman i Financave Schäuble dhe ai i Turqisë Mehmet Simsek nënshkruajnë marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë.Fotografi: dapd

Në prag të vizitës në Gjermani presidenti turk ishte shprehur me nota kritike ndaj politikës gjermane ndaj të huajve. Këtu ai kishte parasysh kushtin që bashkëshortët turq mund të vijnë në Gjermani vetëm pasi të kenë kaluar me sukses një test të gjuhës gjermane. Por gjatë vizitës Gül përdori fjalë pajtuese:

“Të gjithë turqit që jetojnë në Gjermani apo që duan të jetojnë këtu, kanë obligim të flasin gjermanisht. Unë e kam thënë më parë dhe e përsëris: njerëzit që duan të jetojnë në këtë vend, duhet të flasin edhe gjuhën e tij.”

Por për 1,6 milionë shtetasut turq që jetojnë në Gjermani është e rëndësishme para së gjithash një gjë: marrëveshja për tatimin e dyfishtë, e nënshkruar në fillim të vizitës së presidentit turk. Ajo garanton që ata kanë detyrimin të paguajnë tatime mbi të ardhurat dhe pasurinë vetëm në Gjermani, dhe jo edhe në Turqi.

Në bisedimet e tjera politike gjatë vizitës triditore do të diskutohet edhe për tensionet mes Turqisë dhe Izraelit. Të martën (20.9.) është planifikuar një takim me kancelaren Angela Merkel.

Autor: E.Xhani (dpa, rtr, dapd)