1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Topi: "KLD të mbrojë gjyqtarët nga sulmet abuzive dhe të pabaza"

Arben Muka/ Tiranë8 Shtator 2008

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, presidenti i Shqipërisë, B. Topi prezantoi nismën që Këshilli i Lartë i Drejtësis£ të mos i zhvillojë veprimtaritë vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të tjera të vendit.

https://p.dw.com/p/FDkF
Presidenti Bamir Topi
Presidenti Bamir TopiFotografi: AP

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shfrytëzuar mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, për të reaguar ndaj disa qëndrimeve kritike që janë mbajtur ditët e fundit për komunitetin e gjyqtarëve. Presidenti kërkoi reagim të ashpër nga KLD, siç tha ai që

"të mbrojë gjyqtarët nga sulmet abuzive dhe të pabaza, po aq sa të disiplinojë gjyqtarët që janë abuzues. Këshilli i Lartë Drejtësisë si qeverisje e gjyqësorit ka detyrimin kushtetues që të mbrojë gjyqtarët dhe unë ju ftoj ta bëjmë moto të misionit tonë ashtu siç duhet të ndëshkojmë çdo individ, i cili cënon integritetin e gjyqtarëve dhe rrënon imazhin e sistemit të drejtësisë".

Presidenti ka apeluar tek sistemi i drejtësisë që të garantojë pavarësi dhe profesionalizëm, për të mos ndjekur linja partiake por të zbatojë në cdo rast ligjin dhe kushtetutën. Ai ka paralajmëruar dhe nismën e tij kur për herë të parë KLD nuk do ti mbajë forumet dhe aktivitet e saj në seline qëndrore në qëndër të Tiranës por dhe në rrethe të tjera. Presidenti e argumentoi këtë me qëndrimin më "pranë gjykatave në qytetet kryesore të Shqipërisë, ku ky Këshill patjetër që nuk do të jetë thjesht mekanikisht pranë këtyre gjykatave, por do të jetë afër tyre për të dhënë një mesazh të drejtëpërdrejtë, por edhe me një influencë të padiskutueshme psikologjike në atë që kërkon sot publiku shqiptar, që:

"Këshilli i Lartë i Drejtësisë të mos ndihet i instaluar vetëm në qendër të Tiranës, por të jetë prezent kudo në territorin shqiptar, sepse drejtësia jepet kudo, në çdo pjesë të territorit shqiptar, në çdo qelizë të shoqërisë dhe sigurisht ato që janë në periferi e ndjejnë më të nevojshme, më të domosdoshme praninë e këtij Këshilli",

tha gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, presidenti Topi, i cili është dhe kryetar i këtij institucioni.