1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë

Intervistë e DW me ambasadoren e RFGJ në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper. Ambasadorja gjermane kujton cilësitë për një president

Carola Müller-Holtkemper flet për DW

Carola Müller-Holtkemper flet për DW

DW: Zonja Ambasadore, procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Gjermanisë po ecën në një rrugë kompromisi. Përse ky hap, në një moment që mazhoranca mund të përsëriste të njëjtën procedurë si në rastin e ish presidentit Wulf, duke përzgjedhur një kandidaturë të sajën?

Carola Müller-Holtkemper: Pas dorëheqjes së z. Wulff të premten e shkuar Kancelarja Federale ka deklaruar mbështetjen e saj të menjëhershme për një kandidat mbi partitë. Kjo është në përputhje me funksionin e Presidentit Federal në Gjermani, i cili konsiderohet të qëndrojë mbi tre pushtetet (legjislativi, gjyqësori, ekzekutivi). Ndaj, gjatë fundjavës, fraksionet qeveritare dhe pothuaj të gjitha partitë opozitare të përfaqësuara në Bundestag ranë dakord për z. Joachim Gauck si kandidat për postin e e Presidentit Federal. Për informacion, Presidenti Federal në Gjermani zgjidhet brenda 30 ditësh më votim të fshehtë në Asamblenë Federale, e cila përbëhet në ½ e saj nga anëtarët e Bundestagut si dhe në pjesën tjetër nga i njëjti numër anëtarësh të zgjedhur si përfaqësues të qeverisjes lokale të landeve federale. Këta të fundit nuk duhet domosdoshëmrisht të jenë pjesë e parlamenteve të landeve, por krahas politikanëve prominentë të landeve të veçanta në radhët e tyre zgjidhen edhe ish-politikanë, figura të shquara, sportistë dhe artistë.

DW: Në fakt në “ethet” presidenciale është dhe Shqipëria, kur pas pak muajsh do të kemi zgjedhje për kreun e ri të shtetit. Sipas pikëpamjes tuaj, a mundet që edhe në Shqipëri të ketë një proces kompromisi kur të dyjat krahët e politikës të arrijnë tek një emër për presidentin e ri të Republikës? E shikoni të mundur këtë fakt, kur dhe nga kominiteti ndërkombëtar po tërhiqet vëmendja për një gjë të tillë?

Carola Müller-Holtkemper flet për DW

Carola Müller-Holtkemper flet për DW

Carola Müller-Holtkemper: Për ne është e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe Kushtetuta e Shqipërisë tregon qartë preferencën e vet për një kandidat mbipartiak si në personin e Presidentit, ashtu edhe në procedurat e zgjedhjes: Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik apo veprimtari private. Presidenti propozohet nga të paktën 20 deputetë dhe zgjidhet me një shumicë prej 3/5; vetëm në një fazë të mëvonshme mund të jetë e mjaftueshme shumica e thjeshtë, dhe përpos kësaj, në të rregullohet edhe rasti i mbetjes vakant të postit. Ky kuadër rregullator është pa dyshim i krahasueshëm me atë në Gjermani. Prej Presidentit të ardhshëm presim të angazhohet në detyrën e tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për reformën e sistemit të drejtësisë me qëllim ndërtimin e shtetit ligjor.

DW: Duke u nisur nga ajo që ka ndodhur me rastin e fundit të ish presidentit të Gjermanisë, me angazhimin e organeve të drejtësisë, rolin e medias, apo dhe me vetë vullnetin e z. Wulf për t'u dorëhequr a e shikoni një praktikë të tillë që mund të funksionojë dhe në realitetin shqiptar? E kam fjalën qoftë për punën e organeve të drejtësisë, qoftë për barazinë para ligjit për cilindo qytetar të këtij vendi, apo për rolin e medias në luftën kundër korrupsionit?

Carola Müller-Holtkemper: Pavarësisht përgjegjësisë eventuale penale, e cila mund të përcaktohet si e tillë vetëm nga një gjykatë përkatëse, në Gjermani toleranca e shoqërisë kundrejt një çështjeje korrupsioni apo edhe vetëm në dukje si të tillë është shumë e vogël. Një rol të madh në dorëheqjen e z. Wulff kanë luajtur një rol të rëndësishëm një shoqëri e fortë civile, mediat dhe opinioni publik por edhe sistemi i pavarur i drejtësisë. Ligjet e shkruara janë njëra anë. Por institucionet shtetërore, edhe drejtësia, nuk punojnë në boshllëk, ato ndërvaren ngushtë me faktin që pjesa më e madhe e popullsisë respekton rregullat dhe gjithashtu pretendon respektimin e tyre. Kjo e përforcon pavarësinë e drejtësisë në kuptimin e ndarjes së pushteteve dhe i mundëson asaj të përmbushë rolin e vet kushtetues. Kandidati mbipartiak për postin e Presidentit Federal, z. Joachim Gauck, shihet prej shumë analistëve si një instancë morale, i pakorruptueshëm, besnik ndaj parimeve dhe i pavarur. Emri i tij është i lidhur ngushtë me angazhimin për liri dhe demokraci si aktivist i të drejtave të njeriut në ish-RDGJ dhe si Drejtuesi i Parë Federal i ngarkuar me dosjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, i cili kishte të drejtën të hulumtonte në ato akte dhe t'u lejonte personave përkatës aksesin në atë dokumentacion.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama/ Auron Dodi