1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti serb Tadiq kritikon qendrimin e ambasadorit amerikan në Kosovë

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me kthimin e Kosovës në gjendjen para ndërhyrjes së njësisë speciale. Në Beograd do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e parlamentit.

Boris Tadiq

Boris Tadiq

Presidenti serb Boris Tadiq pohon se dialogu me Kosovën në këto kushte nuk është i mundur, ndonëse "Serbia është e interesuar për vazhdimin e negociatave". Ai tha se dialogu mund të vazhdojë vetëm pas kthimit të gjendjes në situatën para ndërhyrjes së njësisë speciale ROSU. Në një intervistë për televizionin B 92, presidenti serb pohon se ndikimin më të madh në Kosovë e ka politika amerikane dhe ambasadori amerikan në Prishtinë. Sipas tij, nga qëndrimet amerikane varet nëse pala kosovare do të kthehet pranë tryezës së bisedimeve.

Ambasadori amerikan po nxit kosovarët

"Është befasuese që politikën në Kosovë e bën ambasadori amerikan, i cili jo një herë ka dhënë deklarata radikale", theksoi Tadiq duke shtuar se "do të ishte mirë sikur ambasadori amerikan të mos jepte deklarata që nxisin konfliktet dhe administratën në Prishtinë që të ndërmarrë reagime agresive. Por kjo nuk do të thotë se e tërë administrata amerikane mbështet aksione të tilla."

Boris Tadiq dhe Hillary Clinton

Hillary Clinton dhe Boris Tadiq

Presidenti serb tha se ka informata se përgjegjës për tensionimet e fundit në kufi janë strukturat kriminale që kanë lidhje me serbë dhe shqiptarë në Kosovë. "Sulmi dhe djegia e pikëkalimeve kufitare nuk është në interesin e Serbisë. Kjo rrezikon absolutisht interesat e Serbisë. Prandaj duhet hetuar me hollësi se kush ka dhënë instruksione për djegien e kalimit doganor dhe për marrëveshjet eventuale për këto sulme. Këto pikëkalime kufitare nuk kanë penguar fare Serbinë", theksoi Tadiq. Ai shtoi se zhvillimet e këtilla në këtë moment nuk janë në interes të Beogradit, sepse Serbia pretendon që deri në fund të vitit të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Kosova cënon Ballkanin

"Të gjitha gjërat që po ndodhin në Kosovë kanë pasoja të drejtëpërdrejta për tërë Ballkanin Perëndimor", tha Tadiq duke shtuar se është me rëndësi që edhe nga seanca e jashtëzakonshme e parlamentit të Serbisë, që zhvillohet këtë të shtunë në Beograd, të dërgohen mesazhe për atmosferë paqeje dhe stabiliteti. Sipas tij, senca duhet t'i kontribuojë qetësimin dhe jo përshkallëzimit të gjendjes. Situata nuk duhet të instrumentalizohet prej asnjë partie politike apo individi për qëllime politike apo personale. Presidenti Tadiq tha se Serbia nuk e mbanë përgjegjësinë për gjendjen e tanishme në veri të Kosovës. Sa i përket integrimeve evropiane, ai theksoi se në qoftë se njohja e Kosovës paraqitet si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, përgjigja e Beogradit do të jetë "jo".

Autor: Bahri Cani/ B92

Redaktoi: E. Xhani