1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti serb mohon gjenocidin

Sasha Bojiq / Eliana Xhani6 Qershor 2012

Presidenti serb Tomisllav Nikoliq ka deklaruar se masakra e Srebrenicës nuk ka qenë gjenocid. Me këtë deklaratë ka shkaktuar indinjatë jo vetëm tek fqinjët.

https://p.dw.com/p/158VD
Presidenti serb Tomislav Nikoliç
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i ri serb Tomisllav Nikoliq ka deklaruar në një intervistë me televizionin malazez se masakra e Srebrenicës nuk ka qenë gjenocid. "Është shumë e vështirë" të dëshmohet në gjyq "se një ngjarje ka pasur formën e një gjenocidi", tha presidenti i ri serb Tomisllav Nikoliq në intervistë. Në Srebrenicë "janë kryer krime të rënda lufte nga disa serbë", ka vazhduar Nikoliq. Ata "duhen gjetur dhe duhen ndjekur e dënuar penalisht".

Si Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICTY) për ish-Jugosllavinë ashtu edhe Gjykata Ndërkombëtare (IGH) e kanë klasifikuar si gjenocid vrasjen e më shumë se 8.000 boshnjakëve nga trupat serbe në korrik 1995. Në procesin për pjesëmarrje direkte në masakër Serbia u shpall e pafajshme. Por vendi ka shkelur të drejtën ndërkombëtare pasi nuk e ka penguar masakrën dhe nuk ka kontribuar në nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.

"Keqkuptime dhe tensione të reja"

Paraardhësi i Nikoliqit në post, Boris Tadiq arriti që parlamenti në Beograd ta dënonte masakrën e Srebrenicës. Veç kësaj ai i dorëzoi Gjykatës së Hagës ish liderin e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiq dhe shefin e ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mlladiq. Këto vendime politike erdhën vërtet shumë vonë (respektivisht në 2008 dhe 2011), por ishin në përputhje me orientimin pro-evropian të Serbisë dhe lehtësuan edhe bashkëpunimin rajonal. Tani Tomisllav Nikoliq po i kthen të gjitha mbrapsht, të paktën verbalisht dhe vë sërish në pikëpyetje procesin e pajtimit në Ballkan, i cili dhe kështu është shumë i ngadaltë.

Ish gjenerali i serbëve të Bosnjës Ratko Mladiç në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICTY) për ish-Jugosllavinë
Ish gjenerali i serbëve të Bosnjës Ratko Mladiç në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICTY) për ish-JugosllavinëFotografi: picture-alliance/dpa

Fqinjët reaguan të zhgënjyer: kryetari i presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, dyshon në vullnetin e Nikoliqit për marrëdhënie të mira me vendet fqinje. "Përgënjeshtrimi i gjenocidit të Srebrenicës nuk është hap në rrugën e bashkëpunimit dhe rivendosjes së besimit, por e kundërta". Deklaratat e Nikoliqit janë "shkak për keqkuptime dhe tensione të reja" në rajon, u shpreh Izetbegoviq.

Edhe përpara fitores në zgjedhje, nacionalisti Tomisllav Nikoliq, pati shkaktuar indinjatë në Kroaci me një intervistë për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Në intervistë ai pretendonte se Vukovari (në lindje të Kroacisë) "është një qytet serb" dhe kroatët në thelb nuk kanë arsye "të rikthehen atje". Deklarata e Nikoliqit nuk është në "frymën e politikës së pajtimit" dhe është rikthim në politikën nacionaliste të viteve 1990, deklaroi presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq.

Këshilli i Evropës kritikon Nikoliqin

Ministrja e Jashtme e Kroacisë Vesna Pusiç
Ministrja e Jashtme e Kroacisë Vesna PusiçFotografi: DW

Ministrja e Jashtme kroate Vesna Pusiq, në një intervistë në gazetë u shpreh se me deklaratat e tij politike Nikoliq "nuk merr parasysh efektin e jashtëm" apo pasojat e mundshme ndërkombëtare dhe kombëtare. Ai përqendrohet "100 për qind tek publiku serb". Por Pusiq thekson se duhet pritur qeveria e re serbe dhe atë do ta formojë partia pro-evropiane e Boris Tadiqit dhe jo partia nacionaliste e Nikoliqit.

Edhe Këshilli i Evropës e kritikoi presidentin serb për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës. Ky qendrim hedh hije mbi Tomisllav Nikoliqin, tha kryetari i komisionit të politikës së jashtme të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Pietro Marcenaro, në Straßburg. Njohja e përgjegjësisë nga të gjitha palët në konflikt është një kusht i qenësishëm për pajtimin pas luftërave civile në ish-Jugosllavi, theksoi ai.

"BE-ja refuzon me vendosmëri çdo përpjekje për të rishkruar historinë", deklaroi Pia Arenhilde Hansen, zëdhënëse e presidentit të Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso: "Në Srebrenicë janë kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe ne jemi të gatshëm ta ritheksojmë këtë", tha Hansen në Bruksel dhe siguroi, se deklaratat e Nikoliçit do të jenë temë në takimin e planifikuar me Barroson.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i dënoi thëniet e Nikoliqit në një mesazh në Twitter si "absurde dhe të rrezikshme". Pozicione të tilla janë "rrezik për ambiciet evropiane të Serbisë", e cila prej marsit ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.