1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Sejdiu jep dorëheqjen

27 Shtator 2010

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga ky post, pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se presidenti e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e vendit.

https://p.dw.com/p/PNmd
Sejdiu e respekton Gjykatën KushtetueseFotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti Fatmir Sejdiu ka mbajtur pa të drejtë dy poste: postin e presidentit të vendit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, konstatoi ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjë që sipas saj nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik në vend. Si pasojë e këtij vendimi dhe në shenjë të respektit ndaj organit më të lartë juridik presidenti Sejdiu dha dorëheqjen.

Shpjegimi i Sejdiut

Fatmir Sejdiu
... kam besuar se kam punuar si duhet!Fotografi: DW

“Unë kam besuar se mbajtja e postit të kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion, siç e përcakotn Kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj Kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe dhe unë e respektoj këtë vendim, pavarësisht faktit se ende nuk më është dorëzuar aktvendimi i Gjykatës me shpjegimin përkatës”, theksoi presidenti Sejdiu.

"Me këtë hap unë dëshmoj se i respektoj vendimet e institucioneve të Kosovës", theksoi Sejdiu duke shtuar se tërë jetën ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë në shërbim të popullit.

Fatmir Sejdiu u zgjodh president i Kosovës me 10 shkurt të vitit 2006, pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ndërsa është rizgjedhur në këtë post në janar të vitit 2008, me mandate pesëvjeçar. Pas dorëheqjes së tij, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, këtë post e ushtron kryetari i kuvendit, në këtë rast Jakup Krasniqi.

Jakup Krasniqi ushtrues detyre

Kosovo Verfassung
Fatmir Sejdiu dhe "pasardhësi" Jakup KrasniqiFotografi: AP

Ushtruesi i detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e një kandidati tjetër, Jakup Krasniqi, vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëheqë edhe me qeverinë. Në një konferencë për media Krasniqi tha se ai do ta ushtrojë me përgjegjësi postin e presidentit të përkohshëm të vendit, garantoi qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë vakum institucional dhe se çdo veprim i mëtejmë do të bëhet konform kushtetutes.

“ I garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës do të ketë proces normal kushtetues. Shumë shpejtë do t’i ftoj në një takim subjektet politike për të përcaktuar hapat e mëtejmë të veprimit dhe këto veprime do të jenë në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Jakup Krasniqi. Kryetari i kuvendit të Kosovës, në këtë rast nuk mund ta ushtrojë postin e presidentit më gjatë se gjashtë muaj.

Reagimet e Thaçit dhe Faithit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerëson vendimin institucional dhe shtetëror për dorëheqje të presidentit Fatmir Sejdiu.

”Kushtetuta e Republikës së Kosovës është burimi i demokracisë së vendit tonë dhe respektimi i saj është obligim i të gjithëve. Të gjitha vendimet e ardhshme të institucioneve të Republikës së Kosovës do të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet dhe nevojat e shtetit dhe shoqërisë sonë”, thotë kryeministri Thaçi.

Ndërsa shefi i Zyrës civile Ndërkombëtare, Peter Faith, i cili mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, për dorëheqjen e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit kumtoi: “E mirëpres vendimin e dr. Sejdiut pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Dëshiroj ta falënderoj dr. Sejdiun për shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj popullit dhe Republikës së Kosovës gjatë gjithë kohës së presidencës së tij. Ai ka qenë udhëheqës kyç në një kohë historike dhe i përshëndes arritjet e tij. Përparësi më e lartë gjithnjë duhet t' i jepet besueshmërisë dhe funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Kushtetutës së saj."

Peter Faith
Peter FaithFotografi: DW

Sipas Faithit, “Republika e Kosovës po përballet me sfida të vërteta. Ajo po punon që të arrijë më shumë përparim drejt Bashkimit Evropian, ajo po përpiqet të arrijë më shumë njohje dhe i duhen më shumë investime. Mundësitë e saj për t’i arritur këto qëllime janë rritur dhe reputacioni i saj është forcuar me konfirmimin e sotëm se Kushtetuta e Kosovës është e fuqishme dhe institucionet e saj e respektojnë sundimin e ligjit."

Faith është "konsultuar me kryetarin e kuvendit të Kosovës dhe e mirëpres gatishmërinë e tij që t’i kryejë përgjegjësitë e tij sipas Kushtetutës së Kosovës."

“Tani u bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë aftësi të udhëheqjes në interes shtetëror dhe të sigurojnë një tranzicion të lehtë të presidencës. Jam i sigurt se sistemi politik i Kosovës është shumë i aftë për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë institucionale”, theksoi ai.

Reagimi i LDK-së

Menjëherë pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu, Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo nga e cila vjen Fatmir Sejdiu, në një komunikatë për media dorëheqjen e cilësoi si një akt, siç thuhet të sakrificës së tij për interesat madhore të Republikës së Kosovës. LDK-së, tani e mirëpret dhe e mbështet fuqishëm riaktivizimin e Fatmir Sejdiut në krye të partisë.

Analistët vlerësojnë se dalja nga kjo situtatë varet nga qasja që do të kenë partitë në koalicion PDK dhe LDK-së, rreth situatës së re dhe vazhdimit apo jo të bashkëqeverisjes së vend. Këto dy parti janë futur në koalicion menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2007.

Sipas Kushtetutës, ekzistojnë dy mundësi për dalje nga kjo situatë: që parlamenti të zgjedh një president të ri ose të shpallen zgjedhjet e reja parlamentare.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani