1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti Obama arriti të fitojë terren

Pas paraqitjes së dobët në debatin e parë, të gjithë sytë ishin drejtuar nga presidenti Obama në përballjen e dytë me sfiduesin e tij republikan Mitt Romney.

Lehtësimin kolektiv të përkrahësve të Obamës vërtet mund ta dëgjoje, kur presidenti dha qysh prej fillimit një paraqitje krejt tjetër nga ajo në debatin e parë. Në ndryshim nga paraqitja pasive, gati e përgjumur dy javë më parë, ai duket i angazhuar dhe i vëmendshëm. Ai u kundërpërgjigj me argumentet e Romney-t dhe iu kthye vazhdimisht çështjeve të tij qendrore: forcimit të klasës së mesme dhe garantimit të shanseve të barabarta. Kundërshtarin e tij e akuzoi se përfaqëson vetëm interesat e të pasurve. "Guvernatori Romney thotë se ka një plan pesëpikësh", deklaroi presidenti në Universitetin Hofstra në qytetin Hempstead të shtetit të Nju-Jorkut dhe vijoi: "Guvernatori Romney nuk ka plan pesëpikësh, ai ka një plan njëpikësh dhe ky plan duhet të garantojë, që njerëzit në drejtim të ndjekin rregullat e tyre të lojës.»

Republikani Mitt Romney nuk doli keq, arriti të bindë në pika të veçanta, mirëpo humbi në vlerësimin e përgjithshëm (në ndryshim nga debati i parë). Në një sondazh të parë të stacionit televiziv CNN në radhët e zgjedhësve të regjistruar, të cilët e kishin ndjekur debatin, 46 për qind thanë, se presidenti Obama e fitoi debatin, 39 për qind u shprehën në favor të Romneyt. Dhe 73 për qind deklaruan se presidenti kishte dalë më mirë se ç'pritej. Për Obamën ky ishte një sukses i rëndësishëm, sepse pas duelit të parë ai pati humbur terren. Sondazhet e opinionit qenë zhvendosur në shkallë kombëtare në drejtim të Romneyt (edhe në të ashtuquajturat 'battleground states', shtetet federale amerikane, për të cilat bëhet garë veçanërisht e fortë).

Në fokus gratë

Debati televiziv ndiqet me interes

Debati televiziv ndiqet me interes

Madje, për shembull në Floridë dhe në Karolinën e Veriut, ish-guvernatori i Massachusetts-it e pati kapërcyer Obamën në disa sondazhe. Romney arriti të mbledhë pikë edhe në radhët e shikuesve të debateve në CNN. Ata i dhanë atij nota më të mira sesa Obamës në temat e ekonomisë, të reformës shëndetësore dhe të politikës së buxhetit. Megjithatë, nëse ka fituar edhe një herë në pëlqyeshmëri te shikueset femra guvernatori si në debatin e parë, kjo mbetet të shihet. Te përdoruesit e Twitter-it një vërejtje e Romneyt hasi menjëherë kritikë: Në kuadër të debatit rreth ligjeve për armët ai bëri të mirëqenë përfundimin se arsyeja, që fëmijët dhe të rinjtë janë të gatshëm për dhunë, ka të bëjë me nënat, që i rrisin vetëm fëmijët. Në vend të ligjeve të reja për armët, tha Romney, vendi ka nevojë për një politikë, e cila forcon partneritetin tradicional. Obama kërkoi rivendosjen e ndalimit të armëve automatike, i cili kishte përfunduar për shkak të rezistencës së republikanëve.

Debati i tretë dhe i fundit zhvillohet më 22 tetor në Floridë. Atje do të flitet vetëm për politikën e jashtme.