1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti në kafaz

Para një viti egjiptianët dëbuan Mubarakun. Ish presidentit po i bëhet gjyqi për dhënien e urdhërit për të vrarë demonstruesit. Njëvjetorin e dorëheqjes së tij ai do ta kalojë në paraburgim.

Shumë ai nuk ka thënë në kafazin e tij: Presidenti i rrëzuar i Egjiptit Hosni Mubarak është një njeri plak i sëmurë, të cilin duhet ta sjellin me krevat në sallën e gjyqit. Herë pas here u pëshpërit diçka në vesh të bijve, po ashtu të akuzuar. Por fjalinë e vetme, që ka thënë deri tani, e artikuloi me zë të fortë.

"Me të gjitha këto akuza unë nuk kam të bëj aspak."

Më shumë se 100 avokatë përfaqësojnë familjet e viktimave

Pamje nga protestat në sheshin Tahrir

Pamje nga protestat në sheshin Tahrir

Abuzim me postin, korrupsion, pasurim personal dhe inkurajim për vrasjen e më shumë se 840 demonstruesve gjatë kryengritjes popullore egjiptiane, janë pikat e akuzës. Në fillim të gushtit nisi procesi gjigand kundër ish diktatorit. Më shumë se 100 avokatë përfaqësojnë familjet e viktimave. Zemërimi i tyre kundër klanit Mubarak, një pjesë e të cilit u prezantua në sallë me rroba sportive firmato, Hosni Mubaraku në pizhame mëndafshi, shkaktoi shpesh rrëmujë në sallën e gjyqit. Gjykata e kishte shumë të vështirë të përballonte numrin e madh të dëshmitarëve ndërsa materiali gjyqësor me mijëra faqe ishte një ngarkesë më vete. Më 5 janar pastaj prokurori Mustafa Soliman kërkoi në pleduajenë e tij dënimin me vdekje të pushtetarit të dikurshëm në Nil.  83 vjeçari duhej varur.

Presidenti Mubarak është zotuar të mbrojë interesat e popullit, por ai e ka thyer këtë betim, tha prokurori në pretencën e tij.  Mubaraku ka marrë parasysh intreresat e tij, të familjes dhe të shokëve. Ai falsifikoi zgjedhjet parlamentare, menjanoi miqtë dhe siguroi kështu pushtetin.

Përgjegjësia e Hosni Mubarakut për vdekjen e demonstruesve nuk duhet të harrohet, tha avokati i viktimave Awad Many. Urdhërat për të qëlluar nuk janë dhënë kurrë, pa u pyetur më parë Mubaraku. Edhe në qoftë se nuk i ka urdhëruar ndoshta vetë vrasjet e demonstruesve, ai nuk i ka penguar ato.

Mbrojtësi i Mubarakut Farid al-Dib, një avokat egjiptian i famshëm, këmbënguli në pafajësinë e mandantit të tij dhe e vlerësoi atë si "kryetar të pastër shteti", i cili po bëhet tani viktimë e fajësimeve dashakeqe.

Mubaraku duhet të dënohet nga një gjykatë ushtarake?

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Avokati mbrojtës shokoi gjykatën e lartë me kërkesën, që Hosni Mubaraku nuk duhet të dënohet aspak nga një gjykatë civile. 83 vjeçari është deri sot me gradën e komandantit të forcave ajrore. Nëse është kështu atë duhet ta dënojë një gjykatë ushtarake.

Në një kafene në Kajro televizorit ia ulin zërin, kur fillon përsëri një ditë gjykimi në rastin Mubarak. Tregohet kolona e makinave, e cila është po aq e gjatë sa në ditët më të mira të Mubarakut: Por tani janë makina burgu, ato që e shoqërojnë kryetarin e shtetit në rrugën e tij për në gjykatë. Në të janë djemtë e tij, ministri i tij i brendshëm dhe të bashkëakuzuar të tjerë. Policia dhe biles tanke ruajnë autokolonën. Hosni Mubarak vetë është në makinën e parë në një autoambulancë. Ai është i sëmurë për vdekje, thotë avokati i tij, por as këtë shumë egjiptianë nuk duan t'ia besojnë ish diktatorit të tij.

"Kjo është një komedi. Në fakt Mubaraku është fare mirë, ai ka një tension më të mirë gjaku se sa unë."

"E dini apo jo, e gjitha kjo është një shfaqje. Sepse njeërzit e Mubarakut janë akoma aty dhe nuk është e lehtë, për t'i eliminuar këto forca të vjetra."

I gjithë Egjipti pret dënimin në procesin kundër Hosni Mubarakut. Në pllakatat e demonstrusve në sheshin Tahrir në Kajro, ku sundimtari u rrëzua para një viti, që atëherë varet një lak në qafën e ish presidentit.

Autor: Cornelia Wegerhoff / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti