1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti Mursi në kurs konfrontimi me opozitën

Vetëm edhe pak orë kalon afati i ultimatumit të ushtrisë dhënë presidentit egjiptian. Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e dhënies së dorëheqjes. Opozita flet për një "shpallje të luftës".

Lufta për pushtet midis presidentit egjiptian Mohamed Mursi dhe ushtrisë është duke shkuar gjithnjë e më shumë drejt një përshkallëzimi. Në një fjalim të transmetuar natën vonë në televizion, presidenti islamik refuzoi në mënyrë rigoroze dorëheqjen. "Unë kam ardhur në këtë post përmes zgjedhjeve demokratike. Dhe unë qëndroj fort pas këtij legjitimiteti", theksoi Mursi. "Unë jam presidenti i Egjiptit, që përfaqëson të gjithë qytetarët egjiptianë", tha ai. Në të njëjtën kohë ai pranoi gabimet dhe premtoi se do t'i korrigjojë ato.

Pamje nga protestat në Kajro

Pamje nga protestat në Kajro

Paraprakisht Mursi kishte kërkuar nga ushtria që të tërheqë ultimatumin 48 orësh ndaj tij që skadon këtë të mërkurë. Komandës së lartë të forcave të armatosura nuk i bëri shumë përshtypje kërkesa e presidentit dhe deklaroi në mëngjes se ushtarët janë të gatshëm të vdesin për popullin egjiptian. Udhëheqja e ushtrisë i ka dhënë kohë deri pasdite Mursi-ut dhe kundërshtarëve e tij që të arrijnë një kompromis. Përndryshe ushtria do të paraqesë planin e vet për të ardhmen e Egjiptit.

"Zhduku!"

Fushata e opozitës Tamarod (nga arabishtja 'rebelim'), e cili pretendon se ka mbledhur më shumë se 22 milion nënshkrime kundër presidentit, e vlerësoi fjalimin e Mursi-ut si një "thirrje për luftë civile." Gjithashtu edhe turma e njerëzve e mbledhur në Sheshin Tahrir në Kajro, reagoi me zemërim dhe bërtiti: "Zhduku! Ne nuk të duam!" Lëvizja e protestës e kritikon presidentin Mursi kryesisht për shkak të stilit të tij autoritar, islamizimit progresiv në vend dhe gjithashtu për shkak të përkeqësimit dramatik të gjendjes ekonomike. Ndërkaq ithtarët e presidentit Mursi e shohin konfliktin kryesisht si luftë për pushtet ideologjik - për ose kundër Islamit.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Ushtria tashmë ka plane të gjithanshme në rast se Mursi nuk heq dorë, thonë ata. Agjencia e lajmeve Reuters ka mësuar nga burime ushtarake se ajo do të shfuqizojë kushtetutën dhe do të shpërndajë parlamentin e dominuar nga islamikët. Deri në miratimin e një kushtetute e re, vendi do të udhëhiqet nga një Këshill Tranzitor, i cili do të përbëhej kryesisht nga civilë, nga përfaqësues të grupeve politike dhe ekspertë. Kushtetuta do të duhej të ndryshohet brenda disa muajve. Pastaj duhet të zgjidhet një president i ri. Zgjedhjet për Parlamentin e ardhshëm duhet të bëhen vetëm atëherë kur të ekzistojnë rregulla të rrepta për përzgjedhjen e kandidatëve.