1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti maqedonas me tone të ashpra në fjalimin e fundvitit

Presidenti maqedonas quan si fajtor kryesor të krizës politike në vend NATO-n dhe BE-në. Ai tha se ata penguan integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Presidenti i Maqedonisë në fjalimin e tij të fundvitit u është drejtuar qytetarëve me tone shumë të ashpra për situatën aktuale në vend. Presidenti Ivanov ka konsideruar si fajtor kryesor të krizës politike në vend NATO-n dhe BE-në. Ai tha se ato penguan integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe Maqedonia në vend që të shpërblehej u dënua, në vend që të anëtarësohej, vendi u bllokua. "Shkelën mbi dinjitetin e popullit duke kërkuar ndryshimin e identitetit dhe nuk vlerësuan strategjinë e vendit me menaxhimin e krizës së emigrantëve.” u shpreh Ivanovi.

Jo ndryshimit të karakterit unitar të shtetit

Maqedonia nuk është dhe as nuk do të dakordohem të bëhet një shtet binacional dhe shtet federal. Asnjëherë nuk do të dakordohem që Maqedonia të jetë një shtet federal , theksoi presidenti Ivanov. "Ende po dëgjoj se si disa kryetarë partish po bëjnë publikisht ankand me karakterin unitar të shtetit, me idenë për kantonizim dhe federalizim, me emrin e shtetit dhe identitetin e qytetarëve. Ata po licitojnë me interesat e shtetit.” - tha presidenti maqedonas. 

Do t'u rikujtoja atyre, tha presidenti Ivanov, se Maqedonia në vitin 1991 u konstitua si shtet nacional i popullit maqedonas, në të cilin është siguruar barazi qytetare dhe bashkjetesë e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera që jetojnë në Maqedoni.

Maqedonia vend i të gjithëve

Sipas presidentit Gjorgje Ivanov Marrëveshja Kornizë e Ohrit është derë e hapur për një përfaqësim të drejtë të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të një bashkësie. Është e papranueshme që disa liderë të partive të përfaqësuara në parlament duan t'i shtrojnë në tryezën e bisedimeve interesat kombëtare të Maqedonisë në kundërshtim me Kushtetutën. "Në emër të qytetarëve i paralajmëroj ata që të jenë të kujdesshëm për hapat që ndërmarrin. Të mos mendojnë që në kombinatorikat e tyre paszgjedhore të diskutojnë apo të negociojnë interesat kombëtare të Maqedonisë. Për interesat kombëtare nuk diskutohet dhe as nuk negociohet”, ka theksuar presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov. Askush nuk ka marrë mandatin për të shitur atë për të cilën kanë ëndërruar dhe kanë dhënë jetën të gjithë ata që luftuan për lirinë e Maqedonisë. "Maqedonia nuk është dhe as që do të jetë shtet binacional. Maqedonia është shtet unitar, multietnik dhe multifetar”, është shprehur Ivanov.

Dalja nga kriza vetëm me pajtim

Gjithnjë sipas  tij, qytetarët e kanë dhënë provimin e demokracisë, vota e tyre obligon qeverinë e ardhëshme që sa më shpejtë ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike. Për dalje nga kriza nuk është i nevojshëm numri, por pajtimi dhe përgjegjësia shtetërore. Qytetarët e Maqdonisë kanë kuptuar se rruga më e sigurtë për të tejkaluar krizën nuk është mbivotimi, por harmonizimi, nuk është kushtëzimi por pajtimi. Ivanovi i ka ftuar liderët e dy partive më të mëdha politike në vend, Nikolla Gruevskin e VMRO-DPMNE-së dhe Zoran Zaevin e LSDM-së që të tejkalojnë mosmarrëvshjet, të qetësojnë situatën dhe të shtrijnë dorën e pajtimit. "Nga qeveria e re pres të angazhohet për mbrojtjen e interesave qytetare dhe të propozojë një zgjidhje sistematike të krizës”.

Maqedonia syhapur nga kërcënimi i terrorizmit

Në fjalimin e fundvitit presideneti Ivanov ka folur edhe për rrezikun nga terrorizmi duke përmendur edhe incidentin e armatosur të 9. majit në Kumanovë dhe krizën e migrantëve nga Lindja e Afërt që kanë përdorur Maqedoninë si korridor për të shkuar në vendet e BE-së.

"Vitin e kaluar ishim dëshmitarë  të tentativës  së 40 terroristëve për të hyrë në kufirin verior dhe ky rrezik vazhdon nga të huajt që janë kthyer nga Lindja e afërt. Ndikimi i tyre u zgjerua duke krijuar krizë të brendshme”. Për të zgjidhur krizën u detyrova të nënshkruaj faljet. Një ditë kur qytetarët të kenë pasqyrë të qartë, do ta kuptojnë pse e bëra këtë, tha presidenti i Maqedonisë Ivanov në fjalimin e tij të fundvitit.