1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti i Ukrainës kërcënon me hakmarrje

Në lindje të Ukrainës një avion ushtarak është rrëzuar pasi mbi të është qëlluar. Sipas të dhënave të ushtrisë si pasojë kanë humbur jetën 49 vetë. Presidenti Poroshenko kërcënon me hakmarrje.

Pas fitores së në zgjedhje të Presidentit të ri të Ukrainës Petro Poroshenko, lindën shpresa për paqe. Por tani Poroshenkos i duhet të kërcënojë me hakmarrje separatistët prorusë të cilët bëhen përgjegjës për rrëzimin e një avioni ushtarak ukrainas, me pasojë vdekjen e 49 ushtarëve në bord. Ky akt është "një veprim cinik terrori, i cili do të dënohet", deklaroi Poroshenko në Kiev. Presidenti i Ukrainës shpalli zi kombëtare për ditën e dielë (15.6.)

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland, e dënoi rrëzimin e avionit si një "vrasje pa kuptim". Muajt e fundit Jagland është përpjekur për qetësimin e situatës në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes në Kiev bëri të ditur se avioni është qëlluar në afërsi të qytetit Luhansk. "Terroristët" kanë qëlluar me raketa të tipit Zenit dhe armë automatike të kalibrit të rëndë kundër avionit të tipit Iljushin IL-76, kur ky ka qenë duke u ulur në aeroportin e Luhanskit, bëri më tej të ditur Ministria e Mbrojtjes. Sipas të dhënave të ministrisë avioni transportonte trupa ukrainase, të cilët duhej të zëvendësonin ushtarët që ndodheshin në zonë, si dhe paisje ushtarake dhe ushqime. Në bord të avionit ndodheshin 49 vetë. Ministria u shprehu familjeve të viktimave ngushëllime.

Edhe kanali televiziv amerikan CNN informoi se në bord të avionit gjendeshin të paktën 49 vetë. Kanali televiziv iu referua informacioneve të një personi i cili merr pjesë në të ashtuquajturin mision anti-terror të forcave të armatosura ukrainase.

Luftime të ashpra për Mariupolin

Luftime të ashpra për Mariupolin

Ushtria ukrainase prej javësh i kundërvihet me dhunë separatistëve prorusë të cilët mbajnë të pushtuar struktura të rëndësishme në Luhansk, Donjeck, Slovjansk dhe qytete të tjera.

Të premten (13.6.) ushtria, sipas të dhënave të veta, pas luftimesh të ashpra arriti të vërë sërish nën kontroll qytetin juglindor port Mariupol. Qeveria në Kiev e akuzon Rusinë se mbështet me luftëtarë dhe armë milicët. Sipas të dhënave të Presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko, Rusia i ka livruar separatistëve dhe tre tanke. Të premten edhe SHBA e akuzoi Moskën se u ka dhënë separatistëve tanke dhe raketahedhës.