Presidenti i parlamentit katalanas propozon Puigdemont si president të rajonit | Evropa | DW | 22.01.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Presidenti i parlamentit katalanas propozon Puigdemont si president të rajonit

Presidenti i Parlamentit të Katalonjës e ka propozuar Carles Puigdemont-in sërish si President rajonal. Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës ka kërkuar ripërsëritjen e urdhërarrestit ndërkombëtar për Puigdemont-in.

Presidenti i Parlamentit të Katalonjës Roger Torrent bëri të ditur se pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive në Parlament e ka propozuar Carles Puigdemont-in sërish kandidat të Presidencës rajonale të Katalonjës. Debati për Presidentit e propozuar duhet të nisë deri në 31 janar. Kandidati duhet të prezantojë në të programin e tij qeveritar, më pas do të zhvillohet zgjedhja.

Qeveria qendrore e Spanjës kishte sinjalizuar paraprakisht hapa juridikë kundër veprimeve të tilla. Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy pati bërë të ditur se një president i rajonit duhet të jetë i pranishëm fizikisht. Në rast se parlamenti megjithatë zgjedh Puigdemontin si President rajonal, Rajoy ka thënë se frerët e administratës rajonale mund të kalojnë sërish në duart e qeverisë qendrore në Madrid.

Urdhër i ri arresti ndërkombëtar?

Puigdemonti kishte bërë të ditur pas fitores së re të partive separatiste në 21 dhjetor, se programin e tij qeveritar do ta paraqiste me lidhje me video që nga Brukseli. Po të hyjë në Spanjë, Puigdemontin e kërcënon arrestimi i menjëhershëm. 55 vjecarin e akuzojnë për rebelim, kryengritje dhe abuzim me fondet publike. Kjo pas mbajtjes në Spanjë të një referendumi të ndaluar për pavarësinë si dhe vendimit pasues për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja.

Të hënën, ish-Presidenti i Katalonjës mbërriti në Danimarkë, për të marrë pjesë në Kopenhagen në një debat universitar. Kjo bëri që Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës të kërkojë që të ripërtërihet urdhëri i arrestit në BE për Puigdemont-in. Gjykatësi nuk është i detyruar që ta respektojë këtë kërkesë të Prokurorit.