1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu filloi sot në Berlin vizitën e tij të parë zyrtare në Gjermani.

Paradite ai u takua me homologun e tij gjerman Horst Koehler, si dhe me kryetarin e Bundestagut Norbert Lammert. Lammert ndër të tjera ka theksuar edhe nevojën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

default

Presidenti gjerman Horst Köhler dhe Presidenti Kosovës Fatmir Sejdiu sot në Berlin

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu fillimisht u prit me nderime ushtarake nga homologu i tij gjerman, Horst Këhler. Nga zyra presidenciale në Kështjellën Bellevue mësohet se gjatë takimit gati një orësh u bisedua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

Hollësi për përmbajtjen e bisedës nuk u dhanë. Më pas Sejdiu, i cili në këtë vizitë shoqërohet edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ai Tregtisë dhe Industrisë, Lufti Zharku, si dhe ai i Ekonomisë dhe Financës Ahmet Shala, zhvilloi një takim gati gjysmë ore me kryetarin e parlamentit gjerman, Norbert Lammert.

Siç bëhet e ditur nga Bundestagu, në qendër të bisedës ishin prezenca gjermane në Kosovë, si dhe perspektiva e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas të njëjtave burime politikani demokristian Norbert Lammert i ka vlerësuar marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë si të shkëlqyera, sidomos ato ndërparlamentare.

Lammert theksoi nevojën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Por numri i dytë i shtetit gjerman e ka vënë theksin edhe tek disa probleme brenda vendit, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar, bëhet e ditur nga burimet e Deutsche Welles në Bundestag. Nisur nga përvoja me Bullgarinë dhe Rumaninë, por edhe nga fakti që procesi i reformave në disa aspekte ka ngecur, Lammert citohet të ketë thënë se nuk mund të thoshte se kur do të mund të jetë data e anëtarësimit të Kosovës në BE. Po sipas burimeve gjermane, Presidenti Sejdiu ka premtuar se Kosova do të mundohet t'i zbatojë me seriozitet detyrat, që i dalin përpara.

Presidenti i Kosovës më tej ka vazhduar me një drekë pune me përfaqësues të ndryshëm të rëndësishëm nga politika dhe shoqëria gjermane, të cilën e ka dhënë për të Fondacioni gjerman Kërber. Në agjendën e sotme ka edhe një takim me ministrin e jashtëm Guido Westerwelle dhe kancelaren Angela Merkel. Ndërsa në mbrëmje Sejdiu do të mbajë një fjalim në fondacionin gjerman Konrad Adenauer, që tradicionalisht është më i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Se çfarë është folur nëpër takime në lidhje me marrëdhëniet Kosovë Serbi, deri tani nuk është bërë e ditur. Por kryetari i entit të Bundestagut për çështje të Bashkimit Evropian, Gunter Krichbaum, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në drekën e punës, i tha Deutsche Welles para takimit: “Është e rëndësishme që Kosova tashmë është njohur nga një numër i madh i vendeve të Bashkimit Evropian, prandaj edhe Bundestagu gjerman është i mendimit se rekomandimi, që do të vijë nga Gjykata e Hagës nuk duhet të merret si shkas për të rifilluar negociata për statusin e Kosovës. Statuskuoja sipas perspektivës sonë nuk diskutohet. Gjermania e ka njohur Kosovën, ashtu si shumë vende të tjera dhe fillimi i një diskutimi për statusin e Kosovës për Gjermaninë as që vjen në pyetje”, tha Krichbaum mbas një takimi, që pati një ditë më parë me zëvendëkryeministrin e Serbisë Bozidar Djelic, i cili gjithashtu ndodhet në Berlin.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM

  • Data 06.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NFqh
  • Data 06.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NFqh